Ndalimi i banalizimit të Partisë Demokratike! Nga Erion Piciri

Ndalimi i banalizimit të Partisë Demokratike! Nga Erion Piciri

0

Partia Demokratike ka hyrë në një fazë të re të rrugëtimit të saj, me plot rreziqe dhe oportunitete. Mençuria e njerëzve që e drejtojnë është të kufizojnë rreziqet, që vijnë nga funksionimi jo demokratik, jostatutor dhe tendencat për fitim të dhunshëm e hileqar të lidershipit dhe të rrisin oportunitetet, që burojnë nga garat e ndershme, komunikimi i civilizuar i alternativave, kultura e konsensusit dhe bashkëjetesës së rrymave me pikëpamje divergjente. Në politikë duhet të mbizotërojë racionaliteti jo emocionaliteti, sjellja e qytetëruar jo banaliteti suburban.

Në këtë prizëm, sjellja publike e një deputeti të sapozgjedhur të PD-së, njëherësh kryetar i saj në një qytet të vogël, është e papranueshme për një përfaqësues të lartë të Partisë Demokratike. Vullgariteti në këto nivele është i patolerueshëm dhe krijon një model të keq në hapësirën publike. Forca e shembullit dhe e modës së një njeriu publik, është shumë e madhe. Ky limbazh keqedukon të rinjtë, rrit nivelin e agresivitetit në shoqëri dhe kthehet në normë të marrëdhënieve ndërnjerëzore.

Dëmi që i krijon imazhit të opozitës, është i pallogaritshëm. Dëmi që i sjell grupeve shoqërore që ne përfaqësojmë, mjaft i madh. Partia dhe përfaqësuesit e saj duhet të jenë emra me reputacion të mirë, marka me prestigj që njerëzit të asociohen dhe t’i mbështesin. Nëse PD tregon egërsi dhe banalitet, shumë kategori, përfshi burrat dhe gratë e qytetëruar shqiptarë, do largohen prej nesh.

Çdo njeri e njeh vulgaritetin por ajo që e dallon të qytetëruarin është vetëpërmbajtja në hapësirën publike. Ne kemi pasur shumë shembuj të mirë ndër vite. Serioziteti dhe përmbajtja në rregullat e mirësjelljes i kanë veçuar përfaqësuesit tanë dhe kanë bërë diferencën me një sërë kundërshtarësh politikë. Edhe vetë kryetari në detyrë i PD-së, ndonëse mund të kritikohet për mospasjen e staturës së një lideri të vërtetë dhe të besueshëm, për difekte të karakterit e të tjera, ka një qasje korrekte përsa i përket sjelljes etike dhe pa vulgaritete. Një gjë që mund ta mësojë kushdo në politikën shqiptare. Bolshevikët gjeneralizuan harbutllëkun por ne duhet të gjejmë forcën të riinstalojmë sjelljen e civilizuar.

Kam dëgjuar që ky deputet është përfaqësues i një familjeje të respektuar që vjen nga një holokaust klasor dhe persekutim të egër komunist. Për këtë meriton të gjithë respektin tonë, por prej këtej buron edhe detyrimi për një përgjegjshmëri më të lartë. Kam pasur edhe unë paraardhës që kanë pasur histori të ngjashme me t?, të djegur, të pushkatuar, të internuar, kulakë dhe me prona të sekuestruara. Kjo shtresë meriton respekt, veçse me këtë sjellje (qoftë edhe në gjaknxehtësi dhe emocionalitet), ne cenojmë reputacionin e të përndjekurve të regjimit komunist. Fajësia përmes asocimit funksionon në hapësirën publike. Kur paraqitemi si përfaqësues të këtij grupimi, duhet të kujdesemi edhe për imazhin e tyre.

Regjimi komunist u mori atyre njerëzve pasurinë, prestigjin shoqëror, lirinë por jo fisnikërinë. Ata njerëz u shquan për sjellje të civilizuar dhe jo për harbutëri. Për këtë ndjeheshin krenarë, për prejardhjen e tyre, dhe ndonëse në varfëri dhe të diskriminuar, nuk u kishte humbur zotnillikun. Jam rritur nga këta njerëz dhe civilizimi i tyre është një pjesë me vlerë e pasurisë tonë kombëtare, që e djathta shqiptare duhet ta ketë si busull të komunikimit dhe veprimtarisë së saj politike.

Si anëtar i thjeshtë i Partisë Demokratike, i kërkoj këtij deputeti dhe kujtdo tjetër në këto nivele, të na përfaqësojë denjësisht dhe me deçencë. Edhe mbrojtja e vetes dhe të preferuarve tanë, ka mënyra të paqme dhe të mençura se si kryhen. Një herë e humbi toruan nga sulmet e kundërshtarëve edhe Ronald Reagan-i, në ato fillime të politikës por që nga ai moment kërkoi ndjesë dhe u zotua të mos fliste më kurrë keq për sivëllezërit e tij republikanë. Me një sjellje të butë, ai diti të tregojë forcën kur duhej, kundër sovjetikëve dhe të na krijonte kushtet për liri, duke fituar Luftën e Ftohtë.

Njerëzit me pushtet kanë forma të ndryshme për të demonstruar forc?. Autoriteti moral dhe pesha e fjalës janë forca më e madhe e një politikani. Këtu duhet investuar. Kjo ka humbur në PD-në qendrore dhe lokake, kjo duhet gjetur që njerëzit të mbajnë radhë të na votojnë, jo të ikin prej nesh sikur të jemi njerëz primitivë, me të cilët nuk duhet të kesh asnjë punë.

Përfaqësuesit politik duhet të kuptojnë se konflikti me të tjerët nuk është më çështje personale por çështje interesash për grupet e qenësishme shoqërore që ne përfaqësojmë dhe për grupe potenciale që priten të na bashkohen për arritjen e mazhoritetit të ri që do ndryshojë Shqipërinë. Në këtë fazë askujt nuk i lejohet të dëmtojë reputacionin e popullit opozitar. Opozitarizmi, sidomos në këto momente krize, ka nevojë për vizibilitetin e njerëzve me mendje jo për ekspozim negativ, të zëvendësimit të një grupi të dhunshëm parlamentar të kundërshtarit, me të dhunshmit tanë.

Në këtë drejtim Partia Demokratike duhet të marri masa dhe të disiplinojë sjelljen e përfaqësuesve të saj, të penalizojë dhe nëse është e nevojshme, të tërheqë mbështetjen politike dhe asocimin me këdo që bie ndesh me kodet etiko-morale të politikës tonë dhe të shoqërisë shqiptare.

Përjashtimi nga partia për agresivitet verbal dhe fizik, duhet të jetë një normë e padiskutueshme. Një agresiv më pak, është një vlerë më shumë. Për këtë duhet të investojmë. Krijimi i një modeli të ri shoqëror, bazuar tek rigjenerimi i vlerave të hershme të shoqërisë tonë, do na kthejë herët a vonë në një promotor të evolucionit tonë kombëtar…/syri.net

Share:
Reklama juaj

NO COMMENTS

LEAVE A REPLY