Home KRYESORE BIRN: Ja si iu ul dënimi me 14 vite biznesmenit trafikant

BIRN: Ja si iu ul dënimi me 14 vite biznesmenit trafikant

Prokuroria e Fierit apeloi gjatë kësaj jave vendimin e gjykatës së Fierit, i cili konvertoi dy vendime gjyqësore të gjykatave italiane, duke i ulur 14 vite burg biznesmenit Fatmir Kajolli.

“Është absurd fakti që në vendimin e zbardhur nga gjykata, ajo nuk ka llogaritur masën e dënimit të dhënë nga drejtësia italiane, duke e zeruar atë,” i tha BIRN, një prokuror i rrethit gjyqësor Fier, i cili foli në kushte anonimati.

“Shuarja e masës së dënimit, të dhënë nga një gjykatë e huaj nuk është në kompetencat e gjykatës shqiptare,” shtoi prokurori, duke e kundërshtuar me forcë vendimin e dhënë nga gjykata e Fierit.

Fatmir Kajolli është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare apo dhe atë italiane. Ai njihet si një ndër biznesmenët e qytetit të Fierit por dhe i angazhuar në politikë.

Për katër vite ai ishte anëtar i Këshillit Bashkiak të qytetit, pasi u zgjodh në procesin elektoral të vitit 2011 nën siglën e Partisë Republikane. Ndërsa në zgjedhjet e vitit 2015, së bashku me dy djemtë e tij, u përfshi në një konflikt gjatë procesit zgjedhor.

Ai është dënuar në vitin 2003 nga Gjykata e Apelit në Milano, në Itali, me 16 vite burg për veprat penale të pjesëmarrjes në një “organizatë kriminale, trafikim, prodhim dhe posedim të lëndëve narkotike,” pasi është gjetur fajtor se në bashkëpunim me persona të tjerë, ka kryer trafikimin e 6 kilogramëve heroinë dhe 1 kilogrami kokainë në gusht të vitit 2008.

Po ashtu, ndaj tij, Gjykata e Romës në vitin 2008, ka vendosur dënimin me 6 vite burg për veprat penale të “pjesëmarrjes në organizatë kriminale dhe shkelje të ligjit për narkotikët,” i gjetur fajtor se në bashkëpunim me persona të tjerë, ka trafikuar 10 kilogram heroinë.

Kajolli është arrestuar në mars të këtij viti, bazuar në kërkesën e autoriteteve italiane për njohjen e dy vendimeve penale ndaj tij.

Për llogari të drejtësisë italiane biznesmeni fierak u arrestua edhe në vitin 2011. Por gjykata e Shkallës së Parë të Fierit refuzoi kërkesën për ekstradim, duke argumentuar se vendimi i gjykatës së Romës nuk jepte garanci se Kajolli nuk do të vuante edhe dënimin në Milano, me të shkuar në Itali.

Me datë 10 mars, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier i është drejtuar Gjykatës duke kërkuar njohjen e vendimeve të gjykatave italiane. Kërkesa e Prokurorisë është kundërshtuar nga mbrojtja e Kajollit, e cila ka pretenduar se për vendimin e gjykatës së Romës, ka dhënë njëherë vendim në vitin 2012, duke e refuzuar kërkesën e autoriteteve italiane për ekstradimin e tij.

Në datën 5 shtator gjyqtarja e Shkallës së Parë në Fier, Maltilda Shala, ka dhënë një vendim për njohjen e masës së dënimit ndaj biznesmenit Fatmir Kajolli, duke i konvertuar dy vendimet e dhëna nga gjykatat italiane në vetëm në 8 vjet heqje lirie. Gjykatësja Shala e ka konvertuar dënimin e gjykatës së Milanos nga 24 vite burg në 8 vite burg, ndërsa ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së Romës me 6 vite burg.

Duke iu referuar nenit 55 të Kodit Penal, i cili thotë se “kur gjykata çmon se kryerja e shumë veprave penale nuk tregon rrezikshmëri të madhe të fajtorit, mund të japë si dënim përfundimtar dënimin më të rëndë që ka caktuar për një nga veprat penale;” Shala ka bashkuar dy dënimet, duke i konvertuar ato në 8 vite burg gjithsej.

Vendimi i Shalës e ka çuditur Prokurorinë e Fierit, e cila e cilëson atë si të pabazuar në ligj dhe të paargumentuar. Por megjithatë, të dhënat e disponuara nga BIRN, tregojnë që ky nuk është vendimi i parë i dyshimtë i marrë nga gjyqtarja Shala.

Në mars të vitit 2015, Shala ka refuzuar ekstradimin e në Itali të Arben Isufajt, i njohur gjithashtu me nofkën Ben Qimja, për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike.

Isufaj ishte akuzuar nga një gjykatë e Torinos për trafikim të kokainës dhe lidhje me një organizatë kriminale.

Prokurorët italianë kishin mundur të provonin se Isufaj kishte trafikuar në disa raste, mes 2004 dhe 2005, në bashkëpunim me të tjerë sasi të mëdha të kokainës nga Holanda në Itali.

Bazuar në akuzat e ngritura kundër tij, gjykata e Torinos kishte lëshuar një mandat-arresti ndërkombëtar.

Megjithatë, kur çështja doli përpara trupit gjykues shqiptar në mars 2015, gjykata e apelit të Torinos e kishte hedhur poshtë akuzën për organizatë kriminale, duke lënë vetëm akuzën e trafikimit të narkotikëve, gjë që ishte mjaftueshëm për gjykatën shqiptare që të refuzonte ekstradimin.

“Mandat-arresti europian është lëshuar bazuar në një vendimi që nuk është në fuqi,” shkruan gjykatësja Matilda Shala në vendimin e saj për të refuzuar ekstradimin dhe lirimin e Isufajt. /Birn

Share: