Home KRYESORE Sherr në QSUT/ Gruaja kap për flokësh kryeinfermieren

Sherr në QSUT/ Gruaja kap për flokësh kryeinfermieren

0

Debati i nisur mes dy femrave, pjesë e bluzave të bardha, në një nga pavijonet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë ka precipituar në kapje nga flokët dhe përdorim të fjalëve joetike, raporton “Panorama”.
Sherri i nisur në korridoret e QSUT-së ka përfunduar në Gjykatën e Tiranës, ku njëra prej tyre është dërguar si e pandehur për akuzën e “goditjes për shkak të detyrës”.

Ngjarja në fjalë ka ndodhur në maj të vitit të kaluar, por pak ditë më parë gjykata përfundoi gjykimin ndaj të pandehurës Liljana P., 34 vjeçe, duke e deklaruar të fajshme për akuzën.

Ajo u gjobit me 100 mijë lekë gjobë, të cilën ka duhet ta paguajë brenda një afati 1-vjeçar nga dita që vendimi do të marrë formë të prerë. Referuar vendimit të gjykatës, episodi i dhunshëm në QSUT është regjistruar paraditen e 9 majit 2016.

Sipas Gjykatës, e pandehura Liljana P. është grindur me kryeinfermieren L.H. dhe administratoren B.S., për shkak se e ka caktuar roje te dera e pavijonit, në një kohë që nuk është detyra e saj funksionale. Fillimisht e pandehura i është bindur këtij urdhri. Më vonë, ajo ka shkuar të sqarojë problemin tek administratorja.

Në vendimin e arsyetuar saktësohej se në lidhje me këtë mosmarrëveshje të lindur në vendin e tyre të punës ka vënë në dijeni edhe shefin e pavijonit, si dhe shefen e personelit. Sipas Gjykatës, e pandehura e ka pasur të pamundur të sqarojë konfliktin, për shkak të angazhimit të këtyre personave në punë të tjera. Për këtë shkak, e pandehura ka shkuar sërish tek administratorja, por këtë herë jo e vetme.

“Në këto rrethana, e pandehura i është drejtuar përsëri shtetases B.S. nën shoqërimin e bashkëshortit. Kallëzuesja B. nuk ka pranuar të takojë të pandehurën, pasi ajo ishte e shoqëruar me familjarë të saj dhe nuk e kishte për detyrë”, thuhej në vendim.

Sipas Gjykatës, në debat e sipër kallëzuesja B.S. ka nxjerrë aparatin e telefonit celular për ta filmuar, por ka marrë një reagim të papritur nga e pandehura.

“E pandehura Liljana P. i ka marrë aparatin e telefonit celular dhe e ka kapur nga flokët, duke përdorur edhe fjalë joetike. I pranishëm gjatë zhvillimit të ngjarjes ka qenë bashkëshorti i saj, i cili nuk ka reaguar”, citonte Gjykata/Lapsi.al

Share:
Reklama juaj