Home KRYESORE Vizita e Putinit në Egjipt, a po forcohet kjo aleancë strategjike? Nga...

Vizita e Putinit në Egjipt, a po forcohet kjo aleancë strategjike? Nga Diana Skrapari

Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi bisedime të hënën me homologun e tij egjiptian Abdel Fattah al-Sisi mbi konfliktin izraelito-palestinez, gjatë një vizite në Kajro të shënuar me nënshkrimin e një kontrate për të ndërtuar centralin e parë bërthamor në Egjipt . Në një deklaratë për shtypin e transmetuar në televizionin publik egjiptian, Putin bëri thirrje për rifillimin e negociatave izraelito-palestineze, veçanërisht në Jeruzalem, të cilin Uashingtoni sapo e ka njohur si kryeqyteti i Izraelit.

Presidenti rus bëri thirrje për “një rifillimin të menjëhershëm të bisedimeve izraelito-palestineze, të drejtpërdrejtë në të gjitha çështjet kontestuese, duke përfshirë edhe statusin e Jeruzalemit”.Vendimi i Presidentit të SHBA-ve Donald Trump për të njohur të mënyrë të njëanshme Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit të mërkurën ka ngritur debate në bashkësinë ndërkombëtare, veçanërisht në botën arabe ku ka pasur shumë protesta.

Që prej të mërkurës, përplasjet në territoret palestineze kanë marrë jetën e katër palestinezëve dhe ka pasur më shumë se 1,000 të plagosur. Ndërkohë, Kajro dhe Moska nënshkruan të hënën kontratën përfundimtare për ndërtimin e centralit të parë bërthamor të Egjiptit në veri të vendit. Kontrata, e nënshkruar në praninë e dy presidentëve, ratifikon marrëveshjen që të dy vendet kishin gjetur në nëntor të vitit 2015 për të ndërtuar në rajonin e Dabës katër reaktorë, secili 1,200 megavat (MW).

Kontrata përfundimtare u nënshkrua nga Ministri Egjiptian i Energjisë Elektrike, Mohamed Chaker, dhe shefi i Rosatom, gjigandi bërthamor rus, Alexey Likhachev. Projekti parashikohet të kushtojë rreth 30 miliardë dollarë (rreth 25 miliard euro), sipas shtypit egjiptian. Moska duhet të marrë pjesë në financimin nëpërmjet një kredie të dhënë autoriteteve egjiptiane. “Në realizimin e këtij projekti, Egjipti jo vetëm do të marrë një central bërthamor, por do të ketë gjithashtu qasje në teknologjitë më moderne dhe të sigurta,” tha Putin gjatë deklaratës në shtyp. Ndërtimi duhet të përfundojë në 2028-2029.

Në fillim të viteve 1980, nën Presidentin Hosni Mubarak, Egjipti e kishte menduar tashmë ndërtimin e një centrali bërthamor në Dabaa, por projekti ishte pezulluar pas katastrofës së Çernobilit në vitin 1986. Përveç kësaj, dy krerët e shtetit përmendën gjithashtu një projekt tjetër të përbashkët: krijimin në Egjipt të një “zone industriale ruse”. “Kjo do të jetë qendra më e madhe për prodhimin dhe eksportin e mallrave ruse në tregjet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës, dhe ne presim një volum total investimesh prej rreth 7 miliardë dollarë (rreth 6 miliardë euro) ” tha Putin.Së fundi, presidenti rus ngriti çështjen e një kthimi të mundshëm të turizmit rus në Egjipt.

Marrëdhëniet mes dy aleatëve ishin ndërprerë në tetor të 2015, pas rrëzimit të një Airbus të një kompanie ruse Metrojet (me 224 persona) pas ngritjes nga Egjipti (Sharm El Sheik), një sulm i pranuar nga grupi xhihadist Shteti Islamik. Rusia (kompania ruse Aeroflot) pastaj pezulloi fluturimet në Egjipt, një masë që ende zbatohet sot, gjë që ka penalizuar industrinë e turizmit egjiptian. Të hënën, Putin tha se Rusia ishte gati të “rifillonte fluturimet direkte midis Moskës dhe Kajros,” duke shtuar se shpresonte që masa do të merrej “në të ardhmen e afërt”. Putin, vizita e mëparshme e të cilit në Egjipt ishte në shkurt të vitit 2015, mbërriti në Kajro të hënën në mesditë pas një vizite të papritur në Siri. Presidenti rus po ashtu do të vizitojë Turqinë  për bisedime me homologun e tij turk Rexhep Tajip Erdogan.

Kjo vizitë e Vladimir Putinit, i cili u takua me Presidentin Abdel Fattah al-Sisi, ilustron forcimin e lidhjeve midis Rusisë dhe Egjiptit, përfituesit të dytë më të madh të ndihmës ushtarake amerikane pas Izraelit. Gushtin e kaluar, Shtetet e Bashkuara vendosën të japin 95 milionë dollarë ndihma në Egjipt dhe të shtynin pagesën prej 195 milionë dollarë më shumë për shkak të mungesës së përparimit të bërë nga qeveria e Presidentit Sissi në drejtim të respektimit të drejtat e njeriut dhe standardeve demokratike. Uashingtoni vendosi ndër të tjera të anullonte 65.7 milionë dollarë ndihma ushtarake dhe 30 milionë dollarë ndihma civile. Në fund të nëntorit, Moska zbuloi ekzistencën e një projekt-marrëveshje me Egjiptin që do të lejonte grumbullimin e bazave ushtarake të dy vendeve.

Në mars, Reuters raportoi se ushtria ruse kishte vendosur forca speciale në bazën ajrore Sidi Barrani në Egjiptin perëndimor pranë kufirit libian. Rusia e ka mohuar këtë informacion. Sipas kreut të Forcave të Armatosura të SHBA-së në Afrikë, Moska synon të mbështesë gjeneralin rebel libian, Khalifa Haftar./Perqasje.com

 

Share: