Home KRYESORE Papa emigranteve, Jemi te ndryshem por vellezer e duam te jetojme ne...

Papa emigranteve, Jemi te ndryshem por vellezer e duam te jetojme ne Paqe

Papa Françesku hapi, Treditëshin e Pashkëve, duke kremtuar, nga ora 17.00, Meshën in Coena Domini, me 892 emigrantë dhe refugjatë të strehuar në Qendrën Cara të Castelnuovo di Porto. Françesku shkeli përsëri në periferi të Romës, në këtë qendër, një nga më të rëndësishmet e Italisë për refugjatë, drejtuar, që nga viti 2014, nga  kooperativa shoqërore Auxilium.

Homelia e Papës, me tingëllim tejet aktual, jehoi si bisedë e ngrohtë me emigrantët. Sepse gjestet flasin më shumë e më mirë sesa fjalët e figurat. E pikërisht këtë u kujtoi Papa,  duke u ndaluar tek komenti i Fjalës së Zotit, në të cilën  binin në sy dy gjeste. I pari, gjesti i larjes së këmbëve nga ana e Jezusit. Ai, që ishte kreu, lan këmbë. Këmbët e më të vegjëlve. E gjesti i dytë, ai i Judës, që shkon e shitet tek armiqtë, tek ata, që nuk duan paqe me Jezusin. Shkon të marrë 30 asprat, për të cilat e ka shitur Mësuesin.

Me këto fjalë Papa e nisi ritin e larjes së këmbëve në kopshtin e Cara të Castelnuovo di Porto. Këtu, shtoi, jemi myslimanë, hinduistë, koptë, katolikë, ungjillorë, të gjithë vëllezër, bij të të njëjtit Zot e duam të jetojmë në paqe, të integruar. Ky, theksoi para se të gjunjëzohej para 12 prej tyre për t’u larë këmbët, është gjesti, që po përgatitem të bëj. Secili nga ne ka historinë e vet, kryqin e vet, dhimbjen e ëndrrat e veta, por edhe një zemër të hapur, plot etje për vëllazërim. E unë uroj që vetë zemra e njerëzimit të rrahë me këtë ritëm.

Uroj që njeriu të mos shitet më për 30 kacidhe, por të jetojë si vëlla ndërmjet vëllezërve.

Më pas, kujtimi i gjestit të luftës dhe shkatërrimit në një qytet të Evropës, shkaktuar nga njerëz, që nuk duan të jetojnë në paqe.

Por prapa këtij gjesti, kujtoi me dhimbje Papa, ishin njerëz të tjerë. Ashtu si pas Judës ishin ata, që i dhanë paratë, pas këtij gjesti janë fabrikantët e armëve, të cilët nuk e duan paqen, por luftën, nuk e duana vëllazërimin, por urrejtjen. Të mjerët ata, që blejnë armë kundër paqes!

Ky, denoncimi i fuqishëm, që Papa e bëri duke folur lirisht në homelinë e mbajtur para 800 e ca emigrantëve e refugjatëve të Castel Nuovo-s:

“Këtu, theksoi me forcë, të gjithë ne po bëjmë gjestin e vëllazërimit, e të gjithë ne themi: ‘Jemi të ndryshëm, por jemi edhe vëllezër e duam të jetojmë në paqe’”.

Këto fjalë Papa ua drejtoi rreth një mijë vetëve, pjesa më e madhe afrikanë myslimanë, por edhe katolikë, pentekostalë e edhe ndonjë hinduist. Shumë zemrave, por që sot u bënë një zemër e vetme, e ngarkuar me emocion të jashtëzakonshëm e të papërsëritshëm. Kështu e pritën Papën banorët e Qendrës së strehimit, ndërmjet të cilëve Françesku kremtoi Meshën in Coena Domini të së Enjtes së Madhe.

E pamë përsëri  në këtë Vit Shenjt Françeskun, pranë e pranë me më të varfërit e më të pambrojturit. Për të takuar, përmes tyre, një milion të tjerë, të shpëndarë andej e këndej, në kërkim të jetës së re. Njerëz, që e nisin ditë për ditë shtegtimin, me shpresë se do t’i zgjojnë ndërgjegjet e atyre që u kanë në dorë fatin, nga dremitja e indiferenca. Papa shkoi t’u lajë këmbët e lodhura nga udha e gjatë,  ende e pacak. Shenjë simbolike, që i kujton mbarë botës se dikush duhet ta marrë mbi vete përgjegjësinë për fatin e këtyre njerëzve, të ikur nga strehët e tyre, në kërkim të një strehe më të  mirë për vete e për të vetët. Sigurisht nuk kërkojnë strehë, si kjo ku janë tani, në pritje, që megjithatë, u shndërrua sot në një strehë të paharrueshme për jetën e tyre. Këmbët e emigrantëve do të vihen rishtas për udhë, duke u kujtuar vazhdimisht se një ditë ua lau baltën e rrugëve të gjata dora, të cilën e kanë për nder ta shtrëngojnë pikërisht ata, që duhet t’ua  pastrojnë udhët, për të arritur tek caku./VOAL

Share: