Home KRYESORE Dhe kur rritesh kupton se… ...

Dhe kur rritesh kupton se… Richard Bach

0

Përktheu Elona Caslli

Kur rritesh e kupton se lumturinë nuk e gjen tek gjërat e mëdha.
Nuk e gjen, as tek lufta që bën me botën kur je 20 vjeç dhe do të dalësh medoemos gladiatori fitimtar.
Nuk e gjen as tek bindja se dashuria është gjithçka.
Nuk e gjen as tek emocionet e forta që shpërthejnë si fishekzjarre.
Nuk e gjen as në majën e grataçelës, as tek sfidat e vështira.

Kur rritesh e kupton se lumturinë e gjen tek gjërat e vogla por të çmuara
dhe kupton
se aroma e kafes në mëngjes është një ritual i vogël lumturie,
se mjaftojnë tingujt e një kënge, ndjesitë e një libri me ngjyra për të ta ngrohur zemrën,
se mjafton era e kuzhinës, poezia e piktorëve të lumtur,
se mjafton turiri i maces apo i qenit tënd për ta ndjerë pakëz lumturinë.

Dhe kupton
se lumturinë e gjen tek emocionet e heshtura,
tek shpërthimet e vogla që fshehurazi ta hapin zemrën,
se mund të mallëngjehesh nga yjet dhe mund të të shndërisin sytë nga dielli.

Dhe kupton
se një fushë me luledielli mund të ta ndriçojë fytyrën,
se aroma e pranverës të zgjon nga dimri,
se të lexosh një libër, në hijen e një peme të shplodh dhe ta qetëson mendjen.

Dhe kupton
se dashuria gjendet tek ndjesitë e hijshme,
tek pranitë që i ndjen afër edhe kur ndodhen larg.

Dhe kupton
se koha tretet
se 5 minuta mund të jenë shumë më të çmuar dhe shumë më të gjatë se disa orë të mbledhura bashkë.

Dhe kupton
se mjafton t’i mbyllësh sytë, ta ndezësh shpirtin, të nxjerrësh diçka nga furra në kuzhinë, të lexosh një poezi , të mbash shënime nga një libër apo të shikosh një fotografi
për të mos ta ndjerë kohën dhe largësinë që të ndan nga njerëzit që i ke përzemër.

Dhe kupton
se të dëgjosh një zë në telefon apo të marrësh një mesazh që nuk e prisje
do të thotë të përjetosh çaste të vogla lumturie.

Dhe kupton
se të mbash në dorë një foshnje është mrekullia e mrekullive.
Dhe kupton
se dhuratat më të çmuara janë ato që të sjellin ndërmend njerëzit që do.
Dhe kupton
se ka lumturi edhe tek ai nxitimi yt për t’i shkruar mendimet në një copë letër.
Dhe kupton
se edhe tek melankolia e gjen një grimcë të hidhët lumturie.

Dhe kupton
se megjithë vetëmbrojten tënde,
megjithë dëshirën apo fatin tënd,
në zemrën e çdo pulëbardhe që fluturon gjendet
një Jonathan Livingston i vogël dhe i madhërishëm.

Dhe kupton se sa e bukur dhe e madhërishme është thjeshtësia.

 

Share:
Reklama juaj