Home KRYESORE Në festa, e fshihin të vdekurin…!

Në festa, e fshihin të vdekurin…!

Nga Kimete Berisha

Shqiptarët e kanë pasur zanat, që kur e kanë nisur dasmën, e ndërkohë ka vdekur dikush i familjes në shtëpi, e kanë mbajtur fshehtë të vdekurin dhe vdekjen në dhomën tjetër, derisa është kryer dasma, dhe derisa e kanë marrë nusen e kanë sjell në shtëpi.

Kaq biofilë kanë qenë shqiptarët, sa që gjithmonë i kanë dhënë përparësi Jetës dhe gëzimit.

Atyre dy tre anëtarëve të familjes të cilët e kanë ditur që ndërkohë po vazhdonte dasma e madhe (që përpara ka zgjatur s’disa ditë), nuk ua ka hetuar kush çehren, përkundrazi ata i kanë prirë valles.

Askush s’ka qenë aq ogurzi dhe aq ‘dashamir i vdekjes’ që t’ua prish gëzimin dasmorëve.

Prandaj, pasi është kryer dasma, dhe ka mbërritur nusja në shtëpi, të njejtit krushqi e kanë varrosur pastaj familjarin e vdekur në dasmë.

Ndoshta, biofilia e madhe ka bërë që shqiptarët të neveriten nga çdo gjë që ka lidhje me funeralet, vdekjen, të kaluarën, varrezat.

Ndoshta, biofilia e madhe ka ndikuar që shqiptarët nuk e kanë zanat t’i mirëmbajnë varret e tyre dhe t’i vizitojnë ato.

Vdekja pret, i vdekuri pret! Protesta pret, rebelimi pret, dhe shtyhet për një ditë tjetër, por festa e pavarësisë nuk pret për t’u festuar një ditë tjetër.
Vetëm dashamirët e robërisë shqiptare dhe vdekjes kombëtare nuk e festojnë pavarësinë e Kosovës.

Prandaj, nuk është fer, nuk është e drejtë dhe nuk është shprehje e dashurisë ndaj pavarësisë sonë, nëse protestojmë bash në ditëlindjen e saj.

Askush nuk proteston në ditëlindjen e tij, askush, as ai që i ka njëmijë arsye për të protestuar kundër fatit të tij, as ai që është duke vdekur.
Sepse, siç thash, dëshira për ta shndërruar festën në protestë është shprehje e ‘nekrofilisë politike’.

Ka shumë arsye për të protestuar, ama festa e pavarësisë është arsye në vete për ta festuar, dhe i mund të gjitha arsyet tjera për mos ta festuar.

P.S. Protesto për ditëlindjet e familjes tënde, Rambo.

Dhe në muret e shtëpisë tënde të madhe, ekspozoji dhe vari vuajtjet t’ua, me pllakata.

Shprehe hidhërimin tënd bash ditëve kur keni gëzime familjare.

Po të them ty, Rambo, se vetëm ti e din kur bëhet ‘boll’.

Share: