Home KRYESORE Edhe ti Brut…? Nga Dr. Enriko Ceko

Edhe ti Brut…? Nga Dr. Enriko Ceko

Vendet, sipas llojit të regjimit, klasifikohen në katër kategori. Diktatura, regjime hibride, demokraci jo të plota dhe demokraci të plota.

Regjimet autoritare (diktaturat) janë vende ku pluralizmi politik është zhdukur ose është jashtëzakonisht i kufizuar. Këto vende shpesh janë diktatura absolute ku mund të ketë disa institucione konvencionale të demokracisë por me rëndësi të vogël, ku shkeljet dhe abuzimet e lirive civile janë të zakonshme, zgjedhjet (nëse ndodhin) nuk janë të drejta dhe nuk janë të lira, mediat shpesh janë në pronësi shtetërore ose kontrollohen nga grupet e lidhura me regjimin në pushtet, gjyqësori nuk është i pavarur dhe prania e censurës është e dukshme, së bashku me shtypjen e hapur të kritikës ndaj qeverisjes.

Regjimet hibride janë vende ku ekzistojnë parregullsi në zgjedhje duke i penguar rregullisht ato që të jenë të drejta dhe të lira. Këto vende zakonisht kanë qeveri që ushtrojnë presion mbi kundërshtarët politikë, pushtet gjyqësor jo të pavarur dhe kanë nivel të lartë korrupsioni, presion të hapur ndaj medias, sundim anemik të ligjit dhe gabime të theksuara juridike dhe në sferat e kulturës politike, që është e të pazhvilluar, kombinuar me nivel të ulët të pjesëmarrjes së qytetarëve në politikë dhe në çështjet e funksionimit të qeverisjes.

Demokracitë me të meta janë ato vende ku zgjedhjet janë të drejta dhe të lira dhe liritë themelore civile nderohet, por mund të kenë çështje të ndryshme që tregojnë se demokracia ka probleme (p.sh. shkelje të lirisë së medias). Sidoqoftë, këto vende kanë gabime të rëndësishme në aspekte të tjera demokratike, duke përfshirë kulturën politike të pazhvilluar, nivelet e ulëta të pjesëmarrjes në politikë dhe çështjet e funksionimit jo të plotë dhe jo të mirë të qeverisjes.

Demokracitë e plota janë vende ku liritë qytetare dhe liritë themelore politike jo vetëm që respektohen, por gjithashtu përforcohen edhe nga një kulturë politike e favorshme për lulëzimin e parimeve demokratike. Këto kombe kanë një sistem të vlefshëm kontrolli dhe balancimi pushtetesh të pavarura, vendimet e të cilëve zbatohen. Qeveritë në këto vende funksionojnë në mënyrë adekuate dhe media është e lirë dhe e pavarur. Në këto vende ka vetëm disa probleme të kufizuara të funksionimit të demokracisë, por gjithëshka është në përmirësim të vazhdueshëm.

Shqipëria renditet midis vendeve me regjim hibrid. Regjimet hibride janë krijuar kryesisht në shumicën e vendeve në zhvillim, veçanërisht që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Ata quhen hibride sepse ato kombinojnë tipare demokratike (p.sh., zgjedhje të shpeshta dhe të drejtpërdrejta) me ato autokratike (p.sh. represioni politik), por në rastin e Shqipërisë theksoj se regjimi hibrid është më afër diktaturës se sa afër demokracisë me të meta dhe padyshim shumë larg demokracisë së plotë.

Personalisht, me shumë shqetësim vërej se në Shqipëri ka një rënie të dukshme të pjesëmarrjes cilësore të qytetarëve në procesin politik (1), ka dobësi në funksonimin e qeverisjes (2), ka rënie të besimit te institucionet (3), rënie e besimit te subjektet politike (4), rritje të influencës së subjekteve që nuk janë të zgjedhura (5), rritje e distancës midis elitës politike, ekspertëve dhe qytetarëve (6), përkeqësim i lirisë së medias (7), erozion i lirive civile (8), përkeqësim i lirisë së fjalës (9), etj.

Gjithashtu, në regjimet hibride, për shkak të lakmisë të tejskajshme të pushtetarëve vërehet: shkatërrim i institucioneve, mosrespektim i ligjit, përkeqësim i gjendjes së cilësisë, sigurisë dhe garancisë ushqimore, risk i lartë për jetën e qytetarëve, përkeqësim i vlerave në fushat e artit, kulturës, trashëgimisë, etj.
Në rastin e Shqipërisë, në fushën e artit dhe kulturës është luajtur dhe po luhet një tragjedi e madhe me disa akte, ku akti i parë ka qenë shkatërrimi i muzikës, kryesisht këngës shqiptare, akti i dytë ka qenë shkatërrimi i urbanistikës dhe arkitekturës si arte dhe akti i tretë, por jo i fundit, është strategjia për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar.

Shkatërrimi i Teatrit Kombëtar është si një medalje që njërën anë ka atë materiale, që ka të bëjë me fitimin kolosal që parashikohet të përftohet nga ndërtimi i një kompleksi kullash në qendër të kryeqytetit, fitim që, nëse ndërtohen këto kulla, shkon në xhepat e disa personave në sektorin privat, kur trualli ku kërkohet të ndërtohen këto kulla është pronë publike dhe ndërtesë që klasifikohet si pjesë e trashëgimisë kulturore dhe ana tjetër e saj, që është mënyra se si funksionon subkoshienca e atyre që kanë qeverisur dhe qeverisin.

Në subkoshiencën e tyre, të tërë diktatorët, në çdo vend të botës, sa herë që shikojnë ndërtesën e teatrit u kujtohet Cezari dhe Bruti, Akti III, Skena I e perlës së penës së Shekspirit, Vepra “Jul Cezari”, kur pasi plagoset nga shpata e Brutit, bashkëpunëtorit të tij më të afërt dhe mbrojtësit të tij, Perandori Cezar thotë: “Edhe ti Brut?”.

Kjo është thënie shumë e hershme. Ka qenë 15 Mars, viti 44 para Krishtit kur një grup senatorësh, të ndihmuar nga Bruti, ndihmësi dhe mbrojtësi i Perandorit Jul Cezari, komplotuan dhe e vranë Cezarin, për shkak të lakmisë së pakufishme që kishin për prona, para, përfitime të tjera personale dhe luks të shfrenuar.

Që nga ajo kohë e deri në ditët tona nuk është se ka shumë ndryshime në sjelljen e qeveritarëve. Të tërë ata mundohen tërë jetën nga një pyetje. Si do vdesin? Si heronj apo si tradhëtarë. Kjo sepse gjatë jetës qeveritarëve të lartë nuk u mungon asgjë prej gjëje. E vemja gjë që i mundon është vdekja.

Konkretisht, nga viti 1944 deri në vitin 1985 në krye të Shqipërisë ka qenë një person me prirje të dukshme diktatoriale, që kishte arritur të kuptonte katër gjëra. E para, që ai ishte një Brut. E dyta, që ishte i rrethuar ngë shumë Brutë. E treta, që ai kishte shpatën më të madhe ndër të tërë Brutët. Dhe e katërta, që është edhe më e rëndësishmja, ai kishte arritur të kuptonte se shumica e popullsisë së këtij vendi të varfër e shikonte atë si perëndi, si perandor, si hero, si një Cezar, që me shpatën e tij shkatërronte Brutët, heroi që vendoste fatin e kombit, pa u ndalur përballë Brutëve të shumtë. Në këto kushte diktatori nuk kishte asnjë arsye të prishte Teatrin Kombëtar, përkundrazi, ai ndërtoi me dhjetra teatro nëpër qytete të ndryshme të vendit, sepse e dinte fare mirë se në populli do i thurreshin lavde si Cezar. Ai nuk e kishte frikë ndërtesën e teatrit, por kishte frikë artistët, sepse artistët ishin ata që me fjalën e tyre kishin mundësinë që të përcillnin te njerëzit mesazhin se vendi ishte nën diktaturë. Të tjerët ai i kishte nën kontroll. E vetmja gjë që ai nuk kishte nën kontroll të plotë ishte masa e artistëve. Kjo është edhe arsyeja që diktatori herë pas here u sulej artistëve me ndëshkime shembullore që shkonin deri në marrjen e jetës, dhe kjo sepse artistët ishin pothuajse të vetmit që mund të bënin që me artin e tyre qytetarët të kuptonin se ai nuk ishte aspak hero, por thjesht dhe vetëm një tradhëtar.

Edhe diktatorët e tjerë që kanë diktatoruar në Shqipëri që nga viti 1991 dhe në vazhdim, kanë arritur që të kuptojnë katër gjëra. E para, që janë Brutë. E dyta, që janë të rrethuar nga shumë Brutë. E treta, që diktatori dhe Brutët që e rrethojnë e kanë thikën pak a shumë të njëjtë. E katërta, që qytetarët e dinë fare mirë se ai është Brut dhe se Brutë janë edhe të tjerët. Nën këto kushte, në mënyrë që të duken si Cezarë, ata nuk sulmojnë Brutët, sepse lehtësisht do të etiketoheshin Brutë. Edhe Brutët e tjerë, me përjashtime shumë të rralla, nuk e sulmojnë Brutin diktator, sepse edhe këta qytetaria do i etiketonte si Brutë. Pra, të gjithë këta, duke mos dashur që të vdesin si tradhëtarë, luajnë sumë keq rolin e heroit.

Në këto kushte, kur Bruti kryesor është i dyzuar të nxjerrë thikën nga milli për të therur Brutin që ka pranë, duke rrezikuar të etiketohet Brut, apo të mos e nxjerrë thikën nga milli, duke rrezikuar që Bruti tjetër të bëjë këtë akt, për të shmangur këtë gjendje psiqike shkatërruese, dërrmuese, rrënuese, turpëruese, denigruese, imorale, të pashmangshme në mendjen e tij mjerane, pispillosur me ngjyra ylberi, vendos të shkatërrojë vendin nga ku e ka origjinën thënia “Edhe ti Brut”. Po! Po! Po! Shkatërrimin e Teatrit Kombëtar, vendit nga ku e ka zanafillën etiketimi “tradhëtar”. Dhe kjo sepse diktatori, kur të kalojë përreth rrugëve të zonës së Teatrit Kombëtar, rrethuar nga shpura perandorake paranojake, nuk do që në veshë ti buçojë thënia “Edhe ti Brut”, sepse ai do që të vdesë si hero.

Kjo gjendje e pashmangshme subkoshience e mbushur me cmirë, pangopësi, frikë, malinjizëm dhe delirium tremens, është një ndër shkaqet kryesore për urdhërat dhe masat që janë marrë për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar. Sheshe për ndërtim kullash ka sa të duash nëpër kryeqytet, por sheshe ku ka ndërtesa të kujtesës kombëtare, ku ka objekte që e bëjnë diktatorin të duket i dobët, pa vlerë, pa mbështetje, i vetmuar, i paaftë, nën presionin e thikave të Brutëve të tjerë ka pak, ose fare pak, sepse i kanë shkatërruar tashmë edhe ato që kanë qenë. Teatri Kombëtar ka mundur të shpëtojë falë artistëve, falë qytetarisë dhe mbështetjes së intelektualëve.

Deri kur do të vazhdojë kjo gjendje kur çdo mbrëmje mjaft artistë dhe qytetarë të shumtë dalin pranë ndërtesës së Teatrit Kombëtar në mbrojtje të pronës publike dhe trashëgimisë tonë kulturore dhe historike dhe diktatori i dyzuar mban dorën te doreza e thikës në mëdyshje, të vdesë pa bërë histori apo të vdesë si Brut?

Varet se kush do fitojë, Teatri Kombëtar, artistët e qytetarët apo diktatori.

Share: