Home KRYESORE Po fliste kundër Kosovës/ Alma Lama “përplaset” me ambasadorin serb në Itali

Po fliste kundër Kosovës/ Alma Lama “përplaset” me ambasadorin serb në Itali

Ambasadori i Serbisë në Itali Goran Aleksic, ka bërë një figurë qesharake në Universitetin La Sapienza, kur insistoi të merrte fjalën në fund të një konferencë shkencore dhe të fliste kundër Kosovës dhe prezantimeve që u bënë aty.

Pjesëmarrësit në konferencë që ishin profesorë, studentë diplomatë dhe një senator, filluan të lëshojnë sallën kur ai u drejtua me arrogancë të pranishmeve, “Cili nga ju ka qenë ndonjëherë në Kosovë”. Ambasadorja e Kosovës në Itali Alma Lama i reagoi duke i thënë që të mos ofendonte të pranishmit dhe se në sallë kishte përfaqësues të shtetit të Kosovës.

Të pranishmit filluan të dalin nga salla dhe i kërkuan të ndërpriste fjalën. Incidenti ndodhi pas prezantimit të sesionit për Kosovën, në Konferencën e organizuar nga Fondacioni La Sapienza i Romës dhe Qendra e Hulumtimeve për Eurazi (CEMAS) e Universitetit Sapienza të Romës.

Tema e konferencës ishte “Përtej Luftës: Restaurimi i trashëgimisë kulturore në Kroaci dhe Kosovë”, ndërsa tema e sesionit për Kosovën ishte Mbrojtja e trashëgimisë nga manipulimet historike, ky prezantuan punimet e tyre Dr. Florina Jerliu dhe Kerkuesi shkencor Arben Arifi.

Konferenca u zhvillua të premten, me 1 dhjetor, duke filluar në Pallatin e Rektoratit të Universitetit La Sapienza dhe u organizuar në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Institutin e Historisë “Ali Hadri” të Prishtinës, Institutin Kroat të Restaurimit dhe Ministrisë së Kulturës të Republikës së Kroacisë. Studiuesit sollën fakte të manipulimit nga ana e Serbisë si të historisë së monumenteve , ashtu edhe të përvetësimit të tyre.

Në fjalën hapëse të Konferencës, Ambasadorja Lama duke falënderuar Universitetin La Sapienza për gatishmërinë për t’i dhënë hapësirë të vërtetave shkencore rreth trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe manipulimeve të historisë, tha se Në fundshekullin e kaluar, bota e kuptoi se rrëfimet e manipuluara që kishin dëgjuar deri atëherë rreth vendit tim, Kosovës, nuk mund të shërbenin më për të mbajtur një popull nën shtypje dhe diskriminim, nuk mund të shërbenin më për të vrarë e përzënë qindra mijëra shqiptarë etnike nga trojet e tyre, nuk mund të besonin më se ishte argument për të prodhuar eksode biblike siç ishte ai i vitit 1999, nga regjimi i Millosheviqit, por që për fatin tonë tragjik, ishte përsëritur shumë herë gjatë shekullit të XX, nga të njëjtët nacionalistë.”

Ambasadorja tha se Kosova tani është një vend i hapur për të gjithë studiuesit, trashëgimia kulture çdo ditë e më shumë po pasurohet me anë të zbulimeve të reja, gërmimeve dhe gjetjeve të vendbanimeve të lashta, artifakteve me vlerë etj.

“Ne ende kemi shumë çështje të hapura që kërkojnë zgjidhje me Serbinë, edhe në lidhje me trashëgiminë kulturore, tha Lama. Serbia ka marrë mbi 1200 artefakte arkeologjike dhe etnografike nga Muzetë e Kosovës gjatë luftës, dhe nuk pranon t’i kthejë ato. Mes tyre edhe statuja mbi katër mijë vjeçare.”

Qëllimi i konferencës është senzibilizimi i komunitetit akademik dhe opinionit publik në lidhje me përkushtimin Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Kosovës, në periudhën e pasluftës, për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Ajo u udhëheq nga Profesori Emeritus Antonello Biagjini, një historian dhe studiues i rajonit./360grade.al/

Media

Share: