Home KRYESORE Kryqëzimi i Ermirës dhe problemet reale

Kryqëzimi i Ermirës dhe problemet reale

Nga Ilir Kalemaj

Sulmi i paprecedentë për deputeten e BDI-së, Ermira Mehmeti, i orkestruar jo rastësisht në mes të fushatës elektorale për zgjedhje të parakohshme, është një ogur jo i mirë për vetë fatin e këtyre zgjedhjeve dhe legjitimitetin që synojnë të arrijnë. Kjo jo vetëm se sulmohet brenda një harku kohor të pak kohëve për herë të dytë një deputete e mirë-artikuluar, e mirë-shkolluar dhe përfaqësuese e gjeneratës së re të politikanëve, që mbart disa përfaqësime njëherazi, si e re, shqiptare, femër dhe me grintë politike. Jo dhe se pse preket privatësia, në mënyrë të pautorizuar. Sepse në momentin që je në politikë, je person publik dhe sulmeve të kësaj natyre nuk i kanë shpëtuar as liderë botërorë në kulmin e suksesit të tyre politik. Jo vetëm sepse përbën vepër penale dhe të dënueshme inçizimi i paligjshëm dhe përdorimi i tyre për shantazh politik apo përfitime të tjera të kësaj natyre.

Por edhe për faktin që gjithçka deri tani i shëmbëllen një furtune në një gotë uji. Nuk ka ende një prononcim nga ana e deputetes. Video zanore, mund të jetë e fabrikuar, e manipuluar për të krijuar një perceptim negativ për politikanët shqiptarë në përgjithësi dhe ngjallur mosbesim ndaj elitave të tyre politike ndër shqiptarët e Maqedonisë në veçanti. Sulmi nuk synon vetëm deputeten Mehmeti si individ të vecantë. Njëherazi ka goditur Musa Xhaferin, si zv.kryeministër dhe eksponentët e rëndësishëm i BDI-së duke synuar ta de-faktorizojë në prag të zgjedhjeve subjektin më të votuar ndër shqiptarë. Goditja nën brez e Ermirës, është kambanë alarmi që duhet të shqetësojë opinionin e brendshëm dhe faktorin ndërkombëtar, pasi për gjithë arsyet e sipërpërmendura, nuk i sjell asnjë vlerë debatit publik por e shpërqëndron atë nga problemet reale që kanë sot e gjithë ditën shqiptarët e Maqedonisë.

Probleme akute që kanë të bëjnë me integrim real të shqiptarëve në administratën publike në mënyrë proporcionale, në nxitjen e edukimit cilësor dhe jo sasior të tyre brenda Maqedonisë, në spitael dhe qendra shëndetësore më të mira, në nxitjen e punësimit për të rinjtë me papunësinë më të lartë në Europë, ndërkohë që kanë dhe moshën më të re në kontinent, për luftën ndaj korrupsionit ku shumë nga politikanët janë kthyer në hajna dhe mbrojnë në forma kriminale monopolin e pushtetit politik. Ermira nuk është problemi. Problemi është fraksionalizimi i faktorit shqiptar, lojërat e pista të shërbimeve inteligjente, kapja e shtypit dhe mugnesa e të drejtave civile dhe politike. Kur këto të zgjidhen atëherë do të kemi luksin të diskutojmë edhe për kronikën rozë që shpesh është kthyer si kronikë e zezë që nxin gjithçka dhe nuk zgjidh asgjë.

Share: