Home KRYESORE Listat e mbyllura bllokojnë demokracinë

Listat e mbyllura bllokojnë demokracinë

Nga PhD Ledian Droboniku

Replike me shkrimin e Adri Nurellarit mbi reformen zgjedhore

Përgjigje ndaj artikullit të mikut tim Nurellari, aq të vjetër sa dhe debatet tona.

Sigurisht një prej debateve më të diskutuara nga këto anë që përpëliten mes demokracisë dhe autokracisë është dhe ai mbi sistemin elektoral dhe specifikisht natyra e listave të kandidatëve.

Me të drejtë përmendet se nuk ka një zgjidhje panacea për identifikimin abstrakt të një sistemi konkret. Kjo për arsyen e thjeshtë, sepse sistemi elektoral, edhe pse i rëndësishëm, është vetëm një institut që gjen jetë brenda një jete më të madhe që është shoqëria dhe shteti.

Vizioni që duhet të udhëheqë një studiues social, është ai holistik duke e parë shoqërinë dhe shtetin si një organizëm i gjallë, dhe jo thjesht si tërësi institutesh të ndarë nga njëri tjetri.

Metoda krahasimore është sigurisht e rëndësishme nëse realizohet edhe ajo në mënyrë holistike, jo thjesht mbi kushtetutën formale por edhe atë materiale, mbi jetën e gjallë institucionale të atyre shteteve që kanë zgjedhur të zbatojnë këtë apo atë sistem. Transplantimi i sforcuar i një organi në një organizëm tjetër, mund të shihet si “mish i huaj” dhe shkakton reaksion për organizmin mikpritës. Pra metoda krahasimore ka vlerë vetëm përshkruese dhe jo diktuese, sepse përndryshe nuk do kishim kurrë zgjidhje origjinale por replikim të një sekuence deterministe.

Shtetet moderne të ngritura mbi kushtetuta urdhëruese, synojnë të zgjidhin konfliktet në mënyrë institucionale dhe të harmonizojnë vizione të ndryshme të botës ekonomike, sociale, politike etj. Martesë që jo gjithmonë rezulton pa zënka.

Shteti shqiptar si shumë të tjerë pas rënies së diktaturës, vendosi të ngrihet mbi kushtetutshmërinë si një tentativë për të mbajtur bashkë vizionin liberal me vizionin demokratik. Shteti i së drejtës kërkon pikërisht që e drejta të disiplinojë politikën me kusht që kjo e fundit të disiplinojë ekonominë. Për këtë arsye, krijimi i shteti social, u pa si përgjigje realiste, ndaj ekstremizmit liberalist dhe atij komunist. (in medio stat virtus) Kështu një shoqëri liberal-demokratike nuk mjaftohet vetëm me të drejtat civile por përfshin dhe të drejtat politike, sociale dhe ekonomike si kusht për garantimin në praktikë të lirisë dhe barazisë. Të drejtat e para kanë destinatar individin, të dytat qytetarin dhe shoqërinë.

Për një shoqëri që do të jetojë në paqe – thotë Arendt – sfera private dhe publike duhet të jenë në harmoni e të mos uzurpojnë njëra tjetrën.

Por çfarë thamë më sipër, i përket planit normativ dhe jo atij përshkrues të realitetit. Dhe ky realitet sot është shumë më i gjerë se realiteti i një shteti.

Shqipëria dhe Kosova, nuk jetojnë më të izoluara por të janë të përfshira në një globalizëm të shfrenuar, ku ato që qarkullojnë nuk janë vetëm kapitali dhe mallrat por dhe influencat gjeopolitike dhe ideologjitë imponuese.

Mendimi main stream që udhëheq procesin e globalitarizmit është pikërisht neoliberalizmi ose triumfi i financës globale përballë realiteteve shtetërore, të cilët dorëzojnë përditë pjesë të sovranitetit. Demokracitë janë procese që kryhen brenda shtetit (nuk ka popull global), prandaj dhe ato shihen si problematike. Lojtarët e financës globale preferojnë elitizmin përballë demokracisë, ekzekutivin përballë parlamentarizmit, liderin përballë kolegjialitetit të partisë. Duhet që vendimmarrja të jetë e shpejtë, uniforme dhe e parashikueshme, gjë që sigurisht nuk garantohet nga proceset demokratike sepse populli mund të thotë dhe “JO!”.

Vërshimi i këtij vizioni sigurisht krijon deformime të gjithë jetës politiko-ekonomike dhe ekuilibrave të parashikuara në Kushtetutë. Shqipëria apo Kosova nuk janë të imunizuara nga këto influenca. Aktorët ndërkombëtarë nuk kërkojnë asnjëherë zgjerimin e demokracisë, rritjen e rolit vendimmarrës të qytetarëve me referendume, primare, recall të mandatit por kërkojnë perfeksionimin e elitës dhe zgjidhjen e problemeve nga brenda sistemit hermetik.

Shtrova këto premisa, për të kuptuar “Zeitgeist”, shpirtin e kohës ku jetojmë sot, si çdo studiues që ruan një përqasje kritike dhe jo deterministe si natyrore të fenomeneve shoqërore si dhe për të qenë i sinqertë me interpretimin e istituteve juridike.

Në kushtet kur demokracitë e vendeve tona janë të rrethuara nga tendenca oligarkike, zgjidhja besoj se është zgjerimi i demokracisë dhe jo i partitokracisë, rritja e vendimmarjes qytetare dhe jo liderit, rritja e rolit të parlamentit dhe jo ekzekutivit, përdorimi i sistemeve proporcionale dhe jo mazhoritare, listat e hapura dhe jo ato të bllokuara.

Prandaj diskutimi i sistemit elektoral duhet të kryhet duke pasur parasysh, Kushtetutën formale dhe materiale të vendit si dhe aspiratat e një populli. Pas rënies së komunizmit, sundimit të oligarkisë së Nomeklaturës për 45 vite, shqiptarët kërkuan demokratizimin e vendit. Por përsëri shqiptarëve iu tha se mjaftonin të votonin çfarë partia vendoste, se pluralizmi partiak dhe ndarja e pushteteve mjaftonte. Shqipëria sot përpëlitet përsëri ne autokraci sepse raportet nuk rregullohen me anë të së drejtës por mbi atë forcës në duar të pak njerëzve me pushtet.

Ështe iluzion se oligarkia do vetëpërmirësohet dhe do heqë dorë nga privilegjet që ka krijuar për një pakicë. Demokracia u shpik që populli të ketë nën kontroll makinën shtetërore në mënyrë që të drejtat e tij mos të rrezikoheshin nga elitat sot partiake, finaciare etj.

Pa patur parasysh të gjithë kuadrin, diskutimi mbi istitute juridike të veçanta nuk kuptohet, ashtu si kundër nuk kuptohet se përse tek ne lista të hapura apo të mbyllura nuk sjellin rezultate kaq të ndryshme.

Përdorimi i listave të mbyllura ëshët model dominant për vendet e Amerikës latine (si dhe Portugalisë apo Spanjës) por jo për vendet evropiane, të cilët zbatojnë formula të ndryshme.

Në Gjermani psh. ligji federal sanksionon “parimin e përfaqësimit proporcional kombinuar me zgjedhjen personale të kandidatëve” (sistem proporcional i personalizuar). Zgjedhësi shpreh preferencën për një kandidat në bazë të një sistemi mazhoritar (Erststimme) dhe me një votë të dytë vendos për një listë të një force politike (Zweitstimme). Në vendimin e saj 9 nëntor 2011, Gjykata Kushtetuese gjermane rikonfirmoi vendimin e 1957, duke pranuar listat e bllokuara sepse brenda demokracive partiake nuk prekin lirinë e votës dhe automatizmin mes zgjedhjes së qytetarit dhe përcaktimin e deputetit.

Të tjera gjykata kushtetuese te vendeve të ndryshme janë shprehur së fundmi për pranimin ose jo të listave të mbyllura. Pavarësisht përfundimit, këto gjykata nuk mjaftohen me institutin në fjalë, por shohin në përgjithësi realitetin e vendit, demokratizimin e partive, kontrollin efektiv të kapitalit në garën partiake, funksionimin e sistemit të drejtësisë etj. Në një prononcim, edhe Komisioni i Venecias nuk është kundër zbatimit të listave të mbyllura, por ka theksuar se: “zbatimi i listave të mbyllura në vende pa demokraci partiake dhe korrupsion të gjerë përbëjnë rrezik për jetën politike”.

Besoj se një përqasje e tillë duhet bërë edhe për vendet tona, para se të biem peng i zgjidhjeve të thjeshta, slloganologjisë dhe tifozerisë për një sistem apo tjetrin.

Me të drejtë thuhet se listat e hapura janë natyrore të një demokracie përfaqësuese, të ngritura mbi besimin dhe kontrollin që krijohet nga raporti i drejtpërdrejtë mes qytetarëve dhe përfaqësueseve të tij. Por në kushtet shqiptare kjo përkthehet me klientelizëm dhe fushata personale korruptive dhe kriminale.

Po cila është zgjidhja? Futja e listave të mbyllura, prishja e këtij raporti të lirë dhe të drejtpërdrejtë mes popullit dhe politikës dhe delegimi ndaj rolit emancipues të partisë si në komunizëm? A jemi të sigurtë që partitë organizohen në mënyrë demokratike apo janë shndërruar në brigada plaçkitëse të res publica?

Vendet tona nuk kanë korrupsion të zakonshëm por ato akuzohen për korrupsion dhe krim të organizuar deri në nivelet më të larta shtetërore. Pra ky lloj krimi dhe korrupsioni ka nevojë për një strukturë piramidale. Zgjidhjet elitiste ndoshta mund të vlejnë për vendet e civilizuara (ku funksionon drejtësia dhe demokracia e brendshme paritake) dhe jo për oligarkët shqiptarë, të interesuar që vendimmarrja të përqendrohet gjithmonë në pak duar si kanë bërë këto vite.

Kushtetuta shqiptare nuk është më ajo që shqiptarët votuan me referendum në 1998. Futja e listave të mbyllura ishte vetëm njëri prej mekanizmave të këtij vizioni oligarkik, që shoqëroi përçudnimin e Kushtetutës dhe përqendrimin e pushtetit në pak duar. Nxjerrja jashtë kushtetutës dhe militantizmi i KQZ-së, zgjedhja e presidentit të Republikës nga një forcë e vetme, fuqizimi i figurës së Kryeministrit, sistemi elektoral që vë në rresht partitë e vogla, jo vetëm që janë atentat ndaj demokracisë por dhe pengmarrje e ekonomisë së lirë.

Listat e mbyllura i dhanë mundësi “liderrrit” të partisë të shtinte në dorë partinë, dhe bashkë me të parlamentin dhe bashkë me të sundimin e vendit, politikës, ekonomisë, medias, akademise me anë të ekzekutivit. Deputetët jo vetëm që zgjidhen falë “bujarisë” së shefit të partisë në lista të bllokuara, por si pasojë ata me tej do noterizojnë çfarë ai ka vendosur, nëse duan të vazhdojnë karrierën politike. Ngjarjet e fundit e konfirmojnë këtë gjë ku ka alergji nga mendimi ndryshe. Nga ana tjetër listat e mbyllura, jo vetëm që nuk ulën por rritën përfaqësimin e botës së krimit në parlament sepse krimi nuk është përjashtim por rregull për organizimin e jetës politike dhe ekonomike të vendit mbytur në monopole klientësh dhe paligjshmëri.

Me të drejtë flitet për qarkullim elitash por kjo duhet të ndodhe nëpërmjet kanaleve demokratike (elite=eligere, të zgjedhura/jo emëruara) dhe jo klonimit sipas shëmbëlltyrës së “elitës” ekzistuese modeluar pas figurës së “udhëheqësit të ndritur”. Si pasojë e kësaj, klasa politike aktuale është e mbërthyer nga mediokriteti, korrupsioni dhe militantizmi sepse elitat e vërteta nuk pranojnë të futen nëpër parti “pactum subiectionis” por vetëm në parti “pactum unionis”.

Ideja tjetër se politika kryhet më mirë në nivele epërore sesa nga një discursus i hapur dhe demokratik – si thotë Habermas – nuk i përgjigjet realitetit, sepse Shqipërisë nuk i kanë munguar programet fantastike në letër por vullneti i tyre për ti zbatuar në praktikë. Politika bëhet nga njerëz dhe që vendimet mos të mbeten në letër (mandati këtu, merret mbi një program pastaj qeveriset mbi një anti-program), duhet që këta njerëz të zgjedhur të mbahen të togëzuar me vullnetin dhe interesin e sovranit, dhe jo ato elitiste klienteliste. Pra diskutimi duhet të përqendrohet mbi demokratizimin, llogaridhënien dhe transparencën e vendimeve.

Nga ana tjetër, natyra e partive politike është instrumentale, përderisa ato janë në shërbim të qytetarëve, subjekte themelorë të demokracisë. Kështu para se të flasim për më shumë pushtet të partive (falë listave të mbyllura) duke çnatyrizuar rolin e tyre nga përpunues dhe ndërmjetësues të vullnetit popullor në zëvendësues të politikëbërjes, duhet të flasim për demokratizimin e tyre. Futja e primareve brenda partive, zgjedhja dhe shkarkimi të çdo strukture drejtuese jo nga lart por nga poshtë, kufizimi i mandateve në vetëm 2, do të ishin disa hapa për dehermetizimin, çmontimin e çdo tendence oligarkike dhe demokratizimin e tyre.

Kurse ndalimi i lidhjeve të krimit me politikën bëhet a monte, duke ndarë kapitalin nga politika, luftuar kundër parajsave fiskale, duke bërë transparente e partive dhe konfiskuar pasuritë e pushtetarëve dhe familjeve të tyre, dhe jo në fund të procesit, atu krijohet lidhja mes popullit dhe përfaqësuesve të tij. Po sigurisht klasa politike në Shqipëri dhe Kosovë nuk mund të sharrojë degën ku ka hipur dhe po e vjel.

Listat e hapura rrisin lirinë e zgjedhësit dhe potencojnë garën e kandidatëve si brenda dhe jashtë partisë, por çuditërisht edhe këto dy vlera dikur themelore të liberalizmit, sot shihen me “skepticizëm” kur bëhen universale për çdo qytetar. Por edhe nëse nuk preferohet të rritet gara brenda partisë me listat të hapura përgjatë fushatës elektorale, këto efekte shumë mirë mund të evitohen duke paraprirë zgjedhjeve të kandidatëve n.p.j. primareve brenda të partisë. Mjafton të mos ngushtohet liria e zgjedhësit duke u rritur ajo e liderit të partisë, mjafton të rritet llogaridhënia natyrore zgjedhës – i zgjedhur dhe jo shef – vartës, mjafton të fuqizohet parlamentarizmi dhe jo ekzekutivi, mjafton të zgjerohet demokracia dhe të dalë nga rrethimi.

Lidhur me kritikën aq të hershme sa dhe vetë skeptikët e demokracisë, se ajo është e vështirë për qytetarët, dua vetëm të kujtoj se demokracia nuk është vetëm një metodë qeverisje ajo mbi të gjitha mbetet një vokacion emancipimi që popujt – thoshte Kant – të dalin nga gjendja e minoritetit dhe të vendosin vetë fatet e tyre. Nëse ajo që synohet është thjeshtësia dhe kjo arrihet me lista të mbyllura me pak parti, atëherë mund të shkojmë më tej dhe ta thjeshtojmë akoma dhe më shumë me vetëm një parti dhe një udhëheqës shpirtëror. Të vërtetat sociale, ndryshe nga ato objektive, pozitiviste, empirike, nuk realizohen në laboratorë shkencore apo nga ndonjë mbret filozof platonian, por janë produkt i një ndërveprimi të vazhdueshëm human, uti socialis. Demokracia është sistemi më i mirë – thotë Kelsen – sepse kështu qytetarët pranojnë më mirë ligjin se janë prodhues dhe destinatarë të tij, prandaj kemi dhe një konformizëm spontan ndaj normës.

Një tjetër pikë që trazon shpirtrat e qytetarëve më të varfër të Kontinentit, është kushtëzimi i demokracisë me kostot, sikur demokracia është shkaktare e situatës dhe jo oligarkia. Refuzoj si parimisht të pranoj diktimin e ekonomisë mbi politikën sepse në fakt duhet të jetë e kundërta por dhe praktikisht sepse lë jashtë shifrat e vërteta të kostove oportune, ose miliarda euro të munguara ekonomive tona. Loja me shifra dhe statistika të një shteti pa sy e veshë, që parafabrikon çdo numër dhe germë është aq irealiste sa dhe është realiste gjendja e ekonomive tona sot (Shqipëria dhe Kosova) dhjetëra fish nën potencialin e tyre të vërtetë, falë një klase politike autoreferenciale, që nuk del nga populli por vetemërohet, që vendosi të mbërthejë ekonominë me monopole klienteliste, që vendosi të shesë e plaçkitë asetet kombëtare, që detyron forcën aktive dhe investitorët të braktisin vendin, që promovon militantë dhe mediokër shërbëtorë dhe klerikë të vyer për sistemin.

Sa i përket politikave të barazisë gjinore, kujtojmë studiuesin e madh të sistemeve, Luhmann, kur thotë se: “shoqëritë emancipohen nga poshtë por degradohen nga sipër”. Mendimi se me listat e mbyllura do zgjidhen më shumë gra në parlament është një realitet sa zhgënjyes aq dhe fyes. Betejat për të drejtat nuk maten me kile dhe numra. Sa gra dhe vajza shqiptare ndihen sot të përfaqësuar nga “femrat e shefit të partisë” që shërbejnë si dekorime firmato të oligarkëve me pushtet? I njëjti arsyetim teorik por dhe faktik sot në vendet tona, vlen edhe për mijëra të rinj dhe të reja që duan të kontribuojnë në jetën politike në vend. Si mundet një i ri/e re sot të futet në qarkun politik përveç “dashamirësisë” së shefit të partisë, miqve apo klientëve të tij? A nuk kemi pranuar parimin republikan, që pjesëmarrja politike u garantohet çdo qytetari që zgjidhet nga të ngjashmit e tij qytetarë, apo dhe parimin e zgjedhjes do e zëvendësojmë me parimin e “emërimit” të kolauduar për 45+25 vite Nomenklaturë? Shteti duhet të garantojë zbatimin e këtij parimi dhe jo të kapitullojë apo të shpikë parime të tjera preferenciale sipas oreksit të kastës.

Këtu nuk bëhet fjalë për emra të përveçëm, por për sistemin që promovon antivlerat në polikë, ekonomi, akademi dhe kudo. Deri sa pushteti të mbetet në duar të një oligarkie, gjërat kanë pak gjasa të ndryshojnë pavarësisht ndryshimeve kozmetike-juridike.

Ajo që duhet bërë është instalimi i atyre instituteve që sigurojnë qarkullimin e njerëzve dhe higjienizimin e sistemit, hapjen demokratike dhe jo mbylljen e tij, çmontimi i oligarkëve, reduktimi i rolit të partive dhe rritjes së rolit të vendimmarrjes qytetare me referendume, demokratizimi i partive, çmilitantizmi i KQZ-së, rishikime të mandateve në çdo kohë, rritja e parlamentarizmit dhe kufizimit të ekzekutivit, rritja e kolegjialitetit dhe kufizimi i liderrrshipit, kufizimi i çdo mandati shtetëror apo partiak në vetëm dy, transparencës proaktive, pranimi se politikbërja nuk është zanat por shërbim dhe e drejtë që i garantohet çdo qytetari sipas meritës, kushtetutshmëria e pushtetit të medias që të punojë për informimin dhe jo dizinformim, por mbi të gjitha kontrollit të kapitalit në politikë.

Besoj se këto janë reformat që duhet të kishin realizuar vendet tona prej kohësh, ashtu si më parë kanë realizuar vendet e tjera të civilizuara. Por sot këto reforma janë në kundërshtim me mendimin dominant të “elitave” kombëtare dhe globale.

Prandaj si ndodh gjithmonë kur sovraniteti i popullit uzurpohet, është vetëm populli që mund ta rimarrë atë, sigurisht nëse lejohet të bëhet popull dhe nuk mbetet i atomizuar dhe i fragmentizuar nga përçarje të reja dhe të përmotshme.

Autori eshte Bashkëthemelues i “ShqipON”

Share: