Home KRYESORE “NILkon – një udhëtim për t’u kthyer pas njëfarë kohe a për...

“NILkon – një udhëtim për t’u kthyer pas njëfarë kohe a për të mos u kthyer më’’

0

Nga ALBANA HODAJ

Të lexosh “NILkon” është njëlloj si të nisesh në një udhëtim të çuditshëm, të vështirë e plot ngjyra. Hipur në anijen e aventurës deteve e lumenjve të kohës, ti sheh lundërtarin artist që rreket të zbulojë ngjyrat e botës, herë si pirat e herë si trashëgimtar mbretërish e dinastish.

Në fakt, në fund të udhëtimit në “NILkon”, ti bindesh që brenda 345 faqeve të librit, ke patur fatin dhe mundësinë të takosh e njohësh njeriun soditës, artistin nga Vlora që ia del…ia del të lundrojë nëpër lumenjtë e kulturave e qytetërimeve të botës, si një kalorës i paepur i dritës dhe shpresës. Dhe libri bëhet i kujtdo që provon dhe guxon t’ia dalë, si shkrimtari Fate Velaj.

Në letërsinë e sotme postmoderne ky roman qëndron denjësisht me plotësinë e tij artistike, me stilin elegant të përshkrimeve e humorit fin, me rrjedhën kompozicionale të vetërrëfimit nën tingujt e Danubit e Nilit si dhe me fuqinë frymëzuese të një misionari që shemb mure e ndasi mes kulturave të ndryshme, duke ndërtuar urat e njohjes e dialogut mes popujve e qytetërimeve. Më shumë se një roman i mirëfilltë artistik, kjo vepër është sa autobiografike, aq dhe filozofike e historike, me personazhe e ngjarje reale, jo vetëm si ngjarja tronditëse e 11 Shtatorit që mbajti nën ethe botën, por dhe njerëz realë, personalitete si dr.Omran, dr. Gobara, dr. Brix, e shumë të tjerë, pjesë e një historie të re globale, ku arti gjen shtigje të reja për të ndricuar zemrat e njerëzve përmes njohjes.

Brenda kësaj vepre shtrihet qartë filozofia e jetës njerëzore, e rrugës për diku,…’’ për t’u kthyer pas njëfarë kohe a për të mos u kthyer më..’’ Rruga dhe njerëzit..,secili në rrugën e tij, ku artisti Fate gjen një dritare për të vizatuar rrugëtimin e kalimtarëve, rrugëtimin e vetvetes, sepse dhe ai është një rrugëtar që shkon për diku, në botën që ai ndërton me ngjyra e melodi…Pikërisht ndërtimi i Kalorësit Fate, mes elitave të diplomacisë evropiane si Qytetar Nderi i saj, është filozofia e rrugës ku ecet…, pa u dorëzuar, nëse qëllimi nuk është arti, por nëse arti bëhet qëllimi për t’ia dalë, me fuqinë e talentit krijues, duke shpërfillur steriotipet e krijimit të miteve e duke i ngritur kult një miti të ri që lind nga Zoti e rilind nga fuqia e zemrës dhe pasionit të artistit, për të pikturuar dritën mes njerëzve, ngjyrat e botës dhe rrjedhën e paqtë të kulturave…

Koha në roman rrjedh çuditshëm.Artisti Fate s’ka kohë për të humbur.Kohën e punon si plastelinë. Të shkuarën e bën të tashme dhe e vizaton me portretin e nënës, kurse të ardhmen, edhe pse jo të pranishme fizikisht, e sjell sërish në të tashme, i bindur se do të vijë ashtu siç e ndien artisti.

Arti i tij është e ardhmja, kurse nëna e shkuara, pa të cilën askund nuk shkon dot i vetëm i madhi, i vogli Fate…, teksa hap ekspozita “Mes Danubit e Nilit”, me “Kujtime nga e ardhmja”, i bindur që “Arti përmirëson kohën”.

Artisti Fate sjell në rreshtat e romanit shkëlqimin perandorak të Danubit e rrjedhën krenare të Nilit, Vjenën, qytetet evropiane, Egjiptin, Ballkanin…, ku për cdo krahasim gjen një lidhje me Shqipërinë, Tiranën, Krujën, Bulqizën, Këlcyrën.., Vlorën buzë Jonit, ku ka një pjesë të shtrenjtë të shpirtit të tij, babanë, kujtimet, fëmijërinë, të njohurit e të panjohurit dhe ku pikërisht faktohet pse e ardhmja është e tashmja e tij në roman. Vlora, Itaka ku do të kthehet një ditë…artisti Fate si kalorës i zbardhur.., që ka nevojë të rrëfehet në gjuhën e të parëve të tij…

Figura më e ngrohtë, përtej diplomatëve që i hapin dyert ideve dhe krijuesit Fate, është Nëna.Në një botë ku artisti rend të krijojë vetveten, ajo është aty, e kudondodhur, me filxhanin e kafesë në dorë, me kujdesin e saj të përhershëm, duke mos ia nxjerrë frikën të ecë i vetëm…

Fates i lexohet në çdo rresht të librit kjo frikë.Ai nuk bën dot pa nënën, perëndeshën e tij, më të bukur për të, se në legjendat mitike, Afërdita e tij flet shqip, flet gjithë gjuhët e botës, kupton dhe ndjen gjithcka ndjen e do artisti Fate, biri i saj. Sepse njeh dhe flet gjuhën e nënës, nga ku nis pasioni i Fates për të ndërtuar ura…

Tani do pres të lexoj librin e radhës, si do të jetë Fatja pa çajin e nënës Afërditë. Sa i ngrohtë do të vijë, pa praninë fizike të njeriut që rrëfen bashkë me të nëpër radhët e këtij libri. E kur shkrimtari Fate të rivijë i tillë, atëherë ai është vërtetë një artist i madh që mungesa e ka rritur, pa ia zbehur dritën…

Po kush është autori Fate në roman? Emigranti Fate që u bë Kalorës i Kryqit të Artë, pjatalarësi që u bë Qytetar Nderi në Vjenë. Artisti që vjen përmes dramës së çdo emigranti, ditën bën lloj-lloj punësh për të mbijetuar e natën, në atë pak kohë të lirë, thur ëndrra duke pikturuar botën, sepse shpirti i artistit flet edhe kur vuan…

E shoh gjithkund artistin Fate në libër, si një misionar me një qiri ndezur në dorë, duke ndriçuar mes njerëzve të huaj pikërisht atë që ata i bashkon. Dhe s’di cili Fate ia kalon tjetrit.Piktori? Shkrimtari? Fotografi? Diplomati? Por i shoh bashkë tek krijojnë natyrshëm misionarin që ngre ura mbi vargmalet e botës.

Ky të jetë vallë, Fatja që s’kemi njohur?!

Të shkruash për “NILkon”, duhet ta lexosh me laps në dorë, të mos të të shpëtojë asnjë gërmë e shpirtit të artistit, që nuk humb rrugëve të botës, por përkundrazi, në telajon e tij lë pa frymë elitat e ‘’Fshatit global’’, që përpiqen të shuajnë kufijtë përmes gjuhës universale të Artit, të atij arti që ka përmirësuar jo vetëm kohën e popujt, por ka krijuar dhe vetë artistin autor.

“NILkon” nuk është një libër me arkitektë, por një vepër për arkitektët, për të kuptuar sesi ndërtohet ky afrim i jashtëzakonshëm mes popujve e kulturave, sesi arti bashkon të pamundurën, me konstrukt idesh, ngjyrash e imazhesh, një energji kaq shumë e dobishme për botën moderne dhe arkitektët e saj…

Në një vepër të tillë mendimi rrjedh natyrshëm, me fjali të shkurtra, figuracion të gjallë e mjaft origjinal. Frazeologjizmat e shpeshta, madje neologjizma tipikë në përshkrimin e vendeve apo gjendjeve të personazheve të ndryshëm, janë veçanti të stilit të tij krijues. Nuk jemi në një rrëfim të mirëfilltë autobiografik, por dhe jemi. Nuk jemi në një trill rrëfimtar, por dhe jemi në botën e magjishme të krijuesit artist. Brenda vetes së tij, është ngjarja, trilli dhe e pavërteta. Aty ndodh gjithçka. Aty bashkohen dhuntitë dhe formojnë një ngjizje të tillë artistike duke i vënë emrin e vetë Fates. Stil i ri të shkruari, nisur nga teknika e rrëfimit në vetën e parë, me gjithë elementët e një vepre letrare, jemi plotësisht brenda romanit. Po të vërtetat autobiografike e kanë të pamundur ta klasifikojnë si vepër krejtësisht të tillë, sepse qëllimi i brendisë ideoartistike, nuk është vetvetja, por të tjerët, njerëzit, lexuesit, shoqëritë. Ky lloj stili, me qëllim kthimin e brendisë në fuqi transformuese për botën dhe njerëzit, të shtyn natyrshëm në idenë se ”NILkon”, na sjell përpara një letërsie të re, që realizohet përmes mjeteve jo vetëm të stilistikës së saj, por dhe të një mori prirjesh të arteve të tjera, që krijojnë figurën e shkimtarit artist jo thjesht si Fate, por si drejtim i ri futurist, i krijuesit që vjen nga e ardhmja, përmes artit të tij përbashkues “NILkon”.

Një artist që lidh Danubin me Nilin, në një titull mister “NILkon”, që nuk rrëfen histori kalorësish me kryqe e dekorata lavdish, por rrëfen bukur me ngjyrat e së vërtetës, penelit të fjalës, pikëbashkime popujsh e rrugë të përbashkëta, vjen si një zhvillim i ri kulturor tronditës për klishetë, konkurrues e shpresëplotë për të tjera vepra dhe të tjerë autorë të këtij stili. Cfarë fshihet në titullin “NILkon”? Lexojeni e do ta gjeni…

Share:
Reklama juaj