Home KRYESORE Filloi lufta PD-LSI se kush është opozitë, edhe kur nuk bejne hajer…

Filloi lufta PD-LSI se kush është opozitë, edhe kur nuk bejne hajer…

Vendimi i kaluar dje në këshillin bashkiak të Tiranës për rritjen e çmimit të ujit, ka shkaktuar edhe një sërë akuzash me dy partive opozitare, PD dhe LSI. Vendimi i mor dje me 31 vota, në një kohë kur PS ka vetëm 25 vota në Këshill. 6 votat e tjera u plotësuan nga PDIU, PD dhe LSI. Pikerisht këto pak vota kanë nisur lumin e akuzave mes PD-së dhe LSI-së.

Siparin e tyre e hapi Lulzim Basha sot, i cili akuzoi LSI-në dhe PDIU-në se i janë bashkuar Ramës për të dyfishuar çmimin e ujit dhe për të miratuar koncesionet klienteliste të shkollave. Ndërsa tha se PD është e vetmja forcë politike që është në krah të njerëzve dhe e vendosur të luftojë për ta.

“Pazareve të Edi Ramës dhe veglave të tij në krye të Bashkisë Tiranë për të dyfishuar çmimin e ujit dhe për të miratuar koncesionet klienteliste të shkollave iu bashkuan dje edhe PDIU dhe LSI. Është i njëjti grusht politikanësh të kapur dhe të korruptuar që nuk ka asnjë mëshirë për të rrëmbyer çdo qindarkë nga xhepat e qytetarëve. Loja e tyre vazhdon njësoj si më parë, vetëm se tani në role të reja. PD është e vetmja forcë në krah të njerëzve, por ajo është e fortë dhe e vendosur për të luftuar për ta. Ne nuk do të ndalemi dhe nuk do të heshtim asnjëherë në mbrojtje të interesave të qytetarëve”

Pas deklaratës së Bashës erdhi edhe reagimi i parë nga LSI. Ishte ish-kreu i kësaj force politike, Petrit Vasili ishte ai i cili iu përgjigj Bashës duke i thënë se PD gëlltiti çorbën e 18 majit dhe u shit për kreditë e shtëpive të miqve e klientëve. Vasili po ashtu akuzoi Bashën si dëmtues të interesave të qytetarëve.

“Marrëveshja e turpit e 18 majit, Basha-Rama, që shkatërroi zgjedhjet e 25 qershorit, vazhdoi edhe dje në bashkinë e Tiranës. PD tundi dynjanë se gjoja nuk do të shkonte në mbledhje të këshillit bashkiak, ndërsa në realitet shkoi, sepse u shit për kreditë e shtëpive të miqve e klientëve dhe legjitimoi rritjen e çmimit të ujit dhe koncesionit të shkollave. Çorba e gëlltitur në 18 maj nga PD dhe Basha, vazhdon të villet përditë duke dëmtuar rëndë interesat e qytetarëve të thjeshtë, siç u bë bashkëfajtore në blerjen dhe vjedhjen e votës edhe në 25 qershor.”

Nuk vonoi shume dhe reagimin e Vasilit e pasoi reagimi i kreyetares së LSI, Monika Kryemadhi. Kryemadhi iu përgjigj Bashës duke i thënë se ishin këshilltarët e tij ata që e votuan këtë rritje të çmimit të ujit. Po ashtu si Basha edhe Kryemadhi foli për LSI-në si një parti opozitare që nuk blihet dhe që është në krahun e qytetarëve.

“Vendimi i këshilltarëve të LSI për çmimin e ujit dhe ndërtimin e shkollave në Tiranë ishte qëndrimi dinjitoz i një force politike, që jo vetëm bën opozitë, por është rreshtuar haptas në mbrojtje të interesave të qytetarëve. Me keqardhje lexova reagimin e kryetarit të shkrirë të PD dhe me duhet t’i kujtoj së pari paaftësinë e tij për të menaxhuar furnizimin me ujë kur ishte kryetar bashkie dhe i kishte të gjitha mundësitë. Së dyti, dua t’i them zotit Basha se këshilltarët e tij dje qëndruan në sallë për të votuar listat me emrat e tyre, që përfitojnë nga kreditë e buta. Dhe ky është një fakt që nuk mund të fshihet, madje as të manipulojë blerjen që iu bë dy këshilltarëve të LSI, prej të cilëve ne u distancuam. Sepse qendrimi i LSI nuk mund të blihet me asnjë çmim. Sa për qëndrimin opozitar, zoti Basha harron shumë shpejt që ai dhe kryeministri ishin për javë të tëra xhelatët ndaj LSI. Me mbështetjen e tij dhe të bashkëpunëtorit të tij të afërt Edi Ramës, u persekutuan dhe pushuan nga puna me dhjetëra anëtarë dhe mbështetës të LSI. Ndaj të kërkosh sot të bësh opozitë kur ende nuk ke deklaruar qartë se me se u blenë votat e 25 qershorit është thjesht një lojë meskine për të fshehur të vërtetat e mëdha. LSI është e qartë dhe e vendosur në qëndrimin e saj kundër çdo përpjekje apo akti që dëmton qytetarët shqiptarë, pa asnjë kompromis apo pazar politik që gatuhet në zyrat e kryeministrit. Kështu që, është në nderin e PD të bashkohet me vullnetin tonë ose të mbetet peng i një marrëveshjeje të dyshimtë, shkatërruese e zgjedhjeve dhe e votës së shqiptarëve.”

Duke patur parasysh deklaratat e Bashës dhe Kryemadhit kuptojmë që të dyja palët po mundohet të akuzojnë njëra-tjetrën, duke u munduar të nxjerrin partinë e tyre si opozitën reale në mbrojtje të qytetarëve. Deri dje, beteja PD-LSI ishte për vota, ndërsa sot është kthyer në një çështje se kush kush bën opozitë në mbrojtje të qytetarëve.

Në Shqipëri është bërë e zakonshme që ndasitë mes maxhorancës dhe opozitës të jenë aq të thella sa edhe për nisma themelore të mos bëhen bashkë, por zgjedhjet e 25 qershorit kanë nxjerrë, ndoshta opozitën më interesante në keto vite pluralizëm: opozitën me dy parti që akuzojnë dhe nuk merren vesh me njëra-tjetrën.

Lapsi.al e parashikoi këtë ndarje të opozitës së re disa ditë më parë dhe sipas gjasave ky fenomen do të përsëritet edhe në aksione të tjera opozitare. (shiko linkun poshtë)

Kështu, PD dhe LSI i kanë hapur luftë njëra-tjetrën për të treguar se kush është opozitë, por ajo që mbetet faktike në këtë mes është kalimi i vendimit për rritjen e çmimit të ujit. Pavarësisht akuzave të ndërsjellata PD-LSI vendimi kaloi me votat e PDIU-së, PD-së dhe LSI-së. Ndonëse të dyja palët mundohen të fshihen pas këtyre akuzave, në fakt kanë kontribuar në marrjen e këtij vendimi.

Fakt që të bën t’i krahasosh me serialin amerikan “House of Cards”, ku qëndrimet e mbajtura realisht dhe ato të folura në media janë diametralisht të kundërta. Me sa duket lufta mes PD-së dhe LSI-së për fronin e opozitës, po i shndërron këto dy forca politike në një patericë të mazhorancës./ Lapsi.al

Share: