Home KRYESORE Konkursi farsë/ Kush janë drejtuesit e rinj të spitaleve dhe lidhjet me...

Konkursi farsë/ Kush janë drejtuesit e rinj të spitaleve dhe lidhjet me PS-në

0

“Nuk mund të ketë më emërime partiake. Nesër ju duhet të jepni dorëheqjen një e nga një. Ekipet e reja drejtuese do të zgjidhen me konkurs publik”. Kështu do të shprehej Kryeministri i vendit Edi Rama më 31 korrik të këtij viti, fill pasi mori mandatin e dytë për të qeverisur.

Dhe ja ku jemi sot pas afro 4 muajsh me drejtorët e rinj të spitaleve rajonale në Tiranë dhe në rrethe. Ministria e Shëndetësisë ka publikuar listën e fituese të konkurseve.

Por kush janë emrat e rinj të drejtorëve të spitaleve rajonale. A jane zgjedhur ata vertet me konkurs siç pretendoi Edi Rama. Opinion.al ju sjell biografinë e secilit prej tyre.

Në krye të spitalit të Beratit është emëruar Eduard Bejko, ish-deputet i PS-së. Profili i tij është e lehtë të zbulohet me një klik në faqen zyrtare PS.al, përpos faktit që gjithë Berati e njeh si socialist.

Drejtori i spitalit rajonal të Durrësit rikonfirmohet Alban Ramohitaj. Ai është kryetar i këshillit bashkiak Durrës, i zgjedhur i PS. Po kështu një nga njerëzit më të zellshëm të fushatave të socialisteve. Profili i tij është po ashtu në faqen PS. al

Drejtori i spitalit rajonal të Dibrës emërohet Spartak Koltraka që ka mbajtur më parë postin e drejtorit të Llixhave. Edhe ky nga PS-ja, madje i akuzuar për blerje votash në Dibër gjatë zgjedhjeve lokale.

Drejtori i spitalit rajonal të Shkodrës, Vilson Masmalaj ka qenë kandidat për deputet në listën e PS në zgjedhjet e këtij viti.Më poshtë profili i tij në faqen e PS.

Në spitalin e Traumës në Tiranë emërohet drejtor, Arben Zenelaj kirurg vaskular. Deri tani ka mbajtur detyrën e n/drejtorit, gjithashtu me lidhje me të majtën.

Perlat Kapisyzi drejtori legjendar i spitalit të Pneumologjisë “Shefqet Ndroqi” në Sauk, bashkëshorti i dekanes së Mjekësisë Mira Rakacolli, është riemëruar në këtë detyrë. (Kjo e fundit doli përkrah Ramës. Shih videon më poshtë).

Në Fier emërohet Nevila Shuke, ish-drejtore e Shëndetit Publik, gjithashtu pjesë e strukturave të PS-së.

Në spitalin më të madh në vend, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” rikonfirmohet Enkelejd Joti. Ai njihet si ish-drejtori i Top Channel. Joti u emërua në detyrë nga Kryeministri në Maj të këtij viti dhe sërish konkursi e nxjerr atë fitues duke lënë pas emra të njohur të mjekësisë shqiptare, si Rudin Domi, Edmond Stojku, etj.

Në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” (materniteti i vjetër) emërohet Eliona Demaliaj. Ajo ka punuar deri tani në klinikë private dhe mjekët tregojnë se ajo njihet për lidhjet me të majtën në pushtet. /R.Dedaj-Opinion.al

 *Video: Rama ne korrik kur u kerkonte drejtoreve te japnin doreheqjen

*Më poshtë lista e plotë e fituesve të konkursit shpallur në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë

 

*Në foton kryesore, Enkelejd Joti, Eliona Demaliaj dhe Eduart Bejko

Share:
Reklama juaj