Home KRYESORE Turp kolosal

Turp kolosal

Nga Edison Ypi

Për cilindo që gjatë diktaturës ka ëndërruar, provuar, ose edhe është arratisur, ka qënë e paevitueshme pyetja; Çfarë do më ndodhi pasi ta kaloj kufirin ? Greku, maqedoni, malazezi, serbi, kosovari, italiani, si do më presin ?!

Përgjigja ishte unanime dhe e padyshimtë; Presin mirë, qajnë hallin, ndihmojnë.

Për kapjen para kalimit të kufirit dhe plasjen në burg për gjithë jetën, kujdeseshin shqiptarët që spiunonin shqiptarët. Këtë të gjithë e dinin dhe të gjithë i ruheshin.

Kthimi forcërisht i atyre që kufirin arrinin ta kalonin, kryhej me mirkuptimin reciprok mes policive sekrete të Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Këtë nuk e dinin të gjithë. Kjo vetëm pëshpëritej. Në këtë çark ranë jo pak.

Librat dhe filmat e kurvit, bashkë me ta dhe të gjithë historiografët konvencionalë, pohojnë të kundërtën, por kjo s’ndryshon asgjë, e vërteta është se sa i përket ikjes, dëshirës për të jetuar i lirë dikund tjetër, që siç doli më vonë ishte dëshirë e ndrydhur e praktikisht të gjithë shqiptarëve, shqiptari e ka penguar shqiptarin, por greku, kosovari, serbi, malazezi, kurrë nuk e kanë penguar shqiptarin të ikte nga skëterra e fukarallëkut, frikës, telave me gjëmba.

Që fqinjëve, dhe në përgjithësi botës, nuk i ka munguar mëshira për ikanakët shqiptarë, është e provuar jo vetëm gjatë përpjekjeve individuale për tu arratisur nga diktatura, por shumë më herët, që nga eksodet masive përtej detit drejt jugut të çizmes rreth pesë shekuj e kusur më parë e deri tek ikjet në masë nga ’90-a e tëhu.

Përveç pak qëndrimeve mosaprovuese sporadike nga ekstremistë të margjinave të politikës, ndaj fatkeqësive të shqiptarëve, të huajt kanë demonstruar vetëm mëshirë, kanë aplikuar gjithmonë mirkuptim dhe ndihmë.

Mikpritja italiane dhe greke ndaj shqiptarëve nuk ka qënë aspak e stisur. Ishte dhe vazhdon të jetë aq evidente dhe autentike sa askush nuk e vë në dyshim, aq normale sa me të askush prej tyre nuk mburret as nuk turpërohet. Një milionë e ca shqiptarët në ato vende, janë prova.

Eksodet mpleksen domosdoshmërisht me politikën, vështirësitë administrative, zvarritjet burokratike, mundësitë logjistike, por gjatë eksodeve masive të kohëve moderne, në këndvështrim më të gjerë se shqiptar dhe ballkanik, nuk ka munguar kurrë ndjeshmëria njerëzore ndaj fatkeqëve të shpërngulur nga halli. Asnjë eksod nuk ndodh pa një shkak madhor. Asnjë qënie njerëzore nuk i shkul rrënjët e veta me duart e veta.

Cili është qëndrimi i shqiptarëve ndaj eksodit të sirianëve, cila është ndjeshmëria, mëshira, vullneti i mirë, gadishmëria për ndihmë, e shqiptarëve ndaj fatkeqëve që kanë braktisur vendin e vet me më tepër mishra njerëzish të shqyer rrugëve se mishra të therura kafshësh nën çengelat e dyqaneve të kasapëve ?

Një hapu dhe’ të futem, një zero e madhe, një turp kolosal.

Më pak se dyqind sirianë në Konicë.

Jo si zhulanjosat fytyrënxirët rreckamanë shqiptarë të ’90-ës. Shumë më ndryshe. Me vëllezër e motra e farefis në Gjermani dhe vende të tjera perëndimore. Pakrahasimisht më të pastër, më të shëndetshëm, më të veshur, më të mbathur, me smartfona në duar duke bërë foto, video, selfie, nëpër drirare.

Sirianët e Konicës as që e imagjinojnë të rrinë në Shqipëri.

Megjithatë shqiptarët e fshatrave kufitare me Greqinë, ata që në ’90-ën j’iu vërsulën Greqisë me kuç e maç e çiç e miç e piç, dhe sot do duhej t’i përfshinte mëshira dhe mikpritja, po thonë para kamerave tmerre dhe turpe që s’i rrok mendja; Se janë të shqetësuar, të preokupuar, madje dhe të frikësuar nga mësymja e sirianëve. Ç’tmerr.

Jo vetëm banorët kufitarë. Asnjë sentiment njerëzor, asnjë ndjeshmëri, asnjë mëshirë, nga askush tjetër. Flasin e bërtasin edhe për gjëra aq të parëndësishme sa të vjen krrupë t’i kujtosh, por asnjë fjalë për qyqarët e ikur që i ka zënë pakashumë i njëjti hall që i bënë të ikin nga sytë këmbët 26 vite më parë të pandjeshmit shqiptarë të sotëm.

Jo pak shqiptarë kanë sot shtëpi gjigande, vila, benza, toyota, por asnjë mëshirë njerëzore, asnjë gadishmëri për ndihmë për të tjerë që i ka zënë i njëjti taksirat si vetë ata vite më parë – pamje halucinante.

Ndjeshmëria dhe mëshira e shqiptarit, ç’është e vërteta, ekzistojnë. Por vetëm nëpër faqe librash, qarje gajdesh, tinguj çiftelish.

Ju që farkëtuat prangat e vetes, spiunuat shokushokun, po vrisni njëritjetrin, dhe tash së fundi spo keni asnjë mëshirë për ca fatkeqë që kanë lënë pas tmerrin e trefishtë të një kurvi, një diktature dhe një lufte, para kësaj llaftarie vetdemaskuese, këtij zhgënjimi të pashembullt, hiç mos hezitoni, nisni grisini librat e mburrjeve, çpojini gajdet e qarjeve, thyejini çiftelitë e ngrefjeve, urgjentisht.

Pse shqiptarët sot janë të ftohtë ndaj fatkeqësive të të tjerëve ?

Përgjigja është e thjeshtë.
Shqiptari nuk është mikpritës.
Po çfarë është shqiptari ?

Shqiptari është një mbijetues i të gjitha mënyrave, zvarritjeve, manovrimeve, mes tjerash edhe duke u hequr si mikpritës.

Nuk shpjegohet ndryshe nami i zi që po na përhapet nëpër botë, turpi kolosal sa i neveritshëm dhe i rrezikshëm i vendit të ahengut të pafund të vrasësave qesharakë.

Share: