Home KRYESORE Servet Pëllumbi: A po përgatit Meta “tradhëtinë” e radhës…?

Servet Pëllumbi: A po përgatit Meta “tradhëtinë” e radhës…?

Profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi, në një intervistë për “Panorama” ka komentuar situatën politike dhe zërat për një krisje të koalicionit mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Pëllumbi ka theksuar se LSI-­ja duket e gatshme për t’u larguar nga koalicioni qeverisës, duke kërkuar një justifikim për të deklaruar prishjen. Në analizën e tij, profesori i së majtës është shprehur se koalicioni nuk është ndërtuar mirë dhe ndaj është i lëkundur.“Realisht koalicioni i mirëfilltë qeverisës PS­-LSI u ndërtua jo mirë dhe here pas here është lëkundur ndjeshëm, aq sa sot duket se LSI-­ja është në kërkim të një modus vivendi për ta deklaruar të prishur koalicionin qeverisës me PS-­në. Kjo, realisht, nuk është në interesin imediat të LSI-­së, por duket se presioni që po ushtrohet mbi lidershipin e saj është shumë më i madh nga ç’mund të mendohet…!

“Ngushëlluese”, mbase, mbetet vetëm deklarata e liderit të saj se “ende s’kanë lindur burra, as vendës e as ndërkombëtarë, që ta shantazhojnë atë!”, ka thënë ish­-kryetari i Parlamentit. Duke folur për qeverinë e majtë, ish-kreu i Parlamentit, Servet Pëllumbi, ka theksuar se qeverisja ka shtuar pakënaqësinë te shtresat e varfra të shoqërisë, për shkak të mungesës së transparencës dhe mungesës së ndershmërisë. Për Pëllumbin problem janë dhe sjellja e ministrave, që, sipas tij, është shoqëruar me një eufori.

“Në të vërtetë ka rritje të pakënaqësive, veçanërisht në shtresat më vulnerabël të shoqërisë sonë. Dhe këtu qeveria meriton të kritikohet, sidomos për mungesë ndershmërie e transparence, për një lloj euforie “ministrash” në raport me reformat që jo gjithmonë kanë mbajtur parasysh prioritetet dhe amortizimin e plagëve sociale të shkaktuara prej tyre…”, ka thënë Pëllumbi.

Profesor Pëllumbi, lidhur me politikën e ditëve të sotme, që vazhdon të dominohet nga Reforma në Drejtësi, ç’prirje vihen re dhe a besoni se kjo reformë do të çohet deri në fund e do të zbatohet për të mbyllur shtigjet e pandëshkueshmërisë dhe për të realizuar pastrimin e politikës dhe të organeve të Drejtësisë nga korrupsioni që i ka mbërthyer?

Për më tepër që opinioni publik vazhdon të jetë skeptik… Nuk duhet pasur asnjë dyshim që kjo është reforma më e thellë, më serioze, më largpamëse e shpëtimtare për të ardhmen e vendit dhe të demokracisë në Shqipëri. Zgjatja e saj, si rezultat i kompleksitetit konstitucional, por edhe i frikës që ka mbërthyer të gjithë ata që në vite kanë abuzuar me pushtetin, sidomos “politikanët që rrojnë e pasurohen nga politika” (M.Veber), dëshmon se përligjet krahasimi i saj me çlirimin e dytë të Shqipërisë, kësaj here nga diktatura e korrupsionit dhe e degradimit të pluralizmit politik të vendosur në dhjetorin e vitit 1990.

Pavarësisht nga rezistenca, reforma do të realizohet doemos; Së pari, sepse këtë e kërkon dhe e mbështet mbi 90 për qind e shqiptarëve; Së dyti se pro reformës janë politikanët dhe juristët e ndershëm, sidomos të rinjtë në moshë, që nuk mungojnë as në partitë politike dhe as në organet e Drejtësisë dhe të shoqërisë civile; Së treti se në mbështetje të Reformës së Drejtësisë, si asnjë herë tjetër, është angazhuar faktori ndërkombëtar, SHBA dhe BE, që duan një Shqipëri të lirë nga korrupsioni, të aftë për të luajtur rolin e vet si faktor i rëndësishëm stabiliteti dhe zhvillimi në Ballkan, si një vend demokratik që meriton integrimin në NATO dhe në Bashkimin Europian. Populli shqiptar ka për t’u qenë përjetë mirënjohës.

Dhe së katërti se tashmë ekzistojnë shembuj konkretë e shumë domethënës në vendet e “demokracisë së re”, ku tashmë është realizuar reformimi i politikës dhe drejtësisë. Një fjalë e urtë nga Devolli thotë: “Hidh prapa, të gjesh përpara”! Këtë kërkon Reforma në Drejtësi në thelbin dhe destinacionin e vet. Ndërkaq, duhet me qenë vendosmërisht kundër mosmirënjohjes, kundër hipokrizisë së atyre që hedhin gurin e fshehin dorën, duke u shtirur se mezi po presin sa të përfundojë “Reforma”! Asnjë shpresë nuk duhet pasur te kjo kategori qeniesh!

Më duken të gabuara edhe disa deklarime të natyrës: “Të miratojmë Reformën e Drejtësisë dhe të mbyllim tranzicionin”; apo “miratimi i reformës –shans për të mbyllur tranzicionin”…! Mendoj se kemi të bëjmë me gjëra të ndryshme, prandaj nuk duhet, as të fajësojmë tranzicionin si koncept politik dhe as nuk duhet identifikuar ai me korrupsionin e politikës dhe të drejtësisë. Në rrafshin politik, tranzicioni politik, sipas mendimit tim, ka përfunduar me kohë për pasojë vendi nuk kërcënohet nga kthimi prapa në komunizëm, por nga korrupsioni, nga paaftësia dhe mungesa e një demokracie funksionuese. Gjithsesi, Reforma në Drejtësi kurrsesi nuk duhet identifikuar as me një betejë politike kalimtare!

Z.Pëllumbi, pas kësaj analize që i bëtë politikës nga këndvështrimi i Reformës në Drejtësi, ç’koment do të kishit për qeverisjen që këto ditë mbush tre vjet punë, po për koalicionin PS­-LSI?

Në një prononcim tuajin në fillim të gushtit jeni shprehur se si pasojë e “një trysnie të frikshme, ky koalicion do të prishet”. A i qëndroni këtij mendimi sot?

Para se t’i përgjigjem kësaj pyetjeje të rëndësishme, më duhet të hap një parantezë lidhur me sistemin politik në Shqipëri. Vitin e kaluar botova librin “Pluralizmi i dytë”, në të cilin u përpoqa të argumentoja se rreth 120 partitë e regjistruara as pas 25 vjetëve nuk përbëjnë e aq më pak të veprojnë si një sistem, sepse ende nuk dinë apo nuk duan të komunikojnë normalisht midis tyre, të dialogojnë e bashkëpunojnë nga pozita demokratike e partneriteti. Kjo ka pasur ndikimin e vet negativ, që nuk është dhe aq i vështirë për t’u testuar dhe njohur. Gjithsesi, është fakt që pas 25 vjetëve pluralizëm besueshmëria ndaj politikës, zgjedhjeve të lira, koalicioneve, aleancave dhe marrëveshjeve reciproke, ka ardhur duke rënë me shpejtësi.

Disa prej partive vështirë t’i dallosh nga bizneset familjare e klanore fitimprurëse, sepse çdo hap që hedhin, çdo kandidim për poste politike a detyra drejtuese në administratën shtetërore, e kushtëzojnë dhe e konvertojnë në vlera monetare e favore klienteliste marramendëse! Kësaj situate do t’i shtoja edhe rritjen e shpejtë të përdorimit nga politika e nga media të atyre, që nga sociologjia politike, quhen “teknologji të pista”. Kjo, sidomos në raport me zgjedhjet periodike dhe manipulimin e opinionit publik, që mundësohet nga përdorimi gjithnjë e më gjerësisht i mjeteve telekomunikimit masiv.

Në të vërtetë, mjetet elektronike e lehtësojnë shumë verifikimin dhe dallimin e informacionit të rastësishëm nga ai thelbësor, apo dhe nivelin e mbajtjes së premtimeve që i bëhen elektoratit, sidomos gjatë zgjedhjeve. Po ashtu, është fakt që njerëzit, si rregull, nuk presin sensacione, as retorikë në vend të realizimeve konkrete. Këtu dhe duhen kërkuar rrënjët e zhgënjimeve, të distancimit, deri dhe masiv, të njerëzve nga partitë, duke preferuar qëndrimin mënjanë, pra apatinë politike, që fatkeqësisht ka ardhur duke u rritur.

Si duhet kuptuar më konkretisht mekanizmi i presionit që bëjnë ato që ju i quani “teknologji të pista”? Shumë thjesht. “Teknologjive të pista” u duhet të bëhen gjithnjë e më të sofistikuara në manipulimin e opinionit, kurse “porositësve të mallit mediatik” që të paguajnë gjithnjë e më tepër. Simbioza “nëm­na”! Në këtë rrafsh, partitë që ndijnë mungesën e buxhetit hyjnë në lloj­lloj marrëdhëniesh korruptive me biznesin, pse jo dhe me krimin e organizuar që fillon të dominojë institucionet. Mekanizëm vetëshkatërrues për politikën që ushqehet “nga frika e humbjes” dhe që si objektiv kryesor bën strategjinë e baltosjes së kundërshtarit, më e pakta dobësimin me çdo mjet të figurave të forta partiake e sidomos të atyre qeverisëse.

Të karfosur nga “strategjia e mundjes së armikut”, politikanët e këtij kallë­ pi, si rregull, harrojnë të llogarisin efektin bumerang të përdorimit të “teknologjive të pista”. Gjithsesi, mbase, këto “teknologji politike” “gjejnë shesh e bëjnë përshesh”, në kushtet kur ka shumë vërejtje dhe të pakënaqur nga qeverisja e Rilindjes? Në vështrim të parë, ato që thashë pak më parë duken si “teori e kulluar”, por në të vërtetë përfaqësojnë një realitet konkret dhe ndihmojnë për t’u përgjigjur në pyetjen tuaj. Më konkretisht, nuk ka qeveri që të moskritikohet, sidomos në rastin tonë të tanishëm pas tre vjet qeverisjeje në kushtet e

krizës dhe të trashëgimisë negative të lënë nga qeverisja e PD-­së. Natyrshëm, ka e do të ketë jo pak premtime të pambajtura dhe njerëz të pakënaqur. Madje, që të duket sikur numri i të mposhturve nga varfëria dhe pesha e zhgënjimeve është rritur me shpejtësi. Veçanërisht në “sinoptikën opozitare”, që te ne nuk njeh ngjyrë tjetër, veç të errëtës! Në të vërtetë ka rritje të pakënaqësive, veçanërisht në shtresat më vulnerabël të shoqërisë sonë.

Dhe këtu qeveria meriton të kritikohet, sidomos për mungesë ndershmërie e transparence, për një lloj euforie “ministrash” në raport me reformat që jo gjithmonë kanë mbajtur parasysh prioritetet dhe amortizimin e plagëve sociale të shkaktuara prej tyre.. Njëherësh, ka dhe mjaft zhvillime pozitive dhe arritje jo të pakta, prandaj nga testimet sociologjike del se është shumë herë më i madh numri i realistëve, i atyre që shohin mundësitë e kufizuara të shtetit në kushtet e ekonomisë së tregut dhe të mburrjes se “Shqipëria është vendi më privat në botë” (Berisha), apo që vlerësojnë të ardhmen pozitive të reformave të realizuara efektet e të cilave nuk duken e as preken menjëherë dhe nga të gjithë njëlloj.

Në tërësinë e vet, Shqipëria ndihet më mirë, më e vlerësuar, me të ardhme më të sigurt dhe më afër integrimit në Bashkimin Europian. Për pasojë, rrethi i tyre që thoshin se “Shqipëria nuk bëhet”, është duke u ngushtuar gjithnjë e më shumë. Kjo do parë si prirja kryesore e zhvillimeve të sotme. LSI­ja, që është pjesë e koalicionit qeverisës dhe PD­-ja, forca kryesore opozitare, kanë kërkuar qeveri teknike. Është kjo një kërkesë e përligjur nga dobësitë e qeverisjes, apo shprehje e frikës se reformat dhe qeverisja trevjeçare në total kanë sjellë një teknologji tjetër të zgjidhjes së problemeve dhe modele të reformave, që PD-­ja nuk mundi t’i bënte?

Është e natyrshme që një opozitë konstruktive të paraqesë mocion mosbesimi për qeverinë për të parë kurbën e besimit të elektoratit, por është nonsens, në rrafshin demokratik e parlamentar, të kërkosh qeveri teknike kur qeveria ka shumicën në Parlament, miraton ligje, reforma thelbësore, madje dhe kode me votim të cilësuar. Për më tepër, kur në vend nuk ka ndonjë krizë të përgjithshme politike, apo situata kur ata që “janë lart” nuk qeverisin dot, kurse ata që “janë poshtë”, pra elektorati, nuk do të qeveriset më nga qeveria e ardhur në pushtet përmes votës 2 vjet e gjysmë më parë. Në demokraci, rrotacioni i pushtetit bëhet përmes votës, si rregull, një herë në katër vjet. Nuk shoh arsye bindëse për të devijuar nga një rregullsi e tillë demokratike.

Ndërkaq, nuk mund të mos ngjallin habi, por edhe revoltë të ligjshme deklarimet e kreut të PD­-së L.Basha: “Vendimi është marrë, nuk ka zgjedhje me Edi Ramën Kryeministër” ( RD, 06.08.2016). Me të drejtë lindin pyetjet: nga kush qenka marrë vendimi, kur dhe ku dhe a ka ndonjë gjë të përbashkët ky kërcënim me kulturën minimale demokratike? Gjithsesi, habia më e madhe ka të bëjë me qëndrimin e dyzuar të LSI­së, me ftesën drejtuar PS­së “për të mos sulmuar opozitën” me arsyetimin se “një ditë do të jemi në vend të saj”!.

Apo kur kërkohet qeveri teknike bashkë me PD­-në, apo në mbështetje të saj. Njerëzit me të drejtë pyesin: Mos po përgatitet “tradhtia” e radhës ndaj së majtës, e konkretizuar me prishje të koalicionit qeverisës si pjesë e “vendimit” të shpallur nga L.Basha “nuk ka zgjedhje me Edi Ramën Kryeministër”? Mos mendohet se “barka­qeveri” po mbytet dhe duhet larguar për t’u shpëtuar përgjegjësive të përbashkëta në kërkim të një ekuilibrimi të “ri” politik “konsensual” në pragun e zgjedhjeve të afërta? Qofsha i gabuar, por dilema të tilla janë bërë temë e ditës në mjedise nga më të ndryshmet, sidomos poshtë në bazë.

Pra, ju profesor vazhdoni ta shihni realisht të kërcënuar koalicionin PS-­LSI dhe si të pamundur ripërtëritjen e tij në funksion të zgjedhjeve të ardhshme?

Po, edhe sot unë i qëndroj prononcimit telefonik, të bërë në fillim të gushtit për gazetën tuaj nga qyteti i bukur turistik i Pogradecit, sepse realisht koalicioni i mirëfilltë qeverisës PS-­LSI u ndërtua jo mirë dhe herë pas here është lëkundur ndjeshëm, aq sa sot duket se LSI-­ja është në kërkim të një modus vivendi për ta deklaruar të prishur koalicionin qeverisës me PS-­në. Kjo, realisht, nuk është në interesin imediat të LSI-­së, por duket se presioni që po ushtrohet mbi lidershipin e saj është shumë më i madh nga ç’mund të mendohet…! “Ngushëlluese”, mbase, mbetet vetëm deklarata e liderit të saj se “Ende s’kanë lindur burra, as vendës e as ndërkombëtarë që ta shantazhojnë atë!”./ Panorama.al Aristir Lumezi

Share: