Home KRYESORE Kush pretendon se anti – demarkacioni do ta izolojë Kosovën?!

Kush pretendon se anti – demarkacioni do ta izolojë Kosovën?!

“UNË I KAM SHUMË BORXH SHQIPËRISË”![D’ESTOURNELLES DE CONSTANT: Senator, Nobelist i Paqes i vitit 1909, Sekretar i Komisionit të Caktimit të Kufijve mes Shqipërisë dhe Malit të Zi në vitin 1878]

Nga Sulejman Abazi

Kush pretendon se anti – demarkacioni do ta izolojë Kosovën?! Ky është një pretendim politik absurd, pa asnjë bazë logjike dhe juridiko politiko diplomatike.

Kush ka pranuar deri më sot se, “të gjitha” çfarë janë parashikuar nga “ndërkombëtarët” do të kalojnë pa tjetër në Parlamentin e Kosovës?!

Çfarë është ky Parlament formal? Ai paska vetëm detyrë të ngrejë kartonat, kur të gjithë problematikën na e paskan vendosur kohë më përpara në Bruksel?!

Çfarë vlere morale, popullore, politike, kushtetuese paska ky Parlament kukull, që është i detyruar të miratojë gjithçka të pranuar dhe vendosur personalish më parë nga një President apo Kryeministër nën diktatin e “ndërkombëtarëve”?!

Çfarë vlere njerëzore dhe përgjegjësi institucionale kanë deputetët e Parlamentit të Kosovës, që janë “të detyruar” të miratojnë gjithçka që u serviret, me diktat “të butë”, “në emër të ardhmërisë”, duke ç’vlerësuar në maksimum vlerën e mandatit të tyre të dhënë nga populli?!

Vall askujt në Parlament, në Bruksel, apo kudoqoftë, nuk u intereson se çfarë mendojnë deputetët dhe populli në Kosovë për këto paradokse që aktualisht na e kanë kthyer agresorin në viktimë?!

Mos vallë “ndërkombëtarët” janë bërë pishman për atë që bënë në 1999-tën kundër Serbisë?!

Çfarë roli kanë Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Isa Mustafa në këtë situatë krize politike në Kosovë, që duan të diktojnë dhe të shfaqen si “djemtë e mirë në sytë e ndërkombëtarëve”?!
Deputetë të popullit të Kosovës janë këta, apo deputetë të Brukselit?!

Pse kanë kaq shumë frikë këta të ashtuquajtur politikanë nga mosmiratimi i demarkacionit?!

Nuk kam dëshirë të shkoj më tej kesaj që kam publikuar më përpara për këtë çështje, por duke e parë trashë problemin, ratifikimi me këto ndryshime i kufirit me Malin e Zi (veprim i bërë më parë me kufirin me Maqednoninë) është një çmenduri politike dhe diplomatike, që çuditërisht merr vulën e “ndërkombëtarëve” dhe kërkon pa tjetër të ketë dhe “vulën” e deputetëve të Parlamentit të Kosovës.

Vallë ky është justifikimi i politikës shqiptare në Prishtinë, demarkacioni është “dëshira e ndërkombëtarëve”?!

Po ata vetë ku janë, në raport me përgjegjësitë e tyre institucionale për të mbrojtur interesat e Kosovës dhe të popullit të saj?

Akoma edhe pas 8 vitesh pavarësi dhe më mbi 20 mijë viktima të luftës, Kosova ka mbetur jetime në mes të rrugës dhe me të mund të bëjnë çfarë të duan njërëzit e dyshimtë në krye të saj?!

Çfarë kushti është ky që, miratimi i demarkacionit “i hap rrugën heqies së vizave dhe krijimit të Ushtrisë së Kosovës”?!

Çfarë lidhje kanë këto “dy probleme” me dëshirën për t’i falur tokë Malit të Zi, i cili historikisht është zgjeruar në kurriz të trojeve shqiptare dhe nën hundën e politikës evropiane?!

Ku jemi, akoma në vitin 1878, me Traktatin e Shën Stefanit, me Traktatin e Berlinit, apo në vitin 2016, në shekullin e demokracisë dhe të drejtave njerëzore?!

Çmenduria politike nuk paska kufij!

Akoma spo kuptohet që ky “ratifikim” është në kufirin shqiptar – shqiptar, kur në të dy anët e tij jeton popullsi e pastër shqiptare?!

I tillë ishte dhe “ratifikimi” i kufirit me Maqedoninë, një kufi midis popullsisë së pastër etnikisht shqiptare.

Çfarë po ndodh në shekullin e ri me ne shqiptarët, akoma do të jemi kavje eksperimentale e synimeve dhe orekseve sllave nën dirigjimin e neokolonialistëve të rinj në emër të “ndërkomnbëtarëve”?!

Përsëri e thënë trashë; me sa duket paska vetëm një rrugë, ndoshta edhe pse mund të duket si “humbje”, rekomandimi i miqve tanë strategjik për kalimin e demarkacionit me Malin e Zi, mund të ketë vetëm një kuptim dhe shpjegim: Ndoshta shumë shpejtë këto lloj “ratifikimesh” do të ç’vleresohen, sepse e ardhmja mund të jetë Shqipëria e Bashkuar. Logjikisht, mbi këtë arsyetim kjo duket si një “humbje” e përkohëshme, që në fakt mund të ketë brenda zgjidhjen në perspektivë në favor të faktorit shqiptar në Ballkan.

Mund të jetë edhe kështu, por mosmiratimi i këtij demarkacioni nuk është kusht në perspektivën tonë kombëtare. Do të ketë rastë dhe duhet të ketë, kur edhe ne me të drejtë të thmi JO dhe vetëm JO. Kosova duhet të ketë zot.

Nëse ky opsion strategjik ka shumë rëndësi, atëherë për politikën aktuale ka rëndësi t’i përmbahet të vërtetës dhe jo mashtrimit me lojë kufijsh, “jo këtu e jo atje”.

Vallë nuk u bën përshtypje “heshtja” politiko diplomatike e Podgoricës dhe ç’vendosja e konfliktit dhe sherrit politik në Parlamentin e Prishtinës?!

Trasparenca përballë opinionit të shqetësuar shqiptar për këtë marrëzi politike, është rruga më e drejtë e kuptueshmërisë së vizionit të perspektivës dhe jo diktati politik i kastës udhëheqëse, e cila duhet t’i bëjë mirë llogaritë në kontekstin e pozicionit historik.

Në përmbyllje të kësaj analize të thjeshtë politike, po ju rikujtoj disa rreshta të Nobelistit francez D’ESTOURNELLES DE CONSTANT, një shekull më parë. [Senator, Nobelist i Paqes i vitit 1909, Sekretar i Komisionit të Caktimit të Kufijve mes Shqipërisë dhe Malit të Zi në vitin 1878]:

“UNË I KAM SHUMË BORXH SHQIPËRISË. [Je dois a’ l’Albanie beaucoup]. Fat i çuditshëm dhe tragjik; shqiptarët, viktima shekullore dhe megjithatë të pazvogëluar nga perandoria Osmane, u trajtuan si subjekte turke nga Fuqitë e Mëdha. Ata që i qëndruan fort sundimit, për të ruajtur zakonet, fenë, gjuhën, racën. Së fundi personalitetin e tyre, të ndryshëm nga gjithë të tjerët, Fuqitë e Mëdha e gjenin komode t’i injoronin, qoftë për t’i braktisur, qoftë për t’i rrjepur, qoftë për t’ua shitur atyre që këkojnë më fortë, ose atyre që paguajnë më shtrenjtë pazarin ndërkombëtar. Askush nuk u qante hallin shqiptarëve. Ata ishin vetëm. Voe soli! Ata nuk ekzistonin”.

Çfarë po ndodh sot pas një shekulli me Kosovën dhe politikën shqiptare?!

As më shumë e as më pak, po shfaqet në mënyrë mjerane në sytë e botës së qytetëruar brutalisht inferioriteti i skajshëm politik, paaftësia politiko diplomatike e disa njerëzve të paditur, por karrieristë të sëmurë politikë, të cilët kërkojnë të imponojnë marrëzitë e tyre politike, gjithmonë “në emër të ndërkombëtarëve”.

Kam vetëm një thirrje të zëshme për ju: Po ndihuni pak çaste shqiptarë të vërtetë mor të mjerë, vetëm pak çaste!

Share: