Home KRYESORE Ilva Tare: Për listat dhe kryetarët e tyre

Ilva Tare: Për listat dhe kryetarët e tyre

Nga Ilva Tare

Demokracitë e shëndetshme varen nga rregullat e pashkruara, shkruante “The Economist” në editorialin e kësaj jave, kushtuar uljes në nivele banale të debatit presidencial në Amerikë nga kandidati, Donald Trump.

Shprehja me sa duket është e vlefshme për vendet me demokraci të shëndetshme dhe duhet një analizë e gjerë për të përcaktuar shëndetin e një demokracie. Mënyra e funksionimit, mekanizmat që e vënë në lëvizje, transparenca, pjesëmarrja e qytetarëve, pluralizmi i ideve dhe partive, inkurajimi për t’u ndjerë pjesë e vendimmarrjes, lejimi i mendimit kritik dhe ndryshe nga ai i udhëheqësve të partive, meritokraci, shanse të barabarta për drejtësi, kurim, edukim, kujdes social. Këto janë disa nga elementët që ndihmojnë në cilësimin e një demokracie në shëndet të plotë.

Siç është lehtësisht e dallueshme në renditjen e përbërësve të demokracisë funksionale, në Shqipëri një e tillë është ende dëshirë, e humbur në kasafortat e majme të interesave të gjithëkontrolluesve të pushtetit, që janë antiteza e demokracisë. Pas rënies së regjimit të Hoxhës, në politikën shqiptare ka dominuar stili autokrat i politikanëve dhe fatkeqësisht edhe të rinjtë në moshë kanë trashëguar mentalitetin e unit të plotfuqishëm, ose thënë në mënyrë të figurshme të vrasësve të demokracisë së shëndetshme.

Të gjithë kryetarët që kanë qenë në kolltukun e qeverisë që janë në pritje për t’u ardhur dita e konsumimit të kundërshtarevë, kanë sjellje të ngjashme me pushtetin partiak dhe ekzekutiv. Janë të njëjtët emra që kanë dominuar jetën politike në 25 vjet dhe që duken të vendosur për të mbetur vendimtarë edhe për dekadën e ardhshme. Sigurisht, alibia e votimit nga populli është e pranueshme. Por ajo që nuk thuhet është se sa të shëndeshme kanë qenë demokracitë e brendshme të partive që kanë mbajtur të njëjtët lider për vite e vite me rradhë.

Dhe nuk thuhet sepse nuk ekziston. Strukturat partiake, administrata publike dhe shteti ligjor, që janë pararoja e një demokracie funksionale, janë në nivele të trishtueshme, siç është një shaka e hidhur. Në vend të rregullave të pashkruara, në Shqipëri kemi statute të shkruar që nuk respektohen kurrë. Në vend të moralit politik, në Shqipëri ekziston një ligj për dekriminalizmin, një parlament dhe kryetarë bashkish me precedentë penalë. Ka edhe të penalizuar nga ligji që përjashton individë nga jeta publike. Por ata nuk janë lehtësisht të identifikueshëm sepse nuk janë në majat e pushtetit partiak dhe administrativ, por në nivel specialistësh apo rojëtarë të sigurisë.

Ka edhe një ligj që detyron hapjen e dosjeve, por Autoriteti përkatës është paralizuar pa filluar ende punë. Ka një Kushtetutë të re që synon të krijojë një Republikë të Shqipërise me një drejtësi të barabartë për të gjithë, por politika po lëviz gur dhe hunj për ta vonuar në pamundësi për ta bllokuar. Kanë në dorë të reformojnë sistemin zgjedhor dhe t’i japin jetë një demokracie pjesëmarrëse dhe të shëndetshme. Por nuk do ta bëjnë. U duhen ushtarët e partive që të kryejnë të njëjtin funksion në pushtet, të papagallojnë fjalimet e shkruara nga kryetarët dhe t’i shërbejnë atyre pa i sfiduar me rregullat e transparencës dhe respektimin e demokracisë së brendshme.

Kryetarët e mëdhenj të partive nuk i duan listat e hapura sepse u ikën pushteti mbi listën dhe renditjen. Edhe sikur të mos jenë të vërteta pazaret e përfoluara për para dhe favore, sërish është më mirë të rrethohesh nga njerëz pa personalitet ose me dosje të vjetra dhe të reja sesa nga individë me integritet. Nuk ka garaci që elektorati do të bëjë zgjedhje për individë të shkëlqyer, por të paktën popullit do t’i jepet mundësia edhe të gabojë. Kryetarët as këtë mundësi nuk ua japin. Pasi ata s’mund të heqin dorë nga kontrolli mbi fitoret dhe dështimet, sepse ata kanë shpikur mekanizmin qesharak të të shpallurit fitues edhe kur humbasin. Kur rregullat e shkruara nuk respektohen dhe kur integriteti shndërrohet në handikap, sigurohet vazhdimësia e humbësve, autokratëve, ose politkanëve të konvertuar në budistë me shpresën se shqiptarët do të budallallepsen pas fjalëve dhe retorikave boshe. Kështu funksionojnë demokracitë e dështuara, si Shqipëria.

Share: