Home KRYESORE Miqesia Turko-Serbe/Erdogan në Novi Pazar: Do ta dëbojmë FETO-n nga Ballkani.

Miqesia Turko-Serbe/Erdogan në Novi Pazar: Do ta dëbojmë FETO-n nga Ballkani.

0

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan tha sot në Novi Pazar se organizata terroriste FETO do të dëbohet nga Turqia por edhe nga Ballkani, raporton Anadolu Agency (AA). Në një fjalim para mijëra qytetarëve të cilët ishin tubuar duke e brohoritur emrin e tij, Erdoğan foli për projekte në fushën e infrastrukturës, por theksoi edhe rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve të mira mes Serbisë dhe Turqisë. Presidenti i Turqisë tha se vendi i tij ka marrëdhënie të posaçme me rajonin e Sanxhakut në Serbi.

“Gëzimi i vëllezërve tanë në Sanxhak është edhe gëzimi ynë, ndërsa dhimbja juaj është e jona gjithashtu. Me Sanxhakun kemi raporte të veçanta, ndërsa ky unitet të cilin e shohim flet për nevojën që kemi për paqe dhe mirëqenie mes popujve. Dje nënshkruam 12 marrëveshje ndërsa sot edhe katër të tjera, pra për dy ditë 16 marrëveshje”, tha Erdoğan. Presidenti i Turqisë falënderoi homologun serb Vuçiç me të cilin bashkë qëndruan në Novi Pazar, por edhe banorët e këtij qyteti për përkrahjen që e kanë dhënë në natën e 15 korrikut, kur organizata terroriste FETO tentoi të bëjë një grusht shteti në Turqi.

“Me mikun tim Vuçiç ndajmë qëndrimin e njëjtë për këtë çështje. Ne i dimë përpjekjet e Vuçiçit në luftën kundër organizatës terroriste FETO. Organizatën tradhëtare FETO do ta dëbojmë nga Turqia por edhe nga Ballkani, dhe në këtë drejtim kam besim të plotë tek Vuçiçi”, tha Erdoğan. Numri një i shtetit turk tha se të gjithë njerëzit e këtij rajoni janë vëllezërit e tyre për çka Turqia do të mbështesë të gjitha aktivitetet për zhvillimin ekonomik të Sanxhakut dhe në këtë drejtim tha se inkurajojnë biznesmenët turq të investojnë këtu.

“Serbët, kroatët, shqiptarët, boshnakët janë miqtë tanë me të cilët kemi jetuar ndër shekuj në harmoni dhe me të cilët do të jetojmë edhe në të ardhmen. Duam që asnjëherë më të mos ngjallen dhimbjet nga e kaluara. Pavarësisht se ku ndodh, ne nuk mbështesim padrejtësinë ndaj askujt, dhe për secilin kaos që ka ndodhur në Ballkan nga provokimet e huaja çmimin e kanë paguar njerëzit nga këto treva. Dhe, për këtë arsye them se përderisa popujt në Ballkan të jenë të bashkuar, aq më shumë do të jenë të sigurtë.

Mos harroni, ne jemi gjithmonë me ju, do të jemi një, do të jemi të fortë, do të jemi të vendosur dhe, dhashtë Zoti të ruajmë miqësinë tonë”, përfundoi Erdoğan. Në fund të fjalimit të Erdoğanit në prani të presidentit serb Aleksandar Vuçiç, kompania turke Salkano dhuroi 200 biçikleta për fëmijët nga zona e Novi Pazarit.

Share:
Reklama juaj