Home KRYESORE Rama, “mushkonjat e droguara”, ambasadori amerikan dhe gjethja lakuriqe e kanabisit

Rama, “mushkonjat e droguara”, ambasadori amerikan dhe gjethja lakuriqe e kanabisit

Nga Dritan Laci

Ra prapë. Dhe për dreq pikërisht kur kryeministri po fliste gjithë pathos për sukseset në luftën kundër kanabis. Dhe për më dreq akoma, prapë një mushkonjë e droguar. Edhe pse qeveria thotë se e ka mbyllur me kohë fushatën e dezinfektimit nga ajri, duket se mushkonjat me helikë në qiellin e Shqipërisë, janë shumuar aq shumë, aq sa, sa herë kryeministri flet për mushkonja të ngarkuara me drogë në mendjet e droguara të opozitës, aq herë ato shfaqen zhurmshëm në ajër duke lëshuar zukatjen e radhës.

Pikërisht ashtu si ndodhi me Riformaton. Kur opozita fliste për avionë me drogë që ngarkoheshin në Shqipëri dhe zbrazeshin në Itali, kurse kryeministri Rama i quante mushkonja të droguara që pickojnë opozitën. Por që sa herë që Rama thotë janë mushkonja po aq herë për mallkimin e tij ato bien si bekim nga qielli në dosjen e kanabisit të opozitës që e ka kthyer në kauzën e saj më madhore denoncimin e përfshirjes së qeverisë në trafikun e lëndëve narkotike.

Ashtu sikurse sot kur një tjetër italian uli “mushkonjën” e tij në fushat e Ishmit. Edhe këtë radhë për dreq në një pistë të improvizuar 1.5 km të gjatë. Për rastësi ashtu si kolegu i tij Riformato edhe Guido po bënte një xhiro qiellore në bukuritë e rrethinave të Durrësit, aty ku jeshilllëku i pamatë i fushave me kanabis shkrihet me blunë e Adriatikut dhe nga ku për 1.30 min udhëtim mund të shijosh një drekë të rehatshme dhe sakaq të pasur me fibra me familjen në Itali.

Ku edhe këtë herë Rama edhe pse opozita ja tundi para syve foton e avionit të rënë vetëm pak metra larg fushave me kanabis, ju hakërrye kundërshtarëve të tij politikë me gjithë arsenalin e arrogancës duke u thënë: “Shkoni tundjani ambasadorit amerikan, jo mua”.

Tani nuk na ngelet vetëm të presim ambasadorin Lu të na shpjegojë se ç’lidhje ka me mushkonjat me helikë. Interesimit tim në sektorin e vektorëve në Institutin e Shëndetit Publik, që merren eksluzivisht me luftën kundër mushkonjave tigër dhe anofele më të përhapurat në Shqipëri, se çlidhje kishte ambasadori amerikan me mushkonjat me helikë që fluturojnë në lartësi të mëdha, këta të fundit mu përgjigjën me një ngritje koke në shenjë habie. Po kështu mu përgjigjën edhe në laboratorin e lëndëve narkotike. Askush nuk e njihte si specialist në departamentin ku punonte.

Tani përgjigjen duhet të na e japë ose ambasadori Lu ose vetë kryeministri. Që këtë herë avionin që ra në Ishëm duhet të gjejë gjethe më madhësi tropikale që ta mbulojë, pasi nuk ka fushatë dezinfektimi që ta shpartallojë nga qielli i Shqipërisë, aq shumë sa është shumuar./Opinion.al

Share: