Home KRYESORE KLSH, Ambasadori Lu dhe “demi” korrupsion

KLSH, Ambasadori Lu dhe “demi” korrupsion

Nga Fatos Çoçoli

Qëlloi që pikërisht në të njëjtën ditë, institucioni publik që sot është më aktivi në skenën shqiptare për të luftuar seriozisht korrupsionin, dhe ambasadori më aktiv, kurajoz e që i thotë gjërat troç për realitetet tona,dhanë mesazhet e tyre për luftën kundër korrupsionit. Në një të përditshme të njohur, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit Bujar Leskaj artikuloi një ide që mund të jetë e efektshme, nëse merret parasysh nga qeveria jonë. Ai tha se do të ishte mirë që drejtimin e aleancës anti-korrupsion ta merrte shoqëria civile, shoqatat më serioze dhe kurajoze të saj.

Me shoqërinë civile që monitoron aktivitetet dhe nismat e qeverisë dhe institucioneve të tjera publike, kjo aleancë do të fitonte besim tek njerëzit. Ndërsa Ambasadori i SHBA-ve tek ne, Donald Lu, bashkëbisedoi nëpërmjet internetit me qytetarët e këtij vendi, se çfarë duhet bërë për ta luftuar korrupsionin, këtë kancer jo vetëm të shoqërisë sonë dhe gjasave tona për zhvillim.

Lu është diplomati i huaj që nuk ngurron t’u thotë kryetarëve të bashkive të Shqipërisë se keni makina Mercedes-Benz të zinj të shtrenjtë dhe që nuk ka pse ta keni këtë luks në mes të një populli të varfër, si dhe që paralajmëron se fondet 70 milionë euroshe në vit për Fondin e Zhvillimit Rajonal është mirë t’i kalojnë drejt për së drejti vetë bashkive, e mos të centralizohen, duke penalizuar bashkitë e djathta. Qytetarët e këtij vendi presin shumë nga kurajo dhe drejtpërdrejtësia e këtij përfaqësuesi të aleatit tonë më strategjik, SHBA-ve.

Të dhënë pas lajmeve të politikës së ditës, sforcove anti-informalitet të qeverisë dhe protestave të opozitës dhe të studentëve, duket sikur kemi harruar armikun tonë më të rrezikshëm, korrupsionin. KLSH nuk lodhet asnjëherë së na e kujtuari me njoftimet e veta për shtyp, kur pas auditimeve që kryen, dërgon përpara prokurorit të gjithë ata punonjës të Shtetit, qofshin edhe ministra, që kanë abuzuar me fondet dhe pronat e të gjithëve. Por KLSH, e vetme, është si një trup i fuqishëm,por që e ka kapur vetëm nga njëri bri “demin-korrupsion”.

Në më pak se 4 vjet 2012-2015, ka kallëzuar penalisht tre herë më shumë se sa në vitet 2008-2011. Ka denoncuar me qindra milionë euro dëm ekonomik ndaj Buxhetit të Shtetit në detyrime të papaguara nga shfrytëzimi i naftës shqiptare apo nga marrëveshje me humbje për interesat ekonomike të Shtetit tonë. Por mungon kapja e bririt tjetër.

Qeveria, edhe pse me fjalë tregohet e vullnetshme për të luftuar korrupsionin, deri tani nuk ka sjellë edhe një rast të vetëm të dënimit të njerëzve të saj të pushtetshëm, të kapur në konflikt interesi apo abuzim me detyrën. Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se problemin më të madh për të luftuar anti-kulturën e pandërshkueshmërisë, e ka kur ndërsa denoncon zyrtarë të lartë dhe kërkon largimin e tyre nga shërbimi civil, qeveria, përkundrazi, vijon t’i mbajë ata në detyrë, në mos i promovon me detyra edhe më të larta.

E si mund të luftohet kështu korrupsioni dhe abuzimi me pronën e të gjithëve? Qytetaret duhet ta dinë qartë se, nëse kjo qeveri e ka seriozisht të jetë transparente dhe të luftojë korrupsionin ndër rradhët e saj, duhet të ketë kurajon ta lërë dhe nxisë shoqërinë civile ta mbikqyrë në veprimet e saj, madje të përgatisë një raport paralel për zbatimin e Buxhetit të Shtetit pikërisht kjo shoqëri civile, sikurse propozon në shkrimin e pardjeshëm Kryetari i KLSH. Vetëm kështu mund të arrihet transparenca që duam të gjithë.

Ambasadori Lu është i hapur me qytetarët dhe kërkon mendimin e tyre si të luftohet më mirë korrupsioni. Ambasada e vendit të tij ka qenë më aktivja në mbështetjen e nismave të shoqërisë civile për të rritur transparencën e qeverisjes dhe për të kufizuar korrupsionin. Tani “topi” është në kampin qeveritar, për të zgjatur realisht dorën e për të kapur bririn e lirë të “demit korrupsion”, që të mposhtet përfundimisht e keqja më e madhe e këtij vendi.

Share: