Home KRYESORE A duhet edhe shqiptarët në Turqi të trajtohen kulturalisht si turqit në...

A duhet edhe shqiptarët në Turqi të trajtohen kulturalisht si turqit në Ballkan?

0

Lexues të  nderuar te Gazeta “Fakti” ne Maqedoni dhe Perqasje.com,

shkas për të hapur këtë temë, ishte kolumna e kolegut dhe shkrimtarit tonë nga Prishtina, Halil Matoshi, i cili ngriti një problem fundamental që ka të bëjë me vendosjen e masave e kritereve reciproke midis shteteve, sidomos kur etnitë e ndryshme bashkëjetojnë në shtete jo Amë, siç janë psh. shqiptarët dhe turqit.

Duke zbërthyer idenë e vendosjes së këtyre masave, Matoshi fillimisht i referohet një deklarate të kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, gjatë një vizite në Shkup, i cili pat thënë se Turqia është duke punuar për rilindjen e kulturës turke në disa vende të Ballkanit. Mes tyre ai përmendi Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Bosnjën.

“Ne do të dërgojmë nga një fjalor turqisht në çdo familje të Shkupit. Po punojmë që në gjithë Ballkanin, dhe sidomos Maqedoni, Bosnjë, Kosovë dhe Shqipëri, të ketë një rilindje të kulturës sonë“.

Reagimi racional shqiptar duhej të ishte shumë më gjeneroz, pra edhe më i sofistikuar.

Nëse sipas Davutogllu (libri “Thellësia strategjike”) Turqia moderne – sipas shembullit neotoman – duhet ta rikthejë (kulturalisht) ndikimin e vet “thellë” në Ballkanin Perëndimor, thotë Matoshi, ku ajo “i ka mbetjet e veta”, edhe ‚mbetjet tona‘ (shqiptare) në Turqi duhet të rilinden, kulturalisht e politikisht, ngase miliona shqiptarë të origjinës kanë shërbyer në Perandori prej jeniçerëve e deri te Kryeministria!

Prandaj, istitucionet e shteteve përkatëse (ku jetojnë shqiptarët) duhet të reagojnë me reciprocitet, kurse liderët politikë të shqiptarëve kudo në rajon, t’i bëjnë ’selam‘ mikut të tyre Davutoglu dhe „… të dërgojmë nga një abetare (po ashtu nga një fjalor shqip) shtëpi për shtëpi, gjithandej në Turqinë e sotme ku jetojnë turq të origjinës shqiptare, konkludon shkrimtari Halil Matoshi.

Gazeta FAKTI dhe Perqasje.com, ftojne lexuesit e tyre, sidomos njohësit e marrëdhënieve shqiptaro-turke, si dhe specialistët e të drejtës ndërkombëtare, të shprehin mendimet e tyre mbi tezat e shtruara nga shkrimtari Matoshi.

Konsiderojmë se kjo temë është mjaft e qartë dhe e njohur për t’u trajtuar, kurse Gazeta FAKTI dhe Perqasje.com do të rezervojë një hapësirë të mjaftueshme për mendimet e lexuesve te tyre.

Mendimet tuaja te nderuar lexues te shqipes do të jenë të vlefshme për t’u bërë publike dhe kjo nënkupton që komentet tuaja, do të duhej të kenë për bazë një gjuhë të argumentuar dhe të liruar nga çfarëdo lloj mosdurimi, paragjykimi a po ksenofobie.

Gazetat tona, thjesht dëshirojne që përmes një komunikimi me lexuesit, të trajtojnë një problematikë sa e moçme aq edhe thelbësore, e cila përfshin sentimente, interesa e aspirata të shumta njerëzore, emocionale, sociale, ekonomike, kombëtare etj.

Në qendër të debatit duhet të jetë kultivimi i marrëdhënieve të mira tradicionale shqiptaro-turke dhe avancimi i tyre duke lidhë ura të reja bashkëpunimi.

Shqiptarët në Turqi aktualisht përbëjnë një segment të rëndësishëm të zhvillimit shoqëror, politik e ekonomik të këtij vendi, kurse tradita e marrëdhënieve shqiptaro-turke na mëson për kontribut dhënien e qenësishme të shqiptarëve në proceset shtet-ndërtuese të Turqisë. E pakta që mund të kërkojnë shqiptarët në këtë vend mik është ngritja e statusit të tyre kulturor, me të gjitha parametrat që parashohin konventat ndërkombëtare, përfshi edhe të drejtën për shkollim dhe media në gjuhën amtare.

Urojmë të kemi një debat të frytshëm, në mënyrë që edhe në të ardhmen të trajtojmë bashkë me lexuesit edhe tema të tjera.

Redaksite e Gazetës FAKTI dhe Perqasje.com fund-mars, 2016

P.S
mendimet tuaj mund të dërgoni në rubrikën e komenteve, Opinioneve ne gazeta “Fakti” ne Maqedoni ose arturnura@live.com

Share: