Home KRYESORE Syri: Rama i frikësuar nga protesta, zbardhet urdhëri për deputetët!

Syri: Rama i frikësuar nga protesta, zbardhet urdhëri për deputetët!

Duket se kryeministri Edi Rama, çdo ditë e më shumë po e kupton shtrenjtësinë e faturës që i duhet të paguajë që tani pa ardhur zgjedhjet, për vendimin që ka marrë për të rikthyer ligjin për importin e mbetjeve.

Përveç valës së revoltës së qytetarëve që po ngrihet me shpejtësi çdo ditë dhe që pritet të finalizohet ditën e shtunë, “Syri. Net” ka mësuar se Rama nuk i ka punët mirë me këtë çështje, edhe brenda rradhëve të tij. Mënyra sesi u iniciua, lobua dhe u kalua ky ligj vetëm nga një grup i vogël ligjvënësish afër kryeministrit si Eduard Shalsi, Ervin Bushati dhe Besnik Bare ka ngjallur pakënaqësi dhe po reflekton në flegmatizmin e shumicës së deputetëve dhe ministrave të Ramës, për të bërë mbrojtjen e tij tani që kundërshtia e shoqërisë civile dhe medies së pa kapur është intesifikuar.

Mbrojtjen e asaj që kanë bërë duke tradhtuar votuesit, aktualisht po bën vetë kryeministri dhe 2-3 deputetët e mësipërm të cilët duket se “janë marrë vesh” me përfaqësuesit e industrisë së mbetjeve apo edhe me grupe të tjera interesi të dyshimta.

Kjo në rradhë të pare, por edhe karta morale për të cilën kryeministri nuk mendoi fare duke “harruar” se pikërisht këta deputetë dhe ministra të sotëm 3 vite më parë bombardonin qytetarët me deklarata kundër importit të plehrave, ka krijuar një situatë të papritur për atë;

Ai tashmë ka ngelur gati i vetëm me një grusht njerëzish përballë opinionit publik dhe medieve që po ia zbërthejnë në detajë lojën e madhe që ka bërë për këtë çështje.

Shumica e anëtarëve të grupit parlamentar deklarojnë në konfidencë, se ata e bënë ashtu me kokën ulur detyrën e tyre ndaj kryeministrit duke votuar më datë 22 shtator ligjin në fjalë, por vetëm kaq. Tani mbrojtja publike i takon atyre që kanë lobuar me ata që kanë interesa të mëdha financiare pas importit të plehrave. Por ajo që duket se e shqetëson më shumë kreun e PS-së është një valë pakënaqësie dhe “pishmanllëku”, e shprehur nga ligjëvënësit socialistë nëpër medie për këtë situatë.

Duket qesharake mënyra sesi po vepron Edi Rama. Fiks si “kofini pas të vjelit” ai po sqaron opinionin publik dhe anëtarësinë e PS-së të kapur në befasi se çfarë është ky ligj, cilat janë të mirat e ekonomisë pas implementimit të tij pak ditë më pas, pse nuk ka rreziqe për shëndetin dhe mjedisin etj etj.

Të gjitha këto ai duhej t’i bënte përpara miratimit të këtij ligji, por deri në ditën e votimit gjithçka u mbajt gati në fshehtësi mes një grupi të vogël që bisedonte vetëm me biznesin e plehrave, me disa përfaqësues të kapur turpshëm të shoqatave ambientaliste dhe jo me publikun.

I detyruar nga kjo situate, mësohet se dje kryeministri Rama u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste që të jenë aktiv për mbrojtjen e kësaj çështjeje, por edhe të jenë të kujdesshëm me interpretimin e ligjit dhe gjatë debateve me Partinë Demokratike.

“Kini kujdes me ligjin e plehrave dhe debatet e PD-së për të. Duhet ti mëshoni faktit që ligjin e keq e ka bërë PD-ja kur ishte në pushtet. Ne e hoqëm atë, kurse ky është tjetër gjë…”, ka trajnuar Rama deputetëve socialistë për mbrojtjen e asaj që ka “katranosur” vetë, pa i pyetuar ata.

Nga burimet brenda këtij takimi mësohet se kryeministri, ka qenë tejet i nervozuar dhe i shqetësuar dhe ka kërkuar në formën e një urdhri nga të gjithë deputetët që të “mos fshihen” por të angazhohen më tepër në debatet publike.

Në funksion të kësaj pas urdhërit “kamikaz” që u dha anëtarëve të grupit parlamentar, Rama për të njëjtën çështje ka thirrur një një takim tjetër me ministrat, kryetarët e komisioneve dhe kryesinë e Grupit Parlamentar. Porositë në këtë mbledhje kanë qenë, në lidhje me domosdoshmërinë, që në këtë situatë të jenë të gjithë të bashkuar dhe të mos lejojnë që situata t’u shkasë ashtu si ndodhi me armët kimike.

Është folur gjithashtu për detajet e asamblesë së PS-¬së, mbledhja e së cilës është vendosur që të mbahet në njëjtën ditë dhe orë me protestën për mbetjet (1 tetor, ora 11.00), por në periferi të kryeqytetit, në Xibrakë.

Aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë të zakonshëm kanë palajmëruar se do të mblidhen në një tubim të madh para monumentit të 100 vjetorit të Pavarësisë, për të marshuar më pas drejt kryeministrisë dhe të qëndrojnë aty deri sa të marrin një përgjigje nga kryeministri, nëse reflekton siç bëri me armët kimike siriane.

Por kryeministri duket se e ka më kollaj t’u thotë “jo”, partnerëve strategjikë siç janë SHBA-të dhe NATO, se sa biznesmenëve dhe organizatave të tjera të dyshimta që qëndrojnë pas trafikut të plehrave.

Mësohet se Rama ka urdhëruar që mbledhjen e asamblesë ta shndërrojnë në një ngjarje të madhe mediatike, një paradë e sukseseve 3-vjeçare, me qëllim të vetëm që të sfumohet protesta e qytetarëve. Për këtë janë dhënë porositë që ekranet televizive të jenë të gjithë të uzurpuar nga “spektakli” i Rilindjes.

Syri.Net ka kontaktuar sot me organizatorë e protestës për këtë plan të Ramës dhe ka mësuar se edhe ata e kanë një “Plan B”

Pasi na konfirmuan se interesimi për pjesëmarrjen nga qytetarët është deri tani tejet i madh dhe priten mijëra qytetarë edhe nga rrethet, thanë që turma do të lëvizë edhe drejt vendit ku do të zhvillohet “Asambleja e tradhtarëve”.

Organizatorët janë të vendosur që të rrethojnë lokalin ku do të mbahet asambleja e PS-së te “Xibraku” edhe me kosha plehrash mbi të cilët do të jenë të shkruar, emri i Edi Ramës më së shumti, por edhe i deputetëve të tjerë që votuan dhe mbrojnë këtë ligj, të cilin ata e cilësojnë si “antipopullor”. /Syri.Net/

Share: