Home KRYESORE Nuk ka reformë drejtësie brenda oligarkisë

Nuk ka reformë drejtësie brenda oligarkisë

Nga Dr. Ledian Droboniku

Po evitoj labirinthet juridike ku është dhe po zhytet më tej sistemi i drejtësisë, sepse vetë reforma në drejtësi është një lojë e stisur dhe ashtu si thotë Dahl, atë që nuk bën dot politika nuk mund ta bëjë dot gjykatësi. Për Monteskie, Schmitt e të tjerë autorë të ndërtimit të shtetit, do të ishte marrëzi të mendoje se gjyqtari do rithemelonte shtetin, si pretendohet sot.

Drejtësia gjyqësore është vetëm antibiotiku i sistemit dhe nënkupton që organizmi në përgjithësi funksionon, por nuk mund të zëvendësojë kurrë proteinat, vitaminat apo jetën e shëndoshë të një shteti.

Ky rol i atribuohet politikës që krijon dhe rregullon raportet shoqërore dhe shtetërore dhe vetë politika ose bëhet ose kontrollohet nga qytetarët sovranë. Çfarë mund të bëjnë gjykatësist nëse partitë, bota e financës, akademisë, medias funksionojnë kundër shtetit të së drejtës, edhe sikur magjistratët të mos vinin nga ky realitet.

Gjyqtarët mund edhe të rrëzojnë një klasë politike si ndodhi në Itali, me mani pulite, por ardhja e një personazhi antishtet si Berlusconi tregoi që magjistratura nuk mundet kurrë të ndërtojë shtet pa përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje. Politika në kuptimin grek të fjalës, si vetëvendosja e një komuniteti, dhe jo demokracia orwelliane dalë nga gojët e pushtetarëve mediokër kleptokratë shqiptarë. Rregullim politik nuk do të thotë lojëra dhe reforma nga brenda pallatit por ndryshim i qendrave të pushtetit, humbje të pushtetit të partive dhe forcim të vendimmarrjes qytetare, hapje dhe afrim të shtetit sa më pranë qytetarëve.

Quhet DEMOKRACI, sistemi që populli shpiku që të mos sundohet nga askush por të formojë vetë normën juridike, si thotë Kelsen, babai i konstitucionalizmit modern.

Oligarki apo demokraci, partitokraci apo demokraci, teknokraci apo demokraci, ksenokraci apo demokraci, elitizëm apo demokraci? Mund të vazhdonim pa fund sepse armiqtë e demokracisë janë të shumtë por i bashkon një emërues i përbashkët: të zëvenësojnë sovranitetin e popullit hapur apo fshehurazi.

Mekanizmat e ndërtimit të shtetit, reformat, programet gjithmonë duhet të bëjnë llogaritë me këtë vizion, nëse zgjerojnë demokracinë, (pra pushtetin e popullit në vendimmarrje) apo bëhen nga brenda pallatit (duke forcuar “elitat në pushtet”). Po të mendojmë në fakt, të gjitha reformat që janë ndërmarrë në 25 vite janë vetëm reforma elitiste, autoreferenciale, nga njerëzit e sistemit për njerëzit e sistemit. Dhe reformat nëse kanë dështuar për arritjen e interest publik kanë dështuar edhe për zhdukjen e privilegjeve të një kaste ripërtëritëse nga brenda. Formula që përdoret nga aktorë ndërkombëtarë dhe kombëtarë është se: “se nuk ka vullnet politik”. Të gjithë dorëzohen para kësaj fjalie, pa dashur të shkojnë pak më tej, se ç’do të thotë që nuk ka vullnet politik. Ndoshta do të thotë thjesht, që ka vullnet për dicka tjetër, dhe ajo dicka tjetër, mund të jetë interesi partiak, personal, klientelist, por gjithmonë anti kombëtar.

Madje dhe vetë kushtetuta që iu dhurua shqiptarëve nën ethet e luftës civile dhe prezencës së forcave ushtarake të huaja në territor, është pikërisht një kushtetutë elitiste dhe vetën formal-demokratike. Nuk është rastësi që Kushtetuta fillon duke thënë se Republika është pronë e partive, që partitë do të vendosnin për gjithë jetën politike në vend, dhe referendumi do të rregullohej vetëm në fund të kushtetutës pas nenit 150.

Vizioni elitist vijoi dhe me ndryshimet kushtetuese, me listat e mbyllura ku populli noterizon ate çfarë shefi i partisë ka paravendosur, ashtu si dhe më pas deputeti do noterizojë cfarë shefi i partisë do i urdhërojë nëse do të ketë karrierë politike. Nuk është rastësi që Shqipëria është i vetmi vend jo që nuk bëhen referendume por as nuk ka një ligj për referendumet, nismat ligjvënëse, peticionet etj. Nuk është rastësi sepse nuk kemi dëgjuar ndonjëherë ndërkombëtarët të shqetësohen pse qytetarët janë shpronësuar nga ushtrimi i sovranitetit dhe demokracia ngatërrohet me partitokraci? Shqiptarët jo vetëm që nuk kanë aprovuar apo rrëzuar një ligj me referendum, por nuk janë pyetur kurrë për ndryshimet kushtetuese apo aderimin në organizata ndërkombëtare. Sot popujt evropianë dhe më gjerë po kundërshtojnë këtë vizion elitist që po u imponohet shteteve dhe popujve në dëm të demokracisë. Dhe fatkeqësisht Shqipëria nuk është e imunizuar prej këtyre influencave dhe mendimit main stream që mediat, “intelektualët” dhe klerikët e sistemit e imponojnë si e vetmja mënyrë, si i vetmi vizion totalitarist për të ardhmen e popujve.

Ndoshta vetëm kështu mund të kuptojmë edhe ç^po ndodh me reformën shqiptare dhe “zellin” e aktorëve ndërkombëtarë për fatin e shqiptarëve.

Arkitektë dhe inxhinierë janë mbledhur rreth pallatit të drejtësisë për ta shpëtuar atë nga degradimi total. Përpjekjet e tyre kujtojnë skenat e filmit “Idiocracy” ku të marrët përdornin litarë për të drejtuar pallatin që po binte.

Pallati i Drejtësisë ashtu si qytet-shteti shqiptar, është ngritur mbi themele autarkie dhe fasada demokracie. Ndryshe nga ajo që thuhet, ai funksionon edhe pse jo për shumicën e banorëve të tij. Dhe deri sa ai funksonon, përse duhet të ndryshohet nga vetë ata që e krijuan atë?

Por atëherë kush duhet të rrëzojë gheton dhe të ndërtojë një qytet të denjë? Këtë zakonisht e bëjnë banorët e tij, kur zbulojnë se janë edhe qytetarë edhe sovranë.

Ky do të ishte realisht fundi i qytetit-gheto dhe një rrezik i tillë duhet të evitohet me çdo kusht nga aksionerët e ghetos. Dhe në fakt, për 25 vite ky rrezik është neutralizuar me sukses nga pushteti dhe qarku i tij mediatik. Banorët nuk u lejuan kurrë të kuptojnë zgjidhjen, të ndërgjegjësohen si qytetarë sovranë por si kompensim mund të braktisnin gheton, për të gjetur dinjitet diku gjetkë.

Reforma e radhës në Drejtësi njësoj si shumë të tjera këto dekada të errëta, luhet në dhomat e askionerëve, pronarë të ghetos. Ashtu si shprehet që në rreshtat e parë, objektivi i reformës, është “rikthimi i besimit” tek qytetarët, por më pas roli i qytetarit në vendimarrje nuk përmendet gjëkundi. Pushteti rindahet përsëri mes aksionerëve sepse për ata nuk ka qytetarë por vetëm banorë.

Prestigjatorët e reformës nxjerrin nga kapelja e tyre komisione pa fund duke e fshehur përfundimisht autorin nga skena e krimit magjistral. Administrimi i Drejtësisë, tashmë nga komisione dhe aksionierë ardhur nga gjyqësia, avokatia, akademia, shoqëria synon të pasurojë spektaklin e kaosit dhe të hutojë pa fund banorët e ghetos.

Sponsorizuesit e brendshëm dhe të jashtëm do vazhdojnë të promovojnë këtë spektakël, duke lavdëruar kaosin si “stabilitet” dhe anatemuar ndryshimin e vërtetë si “revolucion”. Korporata është gati ti delegojë pushtetin të huajve, që tani do të jene pjesë e sistemit të drejtësisë por nuk guxon kurrsesi të përfshijë në të “banorët”. Me ketë cedim të sovranitetit fundoset edhe idea për bashkim kombëtar, sepse njësoj si Kosova pranojmë që jemi shtete disfunksionalë.

Problemi është se banorët e ghetos ngadalë po zgjohen nga hipnoza e spektaklit dhe po pretendojnë të jenë qytetarë sovranë dhe autoktonë. Por ndërtimi i qytetit të tyre është i lidhur fatalisht me çbërjen e korporatës së aksionerëve të ghetos.

Kjo perspektivë e re kërkon që të gjitha fijet që mbajnë në këmbë korporatën të priten dhe të zëvendësohen me fije që togëzojnë direkt shtetin me sovranin. Pushtetarët e lartë nuk duhet të zgjedhin më njëri tjetrin, por të zgjidhen dhe shkarkohen direkt nga qytetarët.

Kapja e shtetit shqiptar nuk është rast unik në botë, prandaj duhet të mësojmë nga popujt e tjerë si janë çliruar.

Ndoshta, para kësaj sfide u ndodhën qytetarët amerikanë në kohën e Progressive Era, ku të gjitha format e pushtetit ishin të korruptuara dhe prandaj populli i zëvendësoi me institucione të kontrolluara nga qytetarët. Ende sot qytetarët e mbi 30 shteteve amerikane (si shumë shtete në botë), vazhdojnë të zgjedhin dhe shkarkojnë prokurorët, gjykatësit, governatorët deri tek sherifi, që tek ne do të ishte drejtori i përgjithshëm i policisë. Zgjedhja dhe shkarkimi në çdo kohë (pa mandat të bardhë) i pushtetarëve prej popullit, higjenizon makinën shtetërore nga çdo rast korrupsioni apo paaftësie drejtimi.

Por nuk janë vetëm qytetarët amerikanë, por dhe shumica e vendeve evropiane që lejojnë qytetarët vendimarrës në administrimin e drejtësisë duke parashikuar krijimin e jurive qytetare. Gjyqtari nuk do jetë më “Zot” i proçesit, por noter i verdiktit të jurisë që gjykon të ngjashmit e vet.

Sistemi shqiptar i drejtësisë, ka provuar në fakt të gjitha format e përzierjes së pushteteve nga brenda, por nuk funksionojnë thjesht sepse të gjitha format e pushtetit kanë ADN të kompromentuar. Kështu as parlamenti i inkriminuar nuk shpëton dot magjistraturën dhe as kjo e fundit nuk e shpëton dot botën politike. Makina shtetërore duhet të ndërrojë motorrët e saj duke kthyer në radhë të parë partitë politike brenda shtratit kushtetues, ku të jetë populli që kontrollon partitë dhe jo e kundërta si në regjimin komunist. Duhet të zhduket figura e liderrit absolut dhe të shenjtërohet ligji dhe përgjegjësia e pushtetarëve në çdo nivel.

Në këtë drejtim, një tjetër mekanizëm në higjenizimin e makinës shtetërore do të ishte zbatimi jo vetëm i përgjegjësisë penale por dhe asaj civile për të gjithë funksionarët e shtetit duke përfshirë edhe gjykatësit. Vetëm kështu, gjykatësit do mendohen 10 herë përpara se tëshkaktojnë një dëm të padrejtë qytetarëve, sepse do paguanin nga rroga e tyre dëmshpërblimin. Tjetër fren ndaj papërgjegjshëmrisë së pushtetit do të ishte transaprenca proaktive. Transmetimi online i seancave gjyqësore, do të ulte diskrecionalitetin e magjsitratëve dhe do rriste kontrollin e qytetarëve mbi makinën shtetërore. Me këtë optikë dhe inspektoriati i lartë i kontrollit të pasurive, është pa sens, sepse detyrimi i publikimit on line i pasurive duhet të bëhet për të gjithë pushtetarët dhe jo me kampione si sot, dënim me burgim dhe jo gjoba për shkelësit.

Këto do të ishin masa për zhdukjen e korporatës dhe çlirimin e qytetit nga aksionierët, por normalisht këto nuk gjenden në reformën e tyre.

Do preferonim që miqtë tanë ndërkombëtarë të na sillnin modelet e tyre të sukseshme, ku qytetarët kontrollojnë pushtetin dhe jo e kundërta. Por ata kanë qejf të përsërisin se të drejtat fitohen dhe nuk dhurohen. Kështu që ne po u kthejmë mbrapsht dhuratën e stabilitetit dhe po rimarrim të drejtën tonë për të qeverisur si popull sovran dhe me dinjitet mbi një Kushtetutë, një kontratë të re sociale, kësaj here të hartuar nga vetë qytetarët, për qytetarët dhe nëpërmjet qytetarëve! Një Kushtetutë për Normalizimin e Shqipërisë!

*Docent i së drejtës kushtetuese dhe bashkëthemelues i shqipON

Share: