Home KRYESORE FOTO/ Zbulohet letra! Ja si i mashtroi Rama ndërkombëtarët

FOTO/ Zbulohet letra! Ja si i mashtroi Rama ndërkombëtarët

0

Kur vizitoi Brukselin në fillim të Dhjetorit, Edi Rama ia doli të marrë mbështetje publike nga zyrtarët më të lartë të Komisionit Europian, dy prej të cilëve janë pjesë e Partisë Popullore Europiane.

Por Edi Rama nuk ia ka dalë të zbusë mosmarrëveshjet me drejtuesit e grupit të qendrës së djathtë, më i madhi në Parlamentin Europian.

Hashtag.al zbuloi letërkëmbimin mes Edi Ramës dhe kreut të grupit, Manfred Weber, pak kohë para vizitës në Bruksel, ku në qendër të vëmendjes është çështja “Tahiri” dhe mbrojtja politike që Edi Rama i dha në Parlament.

Ky letërkëmbim zbulon jo vetëm sesi Edi Rama keqinterpretoi në Kuvend qëndrimin e PPE-së për “Tahirin”, por edhe mënyrën sesi Rama përpiqet t’u imponohet të huajve me ndikim në  politikën europian dhe atë shqiptare.

Letërkëmbimi me gjermanin Manfred Weber, kreun e grupit të qendrës së djathtë në PPE,  tregon, gjithashtu, se çështja “Tahiri” dhe pavarësia e Prokurorisë janë kryesore për grupin më te madh politik në Parlamentin Europian.

Mosmarrëveshjet mes Edi Ramës dhe PPE-së dolën në pah, kur në 27 tetor, grupi parlamentar i PPE-së shprehu “përkrahjen e plotë për Lulzim Bashën, i cili dënoi presionin politik të kryeministrit mbi prokurorinë,  si dhe përdorimin e maxhorancës për mbrojtjen politike të ish ministrit Tahiri.”  Më 27 Tetor Grupi i PPE-së i bëri thirrje Ramës të ndërpresë presionin mbi prokurorinë.

Hashtag.al mësoi nga rangje të informuara diplomatike se deklarata shkaktoi irritim tek Edi Rama, i mësuar vetëm me llastimet dhe aferat e diplomatëve të tipit Vllahutin dhe Lu.

Në telefonatat që bëri në Bruksel, ai kombinoi të indinjuarin arrogant me sjelljen e përulur të viktimës nga padrejtësia. Të paktën kjo është përshtypja e bashkëbiseduesve të tij telefonikë në Bruksel, në listën e të cilëve janë Manfred Weber, Josef Daul, David McAllister e të tjerë.

Në bisedat mes tyre dhe me gazetarë njëri prej bashkebiseduesve të Ramës e cilësoi si komike tentativën e Ramës. Të njëjtat burime diplomatike i thanë Hashtag.al se edhe David Mc Allister, negociator mes tij e Bashës para zgjedhjeve, e refuzoi  fillmisht bisedën, por pastaj i foli shkurt dhe ftohtë.

Megjithatë Rama nuk u tërhoq. Ai i dërgoi një letër zyrtare Kryetarit të Grupit PPE Manfed Weber, i cili është edhe nënkryetar i CSU-së bavareze, parti motër me CDU e Angela Merkel.

Përgjigja nga Weber me letrën e 15 nëntorit nuk ishte ajo që priste Rama.

Por letra e 15 nëntorit, që ka siguruar Hashtag.al, nuk u bë publike derisa drejtuesit e PPE-së u informuan sesi Edi Rama kishte gënjyër publikisht në parlament më 16 nëntor.

“Kam marrë një letër nga presidenti i Partive Popullore, të cilin, bashkë me Partitë Popullore, e keqpërdorët, duke e dezinformuar dhe pastaj ia nxorët letrën në televizor për t’u thënë shqiptarëve se Partitë Popullore po kërkonin arrestimin e Saimir Tahirit. Në letrën e tij presidenti i Partive Popullore thotë shumë thjesht: “Ne duam drejtësi, jo gjueti shtrigash në Shqipëri”. – tha Edi Rama në parlament më 16 nëntor duke iu drejtuar Lulzim Bashës.

Hashtag.al mësoi se me marrjen dijeni të kësaj deklarate, kryesia e Grupit PPE bëri një mbledhje urgjente me arsyetimin se  “asnjëherë, deri tani, nuk na ka ndodhur që një kryeministër të na shtrembërojë  100% qendrimet tona të përcjella me një letër jopublike”.

Në fund të mbledhjes u mor vendimi i pazakontë për të publikuar letrën dërguar Ramës më 15 nentorit, të cilën e siguroi Hashtag.al.

Dy janë fjalitë kyç në këtë letër të shkruar me kortezinë standarde:

“Heqja e imunitetit të deputetit kurdoherë që ka dyshime serioze nuk do të thotë të fillosh një gjueti shtrigash, por përkundrazi do të thotë të vendosësh gjyqësorin në një pozicion ku mund të bëjë punën e tij në mënyrën e duhur dhe në mënyrë”.

“Ne gjithashtu besojmë se krimet e lidhura me drogën janë një problem i madh që mund të pengojë rrugën e vendit drejt BE dhe se përpjekje të mëtejshme duhet të bëhen në këtë luftë”.

Letra e Weber duket se ka nxjerrë zbuluar mashtrimin dhe keqpërdorimin që Edi Rama u bën shqiptarëve dhe të “shqiptarizuarve” të Tiranës. Por, mesa duket, ai ka dështuar të mashtrojë, keqpërdorë apo më keq akoma të blejë maxhorancën e Parlamentit Europian apo amabasadorin amerikan në OSBE. / Hashtag.al

Letra e Manfred Weber me logoLETRA E PLOTË E GRUPIT PARLAMENTAR TË PPE:

Grupi PPE në Parlamentin Europian

Zotit Edi Rama,

Kryeministër i Shqipërisë

Strasburg, 15 nëntor 2017

 I nderuar Kryeministër,

Dëshirojmë t’ju falënderojmë për letrën tuaj të dërguar më 30 tetor 2017 lidhur me qëndrimin e Grupit tonë për cështjen e Z. Saimir Tahiri.

Grupi i PPE në Parlamentin Evropian gjithmonë ka mbështetur forcimin e sundimit të ligjit, sigurimin e një procesi të drejtë demokratik dhe zbatimin e reformës së gjyqësorit në Republikën e Shqipërisë. Pajtohemi plotësisht me deklaratën tuaj për rëndësinë maksimale të pavarësisë së gjyqësorit, respektimin e sundimit të ligjit dhe parimin që askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Ne mirëpresim dhe mbështesim hapat dhe veprimet e ndërmarra nga ju dhe qeveria juaj në këtë drejtim. Në të njëjtën kohë ne gjithashtu besojmë fort që politikanët duhet të mbajnë përgjegjësi para ligjit dhe se asnjë ndërhyrje politike mbi sistemin gjyqësor nuk duhet të lejohet në asnjë proces demokratik. Heqja e imunitetit të deputetit kurdoherë që ka dyshime serioze nuk do të thotë të fillosh një gjueti shtrigash, por përkundrazi do të thotë të vendosësh gjyqësorin në një pozicion ku mund të bëjë punën e tij në mënyrën e duhur dhe në mënyrë të pavarur nga politika partiake.

Grupi i PPE në PE mbështet plotësisht perspektivën evropiane të Republikës së Shqipërisë dhe në këtë aspekt, zbatimin e parimit të sundimit të ligjit, pavarësisë së drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit. Ne gjithashtu besojmë se krimet e lidhura me drogën janë një problem i madh që mund të pengojë rrugën e vendit drejt BE dhe se përpjekje të mëtejshme duhet të bëhen në këtë luftë.

Sinqerisht i juaji,

Manfred Weber, deputet i PE, Kryetar i Grupit PPE

Andrey Kovatchev, deputet i PE, Zv. Kryetar i Grupit PPE në PE.

Image

 

Share:
Reklama juaj