Mjegulla e diplomatëve në Maqedoni dhe agresiviteti Rus

Mjegulla e diplomatëve në Maqedoni dhe agresiviteti Rus

0

Nga Selimi Ibraimi

Ministria e Jashtme e Rusisë, si pjesë e aktiviteteve në rritje në Ballkan, ka lëshuar disa deklarata për zhvillimet e fundit politike në Maqedoni.

Vitin e kaluar në Mal të Zi kishte një grusht shteti tentativë nga inteligjenca ruse për të rrëzuar qeverinë dhe për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve.

Në krahasim me BE-në, Federata Ruse në një farë mase ka dominuar sferën e informacionit, përhapjes të propagandës rreth rajonit dhe Maqedonisë.

Por a kanë qëlluar rusët në pikën e duhur? Epilogu do të shihet nëse lideri i opozitës Zoran Zaev do të jetë në gjendje të formojë qeverinë e re të Maqedonisë.

Analizë

Palët në krizën politike po qëndrojnë në linja të ndryshme në drejtim të adresimit të krizës në Maqedoni. Zyrtarë të BE-së pas vizitës së Përfaqësuesës së Lartë të BE-së Frederica Mogherini kanë shprehur shqetësime në lidhje me zhvillimet në Maqedoni duke theksuar rolin në rritje të Rusisë në Ballkan.

Në mënyrë të veçantë në krizën aktuale politike ne shohim dy çështje të mëdha gjeopolitike në të cilat Perëndimi dhe Rusia po bëhen lojtarë rivalë.

Së pari, Rusia krijon një klimë për autoritetet lokale dhe rajonale se Perëndimi po imponohet në punët e brendshme të shteteve dhe e dyta, kjo atmosferë i hap rrugën forcave nacionaliste në Maqedoni për të vazhduar matjen e fuqisë politike se kush do ta formojë qeverinë në Shkup, madje edhe me mjete të tjera.

Në këtë garë, përfshirja e Kremlinit çuditërisht tregoi se veprimet ruse mund t’i japin opinionit publik një qëndrim të kundërt në krahasim me angazhimet e ndërkombëtarëve në Maqedoni.
Aktiviteti ekonomik rus në Maqedoni

Aktiviteti ekonomik rus në Maqedoni ka kapacitete të kufizuara. Vendndodhja gjeografike e Maqedonisë në krahasim me vendet e tjera të Evropës Lindore e bën vendin më pak të prekshëm dhe në presion jo të drejtpërdrejtë ushtarak rus, por projektet e propozuara të biznesit, kompanitë e tanishme të cilat tashmë operojnë në Maqedoni, sistemi i propozuar i ofrimit të gazit natyror, mund t’i ndryshojnë politikat e zyrtarëve të qeverisë së Maqedonisë në drejtim të procesit të vendim-marrjes dhe paralelisht e vënë vendin në rrezik nga influenca e Rusisë.

Bazuar në raportin e Analizës Strategjike të aktivitetit të biznesit rus në Maqedoni të publikuar nga “Grupi Këshillues RWR”, me bazë në SHBA, në mars të vitit 2015,

“Story Trans Gas” njoftoi planet për të ndërtuar një pjesë 61 km e një 96.6 km të tubacionit të gazit në Maqedoni që lidh Klecovcën në Negotinë, në drejtimin nga afër kufirit verior me Serbinë në Maqedoninë qendrore.

“Story Trans Gas” si pikë synim kishte caktuar një qershorin e vitit të kaluar si datë e përfundimit të projektit.

Një seksion i dytë është ndërtimi i shtrirjes së tubacionit me kufirin jugor të Maqedonisë”. Plani i Rusisë është që ky tubacion shtesë në fund të lidhet me projektin

“Turkish Stream”, i cili do të përdoret për të ofruar gazin natyror rus në Evropë dhe ndoshta të shërbejë si mjet ndkimi kundër shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Koorporatat tjera prestigjioze të industrisë së naftës si “Lukoil”, e cila është e përhapur në të gjithë Maqedoninë ka rol të konsiderueshëm në ekonominë fragjile të vendit.

Mediat kombëtare në vitin 2011, raportuan se koorporata ruse “Prodis”, pjesë e koorporatës farmaceutike “Protek Group”, ka filluar investimin e saj në tregun e Maqedonisë.
Gjithashtu investitorët rusë janë të interesuar në produktet bujqësore.

Që nga 2012 investitorët rusë nga rajoni “Rostov” janë të interesuar në ndërtimin e qendrave blerëse për produktet bujqësore në Maqedoni, për fruta dhe perime të Maqedonisë.
Të dy vendet, me qëllim të avancimit të marrëdhënieve tregtare nënshkruan në vitin 1993 një marrëveshje për tregti dhe bashkëpunim ekonomik midis qeverive të Maqedonisë dhe Rusisë.

Më e rëndësishmja, është se eksporti i Maqedonisë në Rusi shënon një rritje rekord prej 140%, ndërsa eksporti i Rusisë në Maqedoni është gati 28.7%.

Në tremujorin e 3 të vitit 2016, tregtia e Rusisë me Maqedoninë arriti në $ 25.930.819, deri 2.70% ($ 682.641) në krahasim me tremujorin e 3 të vitit 2015.

Ndërkaq përveç platformave të lajmeve ndërkombëtare që transmetojnë në rusisht, në Maqedoni, portalet me bazë të djathtë në gjuhën maqedonase vazhdojnë të raportojnë dhe të zhvillojnë propagandë të Moskës.

Opsionet e Perëndimit

Programi qeveritar i liderit të LSDM-së Zoran Zaev është refuzuar nga ana e VMRO-DPMNE-së, dhe kjo ka shtyrë krizën politike dhe institucionale në nivele të tjera të sigurisë dhe ka lënë hapësirë për operacione më të gjera hibride në Maqedoni.

Partitë politike shqiptare janë grumbulluar rreth një dokumenti për qeverisje me partitë maqedonase.

Në proces afatgjatë, partitë politike shqiptare karakterizohen nga mungesa e opsioneve politike, luftës ndaj korrupsionit dhe lidershipit i cili do t’i udhëheqë shqiptarët e Maqedonisë në përballjen me sfidat me të cilat po kalon vendi.
Është fakt se roli ndërmjetësues që Rusia është duke kërkuar në të gjitha konfliktet dhe në shoqëritë e përziera multietnike, duhet të merret seriozisht nga Perëndimi.

Në samitin e BE-së të mbajtur në Bruksel, kryeministrja britanike, Theresa May ka akuzuar Rusinë se po përpiqet të ndikojë në Ballkan.

Në fakt, mungesa e një koalicioni të fortë që kur filluan të shfaqen përgjimet e para në vitin 2015, është parë si mangësi në strategjinë e Perëndimit, se si të negociohet me palët në Maqedoni dhe si të përfundojë idea e procesit të ndërtimit të shtetit ligjor dhe fillimit të shtrimit të problemeve ndëretnike.

Perëndimi në atë kohë kishte frikë se gjendja e demokracisë në Maqedoni mund të përshkallëzohet dhe ndërhyri me mjete të “diplomacisë së butë” duke dërguar në Shkup z. Johannes Hahn, për t’i ulur tensionet dhe që më pas u mbyll një fazë e konfliktit politik dhe ideologjik, me nënshkrimin e marrëveshjes së quajtur “Përzhinë 2”.

Edhe pse tre diplomatët e lartë të BE-së e vizituan Maqedoninë javën e kaluar, situata vazhdon të marrë drejtim të paqartë. Është njoftuar se këtë javë do të qëndrojë në Shkup, përsëri diplomati i lartë i BE-së Johannes Hahn.
VMRO-DPMNE për të zgjidhur krizën është duke këmbëngulur për zgjedhje të reja, së bashku me zgjedhjet lokale ose tërheqje të Zaevit siç thonë ata nga “Platforma” shqiptare e Tiranës.

BDI bashkë me partinë e Ziadin Selës, kanë hyrë në bisedime me socialdemokratët për të thirrë një seancë parlamentare. Procesi shihet si mjaft i ndërlikuar në rrugën për t’i mundësuar “koalicionit”, formimin e qeverisë së re dhe e cila po kundërshtohet nga VMRO-DPMNE dhe protestuesit.

Situata në Maqedoni është një vrimë e re për overturë informative dhe diplomatike të përforcuara këtë vit nga të gjithë aktorët e interesuar.

Me mjete të dedikuara nga BE dhe SHBA për shoqërinë civile në Maqedoni, që nga pavarësia e deri sot, nuk u ndërtua një shoqëri rezistente dhe e gatshme ta luftojë korrupsionin dhe liderët e papërgjegjshëm.

Sipas analistëve “intervenimi” rus me propagandë informative në Maqedoni e ka vënë në zbrapsje bllokun civil të mbështetur nga BE dhe faktorët tjerë. Atëherë cili opsion do të triumfojë në Maqedoni?

Së këndejmi SHBA dhe BE duhet të gjejnë një qasje tjetër për sa i përket krizës në rritje në Maqedoni dhe në rajonet me konflikte të ngrira.
Çarjet në dukje në mes amerikanëve dhe (vetë) europianëve do të reflektohen në ekzekutimin e politikave dhe përmbushjen e objektivave diplomatike jo vetëm në Maqedoni por edhe shtetet e BE-së.

Për më tepër, Ballkani dhe Maqedonia mbeten pika të nxehta që kërkojnë një administrim të përshtatshëm dhe në kohë.

Kujtimet e shekullit të 19, na bëjnë të mendojmë se Ballkani po ndryshon në përputhje me ripozicionimin e fuqive botërore. Mjegulla e dendur vazhdon të qëndrojë në Gadishullin Ballkanik.

Selim Ibraimi-Qendra e Studimeve të Sigurisë dhe Zhvillimit-Maqedoni (CSSD)
19.3.2017

Share:
Reklama juaj

NO COMMENTS

LEAVE A REPLY