Home KRYESORE Celula terroriste në Shqipëri, kush ishin anëtarët e saj/ DETAJE

Celula terroriste në Shqipëri, kush ishin anëtarët e saj/ DETAJE

Në një deklaratë për mediat mesditën e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu bëri të ditur se është zbuluar një organizatë klandestine terroriste.

“Një rrjet terrorist, i drejtuar nga regjimi iranian është zbuluar në Shqipëri. Synimi i këtij rrjeti ishte kryerja e sulmeve ndaj lëvizjes opozitare iraniane (MEK)”, tha Veliu.

Por kush ishte pjesë e këtij grupi kriminal?

-Celula terroriste drejtohet nga operativi i Forcave QUDS, i njohur si PEYMAN. PEYMAN është rezident i përhershëm në Iran dhe menaxhon në distancë një numër operativësh në Shqipëri dhe në vende të tjera në Evropën Qendrore dhe Perëndimore. Mes të tjerash, ai inicioi dhe zbatoi tentativën e fundit për sulm në muajin mars 2018. PEYMAN menaxhon shumë operativë, disa për grumbullim informacioni dhe të tjerë për të kryer sulme terroriste.

Alireza Naghashzadeh, një iranian i cili është vetë një ish-anëtar i MEK-ut dhe zotëron një pasaportë austriake. Naghashzadeh u dërgua nga PEYMAN-i për të grumbulluar informacion në Shqipëri gjatë disa vizitave të veçuara, si pjesë e planeve për një sulm që eventualisht u ndalua.

Abdolkhalegh Malekzadeh, një iranian që jeton në Turqi dhe që ka drejtuar celulën operacionale. Malekzadeh (i njohur gjithashtu nga lidhjet kriminale me pseudonimin “Ferhat”) ka vazhduar të punojë gjatë dy viteve të fundit me Abdulselam Turgut, një figurë e njohur e krimit të organizuar turk, për të planifikuar sulme terroriste me urdhër të PEYMAN-it dhe të Forcave QUDS.

Abdulselam Turgut, i njohur si një bos mafioz turk dhe kreu i një rrjeti të fuqishëm ndërkombëtar të trafikut të drogës është burgosur së fundmi në Azerbajxhan dhe në Turqi me akuza për trafik droge. Turgut ka gjithashtu lidhje të vjetra me krimin e organizuar në Shqipëri. Ai është liruar nga një burg në Turqi në fund të vitit 2018. Në vitin 2011, ai është burgosur gjithashtu në Shqipëri me akuza në lidhje me trafikimin e dyshuar të rreth 1 ton heroinë, por u arratis nga vendi duke përdorur një pasaportë false, pasi gjykata ndërroi masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Arrest shtëpie”./ Opinion.al

Share: