Home KRYESORE BILANCI TRAGJIK I RENDIT NE 7 DITËT E PARA TË 2016-ËS

BILANCI TRAGJIK I RENDIT NE 7 DITËT E PARA TË 2016-ËS

Nga Alfons ÇUPAJ

Një fjalë e urtë popullore thotë së “një fillim i mbarë është gjysma e punës”. Kësaj radhe kam shumë dëshirë që populli t’a ketë pasur gabim dhe të mos besoj të kundërten e kësaj thënie se, “një fillim i keq është”…

Nëse një thënie e tille do të rezultonte e vërtetë, ç’ka përgjithësisht rezulton, bilanci i vitit 2016 do të jetë edhe më tragjik dhe më i tmerrshëm. Jemi vetëm në ditën e shtatë të vitit që sapo mbërriti dhe bilanci i atentateve e ekzekutimeve mafioze, i rrëmbimeve, i dhunimeve, i vetëvrasjeve dhe i aksidenteve është tragjik, plot 15 viktima.

Në orët e para të 2016-ës, krimi në familje tronditi Sarandën. Një grua u ekzekutua nga bashkëshorti edhe pse ajo kishte një urdhër mbrojtje si pasojë e dhunës sistematike që ai ushtronte mbi të. Pas ekzekutimit të bashkëshortes, burri ka vrarë edhe veten. Pas krimit të dyfishtë në Sarandë, 4 aksidente të njëpasnjëshme u kanë marrë jetën 4 personave dhe 3 të tjerë mbetën të plagosur.

1 janari nuk kaloi pa incidente as për fshatin Lepenicë në Vlorë, ku dy të rinj shkatërruan dyqanet e lokalet e fshatit dhe dhunuan barbarisht një 55-vjeçar.

Bilanci i ngjarjeve tragjike kulmoi në Postribë të Shkodrës, ku një 30-vjeçar ekzekutoi në pritë dy vëllezër pasi refuzuan t’i jepnin vajzën për nuse. Atentatet mafioze vazhduan edhe në datën 3, ku u ekzekutua një ish-polic në aksin Shkodër-Lezhë, ndërkohë që autorët vijojnë të jenë të lirë.

Po këtë ditë, dy persona të maskuar dhunuan me mjete të forta një çift të moshuarish në Elbasan dhe u grabisin banesën. Dita e katërt e 2016-ës nisi me një krim tipik shqiptar, një 31-vjeçar u ekzekutua në Kavajë pas konfliktit për prerjen e plepit.

Po këtë ditë, aksidenti rezultoi fatal për një person në Korçë, ndërkohë që 7 të tjerë mbetën të plagosur.

Në ditën e pestë të vitit, 150 fëmijë u rrezikuan nga një zjarr në kopshtin 45 në Tiranë, ku fatmirësisht nuk pati të lënduar. Media e kaloi shumë përciptas, megjithëse një lajm i tillë meritontë më shumë vëmendje.

Atentatet mafioze u rikthyen sërish në datë 6 janar, ku 4 “policë” morën peng një person në Durrës, i cili u gjet të nesërmen i vrarë dhe i lidhur këmbë e duar në Krujë, ndërsa në Vlorë u ekzekutua me 4 plumba një 34-vjeçar.

Viktimat nuk munguan as ditën e shtatë të 2016-ës, ku mëngjesin e së enjtes 1 person humbi jetën si pasojë e një aksidenti në Kashar. Një tjetër person humbi jetën mbrëmjen e së enjtes në një aksident tragjik në Rinas.

Sikur të mos mjaftonin viktimat nga aksidentet dhe atentatet mafioze, prej dy ditësh Shqipëria ndodhet në ”pushtetin” e ujit. Qindra banesa ndodhen nën ujë, ndërkohe që qindra familje janë evakuuar. Mijëra hektarë tokë vijonë të jenë të përmbytura, ndërsa mijëra banorë janë të izoluar si pasojë e shembjes së urave dhe rrëshqitjes së dherave në akset rrugore.

Fatmirësisht nuk është shënuar asnjë viktimë nga përmbytjet, megjithëse dëmet janë kolosale dhe uji ka shkatërruar pasurite e mijëra banorëve. Një mendje e shëndoshe nuk mundet kurrsesi të bëje fajtor policinë pse një burrë që nuk gjen dot grua vret 2 persona, apo pse një person vret një tjetër pasi plepi i prerë i demtoi tokën. Këto janë krime tipike shqiptare, megjithëse shumë ngjarje mund të parandalohen, si rasti i asaj Zonjës që kishte urdhër mbrojtjeje.

Një Shqipëri e tillë i frikëson të gjithë. Pasiguria për jetën dhe për pronën ka bërë që mijëra shqiptarë të largohen nga vendi. E si mund të ketë shpresë aty ku shpresën e vrasin çdo ditë?

Politika na ka braktisur, ndaj sa të mundni jini tolerantë, ndihmojini njerëzit, shmangni dhunën dhe para se të veproni ndërkohë që jeni i nxehur numëroni deri në 100. Mbillni pemë, mos i prisni pyjet, pastroni kanalet dhe mbeturinat hidhini në vendin e caktuar, pasi shteti nuk ka ndërmend t’a bëje.

Nëse e kryejmë si duhen misionin tonë, shumë gjëra mund të shmangën.

Share: