Home KRYESORE Mbresa pas leximit të romanit “Qyteti në Jug” i shkrimtarit Ardi Stefa

Mbresa pas leximit të romanit “Qyteti në Jug” i shkrimtarit Ardi Stefa

Nga Artemisa Bushi

A kanë kujtesë qytetet? Apo kanë vetëm njerëzit? Apo qytetet, ashtu të heshtur e të zhurmshëm, u ngjallin kujtimet njerëzve për të qenë dëshmitarët e jetës së tyre?…
Sapo lexon fjalinë hyrëse të romanit, të nguliten në mendje fjalët: qytet – njerëz – kujtesë. Duket si një tercinë mistike, që përbën gjithë boshtin e romanit.

Hyrja, një sintezë mjeshtërisht e realizuar nga autori, aspak e rastësishme, se në maj 1969, tetë muaj e dy javë pas kësaj dite, katërmbëdhjetë vjet më vonë, njëzet e gjashtë vjet më pas dhe se tridhjetë e gjashtë vjet pas atij maji gjëra të çuditshme kishin ndodhur në Qytet, krijojnë te lexuesi një kureshti të ethshme për të kuptuar se çfarë mund të ketë ndodhur vallë?

Parakalojnë para syve të lexuesit personazhe të shumta, që tregojnë se jeta në këtë qytet ka qenë më se e zakonshme për vetë banorët e tij, edhe pse me ngjarje të pazakonshme për lexuesin e kohës së sotme. Autori ka dëgjuar të flitet për ta ose i ka vëzhguar dhe gjithçka i është ngulitur në kujtesë, me të vetmin qëllim: që të na i rrëfejë. Mund të jenë edhe personazhe të sajuara, por gjithçka ata rrëfejnë mbart të vërteta. Trilli romanesk vjen vetëm si një zgjedhje e autorit, për t’i lejuar personazhet e tij të tregojnë edhe të pathënat.

Ata thithin të njëjtin ajër, përshkojnë të njëjtat sheshe dhe të njëjtat rrugë, përziejnë vazhdimisht tensionin dhe gëzimin për të jetuar në një mjedis kaq ngacmues, por janë kaq të ndryshëm. Një përzierje trillimi me të vërtetën, i vrazhdësisë me dhembshurinë, i kujtesës me “përroi e ndërgjegjes”, një rrëfim mahnitës, sa i thjeshtë në dukje për t’u lexuar, aq gjurmëlënës për t’u perceptuar.

Tërë ato histori të treguara, tërë ato jetë, ngjarje, mrekulli, vende, rrëmuja, të gjitha të ndërthurura, një shtresim i së pamundurës dhe i së përditshmes së një Qyteti.

Nuk mungojnë në roman edhe elementet autobiografikë, edhe pse ato janë të tërthorta dhe të fshehura. Jo rastësisht, mes ndodhive, autori bashkon të gjitha grimcat e mendimit, kujtimet ndjekin njëra-tjetrën me një rregullsi të menduar deri në detaje,që reagojnë ndaj ngacmimeve të jashtme (asaj që ndodh) dhe ngacmimeve të brendshme (atë që ndien) dhe ne lexojmë (më saktë, dëgjojmë) monologun e tij të brendshëm.

Janë histori të tëra brenda një historie…
Rrëfimi i ngjarjeve të vërteta, të cilat kanë lënë vraga në kujtesën e një shoqërie, edhe pse na vijnë herë me një satirë të hollë, herë-herë në kuptimin metaforik, na tregojnë se një qytet fsheh në vetvete të pathëna. Fsheh të vërteta, që një brez i caktuar, në një kohë të caktuar, i ka parë, i ka jetuar. Madje dikush ende ndien nën lëkurë vragat që ajo kohë ka lënë tek ai….

Janë copëza historike, që e kthejnë shiritin e kujtesës në një kohë të afërt për brezin që i pa, i dëgjoi, i ndjeu; në atë kohë kur tragjeditë dhe dhimbja e një individi a shoqërie kishte të tjera përmasa. Por, ndoshta, në një kohë tashmë të largët për brezin e sotëm, një kohë që vetëm fjala e shkruar mund t’ia rrëfejë bëmat.

“Qyteti në jug” është një roman tërë trishtim, humor dhe humanizëm, për të na kujtuar se deri në ç’pikë E KALUARA është e domosdoshme për KUJTESËN.

“Njëzet vjet më vonë nga dita kur hodha rreshtat e parë në letër, u ktheva në Qytet dhe shëtita në vendet që i kujtoja të fshira nga koha dhe nga kujtesa. Nuk e njoha dot. As rrugët e sheshet. Nuk ishte më i njëjti Qytet. Nuk takova askënd nga të njohurit e mi. Edhe ata që takova nuk më mbanin mend. Ndërsa unë… I kujtoja të gjithë ashtu siç ishin, i kujtoja të gjitha ashtu siç kishin ndodhur, apo ashtu si mendoja unë se ishin apo kishin ndodhur. Qyteti ishte ende atje, i humbur në mjegull”, shprehet Stefa.

Është Qyteti i tij, që ai ka vendosur ta skalitë me germa e fjalë dhe ia ka dalë më së miri.

Ata që e jetuan atë kohë, e dinë që kjo është E VËRTETË.

Ata që do ta lexojnë do të mësojmë gjëra që deri tani i kishin të panjohura – madje do të mësojnë pak më shumë se kaq – si një “shtojcë të shpirtit”: të njohin vetveten. Sepse fasadat e qyteteve ndryshojnë, por njerëzit në thelb mbeten po ata.

Një roman i magjishëm. Plot art dhe forcë, mendjemprehtë dhe tronditës.

I them autorit (si njëra nga lexueset e para të librit të tij): Qyteti ku ti jeton, është kaq befasues, mbresëlënës dhe i ëndërrt për vizitorët kalimtarë (dhe për mua).

Në këtë roman ti e ke marrë në duar si një foshnjë dhe ke treguar e rrëfyer për çdo detaj të trupit të tij, mjeshtërisht, plot fantazi, dashamirësi, frymëzim, trishtim, krenari, humanizëm, dhembshuri, herë-herë dhe me nota ironie.

Për më tepër, që unë (e lexuesit e shumtë që do të ketë) ta njihja akoma më shumë Qytetin tënd s’e pata të vështirë. Sepse ti, pasi e njëjtësove atë me veten, rrëfeve gjithçka, shumëçka për Të. Ju ngjani shumë. Sepse pavarësisht asaj që shfaqni dhe asaj që duket, brenda jush ka të fshehta, të vërteta të hidhura, çudi përtej së çuditshmes.

Lexova në romanin “Qyteti në Jug” për qetësinë, trazimin dhe thellësinë e një Qyteti, por mbi të gjitha lexova oqeanin e fjalës dhe të mendimit tënd.
Urime dhe shumë suksese!

Botime të tjera:
“Rekuiem për një ëndërr”
“Refleksionet e heshtjes”

Përgatiti: Artemisa Bushi

Share: