Home KRYESORE Si mundet dikush të bëhet i dëmshëm duke heshtur?

Si mundet dikush të bëhet i dëmshëm duke heshtur?

Nga Ilir Hysa

Pavarësisht nëse e pranojmë apo jo, janë veprimet tona të papërgjegjshme (ose heshtja jonë) burimi i të gjitha të zezave.

Dikush do të pyeste: si mundet dikush të bëhet i dëmshëm duke heshtur? E thjeshtë. Heshtja e atyre që dijnë dy gjëra rreth shoqërive normale ia ka lënë vendin angazhimit në jetën POLITIKE dhe SOCIO-EKONOMIKE të disa individëve të cilët, përveç dëmit që bëjnë me babëzinë e tyre, sajojnë edhe poshtërsi dhe mbjellin vetëm mjerim me injorancën dhe arrogancën e tyre. Rezultati? Për faqe të zezë. Shoqëri në krizë. Shoqëri që humbin rrugën. Kështu nuk ka njeri, qoftë ky edhe supernjeri, që ndan dot hamendësimet nga faktet, duke krijuar një realitet të frikshëm.

Shembulli më i mirë është Kosova. Si ka mundësi që polarizimi i një shoqërie mund të bëhet aq i frikshëm sa ai që konstatohet sot në Kosovë? Për shembull, nga njëra anë, disa dëgjohen të çirren se Hashim Thaçi duhet dhe do të jetë presidenti i ardhshëm i Kosovës.

Nga ana tjetër, të pakënaqurit me qeverisjen (në Kosovë të tillë ka shumë) po mbushin mjetet tradicionale të komunikimit dhe rrjetet sociale me thirrje për arrestimin e Hashim Thaçit. A është Hashim Thaçi burrë i mirë apo kriminel? Do të ishte mirë që, ndryshe nga ç’jemi mësuar ti bëjmë punët ne, përgjigjen e kësaj pyetjeje ta jepnin institucionet, jo vetëgjyqësia dhe thashethemnaja që tashmë prej kohësh janë normaliteti i ri i Kosovës.

Zgjidhja? Në mënyrë që institucionet të futen në shina, ata që heshtin, ndonëse të lodhur, duhet të zgjohen. Përndryshe, ata humbin të drejtën të ankohen për realitetin e përçudnuar që shpaloset gjithmonë e më i frikshëm para syve të tyre. Mjerisht, Kosova është vetëm një rast. Vetëm pak më në jug gjen shqiptarë të tjerë, si në Shqipëri ashtu edhe në Iliridë, të zënë në të njejtën grackë…

Share: