Home KRYESORE “Ca skica”

“Ca skica”

(C) Jonida Salku

Skica e parë – Sytë:
Në mes të dilemës së lexueshmërisë,
kupton se ndër të numërueshmit me gishtat e dorës,
janë ata që njihen mbetës në lexim,
ose ti u ke titruar vetëm pak bojë kafe në të gjelbër,
kësisoj të duhen të tjerë lexues,
ose një skicë tjetër…
Ndaj e fshin skicën e syve,
sajon një të dytë,
ndoshta me tjetër ngjyrë,
sa as veten të mos e njohësh më në pasqyrë.

Skica e dytë – Buzët:
Me skicën e buzëve ke bërë një katrahurë,
në përpjekje për t’i thënë të gjitha:
fjalë, qeshje, përbuzje, shtirje, çiltërsi e puthje…
Nuk gjete asnjë palë sy të ta lexojnë skicën e buzëve…
E gris, e copëzon shumë imët,
të mos e shohë më askush,
nis të vizatosh një tjetër skicë,
më të thjeshtë, më lajkatare,
të lyer me buzëkuq.
Ashtu do të dukesh bukur dhe në heshtje,
me buzë që puthaqeshin (sh)penguar mbi dorë,
si dyer aq të hijshme të pallatit,
që hapen veç me urdhër mbretëror.

Skica e tretë – Zemra:
Të duket skica më e lehtë,
s’ke lënë sipërfaqe pa e vizatuar,
duke menduar se ke thënë gjithçka më të,
por s’ke thënë asgjë… me zemrën në duar.
Mes mijëra pyetjesh drejtuar vetes,
ia çjerr skicën edhe zemrës.
E nis të kompozosh një skicë krejt të re,
më të kuqe,
më të shndritshme se ajo që grise,
një skicë që e lexon gjithkush,
ajo “zemra” mbi sy edhe mbi buzë…

Skica e katërt – Duart:
Dhjetë gishtat,
numri i plotë, i artë i botës,
numër i plotë,
që në dy duart hapur drejt qiellit,
duket kaq bosh…
Skicë e paarrirë!
E bën shuk, drejt e në kosh!
Rishtas zë të vizatosh…
Duart përplot me të tjera duar,
që zgjaten për të rrokur supe,
duart mbushur me receptorë,
që luajnë muzikë e cekin lëkurë,
duart që shembin çdo mur.

Skica e pestë – Lëkura:
Demodè kjo skicë e vjetër,
skicë që lëkurën e mbush me rrudha e njolla,
me pore të përthara
nga dioksidi i karbonit dhe koha,
skicë pa asnjë nuancë a ngjyrë,
a thua se lëkurën e prekin vetëm sytë…
Bën një të dytë.
Ajo skicë nuk ish e denjë.
Lëkura u krijua dhe për buzët
dhe për duart
dhe për zemrën…
Dridhjet e prekjeve arrijnë deri atje!
Lëkura është udhë e dashurisë,
në këtë skicë të re…

Skica e gjashtë – Shpirti:
Për shpirtin nuk pate skicë,
vetëm një shkarravinë…
Se s’të patën mësuar ku flinte, si ishte, a të rrinte fiks…
Ndaj nise ta zbukurosh atë zhubër,
sapo ndjeve se shpirtin ta puthën,
ta zgjuan buzë e duar si bukurinë e fjetur,
ta ndritën dy sytë e qeshur,
me të cilët mate rrahjet e zemrës.

Skica e shtatë – Mendja:
Asgjë s’mund të kishe skicuar me dorë,
pa e marrë mendjen me të mirë,
se pasi kuptove skicat e gabuara,
të drejtat kërkonin mendimin.
Ndaj more mendimin më të bukur,
në fakt, atë më pushtuesin,
pa ia thënë emrin me zë të lartë,
mendjen skicatore e skicove prapë,
me botën në duar sikur të ish parajsë,
mendje që nuk ndalet në skicën e shtatë,
por vizaton gjerë e gjatë,
gjithçka që brenda vetes sheh,
gjithçka që do të ekspozojë jashtë,
për t’i treguar botës me çdo skicë,
se sa mirë mund t’i shërojë e t’i shijojë pikëzat e dashurisë,
me dritë, me sfidë, me “dorë të lirë”…

Share: