Home KRYESORE Të lexosh apokalipsin, 2016

Të lexosh apokalipsin, 2016

0

Nga Sadik Bejko

Më duhet të rilexoj Biblën që të marr fuqi
Mjerim terror varfëri dhunë, detet varreza ujore
Vajzat prostituta, të mitur në fund të deteve
Djemtë viktima të drogës, shkulur rrugësh

Me një mundësi përdhunimi të femrave kufinjve të huaj.

Me një varrezë masive në kujtesë, si një hartë zogjsh

Shkruar në vesh, jo në sy
Dhe ca bombardime nga ajri
Bomba mbështjellë me fjalime për tolerancë, paqe
Me bashkëdisedime ku abortojnë shtete dhe fëmijë
Mbetur në lecka telash në kufinj.

Unë duhet të riexoj biblën të mbath zemrën
Ta mbath si bregun e detit me apokalipse digash e zbaticash
me duna që fshehin varrezat dhe me jashtëkë pyjesh
që fshehin plazhet e konkubinave të Herodit.

Jam qytetar a bir i një kohe, shteti të dështuar
Kam humbur sysh bijtë e mi
Mjeshtërinë e vrasjes së hapësirës atje tej,
mjeshtërinë e vasjes së resë e vrasjes së muzgut
që si një ujk plak më ha vuvas fshehur dritës

Më jepni një shtupë me rërë a me baltë që të mbyll një ooo
Një ooo që më shpëton nga brinjët kur ia mbyll me shuplakë
Muzgut a gojës sime.

Unë duhet ta mbath zemrën me ujëra Nili
Që vdesin gjuhëthara në shkretëtirë
Më duhet të mbath zemrën time me piramidat që
Varrosur si milngonat mbi një copë bukë të mykur.
Më duhet të mbush grushtet me shkretëtirë
Me rërë, me shumë rërë
Sa kur t’më vijë për të qarë si një vajzë me lot të krizantem të dhjetori
Kur gulçe t’më troshitin si një kontinent të vdekur qëkuri
Kontinent që nuk e di ku e ka Sirinë, ku e ka Sinajin a Uralet
Ku i ka Apeninet a Iberikët a Ballkanet…

Unë duhet të lexoj Biblën, të mbathem me imazhin apokaliptik
Dhe si currilat fikur në një gur
Mos dëgjoj cicërimën e zogut të fikur vendlindjes brenda shtëpisë sime.
Mos ndihem si një mbret që ka abdikuar zotërimet
Ka abdikuar të qenët mbi dy këmbë
Druri a kocke epur në ajër kësi dheu, feksur a errur dhe kësi jetë.

Share:
Reklama juaj