Home KRYESORE “Kufiri, ky ndarës i madh i shqiptarëve”

“Kufiri, ky ndarës i madh i shqiptarëve”

Nga Albert Z. ZHOLI (shkrimtar, publicist)

Libri i ri i studiuesit të historisë Harallamb Kota, përbëhet nga dy pjesë, të cilat gjithsesi janë të lidhura historikisht dhe plotësojnë njera-tjetrën. Pjesa e parë e librit, është një vështrim i shkurtër mes fotografive dhe komenteve të figurave patriotike të gjithë historisë shqiptare që në lashtësi deri në ditët e sotme. Pjesa e dytë e librit, trajton refleksione rreth veprës së Dr. Nuçi Kota “Shqipëria dhe çështja e kufijve Shqiptaro -Grek”.

Për të qenë korrekt në sytë e lexuesve për mesazhin patriotik të librit dhe ndjenjat e tij patriotike, autori, në mënyrë modeste, por dhe të bazuar në dokumente historike të sakta, ka përcjellë dhe historikun e fisit Kota për mëse 2 shekujsh, një familje me taban të theksuar kombëtar, që i ka dhënë disa figura të shquara Shqipërisë.

Në tërë kohështrirjen e librit, komenteve, refleksioneve, ngjarjeve, autori nxjerr në pah thënien magjike të Pashko Vasës, se, “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Kuptohet që, kur Pashko Vasa e shkroi atë thënie, ishte një domosdoshmëri historike, pasi Shqipëria ishte nën pushtimin osman, shqiptarët pothuajse e kishte humbur indentitetin dhe u detyruan me dhunë dhe taksa të ndryshonin fenë e tyre në myslimanizëm.

Feja e Shqiptarit është Shqiptaria, do të thotë që Shqiptari vë Shqipërinë mbi çdo gjë tjetër. Një thënie e tillë, ishte Kryefjala e ditës në kushtet e rrezikimit të ekzistencës si komb, ku gjuha shqipe pengohej të shkruhej dhe të flitej. Nën këtë thirrje, më pas ecën të gjithë rilindësit dhe patriotë të shumtë shqiptarë, që vunë jetën e tyre në shërbim të gjuhës, kombit, flamurit… Naim Frashëri formulonte: “Lëreni më nj’anë fenë të shikojmë mëmëdhenë” . Në juglindje të Shqipërisë një këngë rreth viteve 1912, këndohej vargu: “Sos për mua a për ti, por për gjithë Shqipëri” Më tej

Mitrush Kuteli shkruan :

Jam Shqiptar e Kosovar,
zot e krenar,
mbi kët dhe që kam si fe
kam Vatan e kam Atdhe!

Po në ato vite, në 100-vjetorin e lindjes së Naimit, Lasgush Poradeci, në shkrimin e tij “Shoqëria e Bukureshtit dhe Naim Frashëri”, deklaronte: “Ishte çështje fetare, punë feje, feja e Shqiptarit – ishte feja e shqiptarisë dhe për fenë flasin profetët, jo njerëzit. Për fenë e shqiptarëve do të fliste profeti i kombit shqiptar: Naim Frashëri”.

Mbas viteve 1990, Rexhep Qosja shprehet “Shqiptaria është bibla dhe kurani i çdo shqiptari “. Autori, Harallamb Kota, për mëse tre vjet ka shëtitur jo vetëm territorin e Shqipërisë, por të gjithë Shqipërinë Natyrale, duke fotografuar të gjitha figurat historike shqiptare që në lashtësi dhe duke sjellë një historik fotografik tepër domethënës që flet sa mijëra fjalë. Për të thyer mënyrën e prezantimit të librit, në disa foto, autori ka bërë prezantimin me prozë poetike, e cila sjell një ngrohtësi dhe pse nuk mund të prezantohen si poezi të mirëfillta. Kjo mënyrë komunikimi bëhet më shpirtërore, më e thjeshtë dhe më akumuluese. Në libër gjen direkt apo indirekt figurat e shquara si, Jeronim De Rada, Themistokli Gërmenji, Isa Boletini, Bajram Curri, Mihal Grameno, Elena Gjika, Hasan Tahsini, Fan Stilian Noli, Zef Jubani, Jani Vreto, Vaso Pasha, vëllezërit Frashëri, Çerçiz Topulli, Bajo Topulli, Kostandin Kristoforidhi, Ismail Qemali, Mithat Frashëri, At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Faik Konica, Eqërem bej Vlora, Avni Rustemi, etj…Nëpërmjet fotografive dhe komenteve të shkurtra të këtyre personaliteteve atdhetare që bënë Shqipërinë, autori jep mesazhin e qartë ndaj politikës së sotme shqiptare, ndaj dashurisë për atdheun: Kthejini sytë nga Rilindasit! Në pjesën e dytë të librit, autori përcjell referatet dhe diskutimet për librin e bukur dhe tejet sinjifikativ të Dr. Nuçi Kota, “Shqipëria dhe çështja e kufijve Shqiptaro – Grek”.

Referatet e Akademik Beqir Meta, Prof. Bardhodh Gaçe, Prof. Ago Nezha, Prof. Pernaska, Prof. As. Bernard Zotaj, Porf. As. Zaho Golemi, historianit, Bashkim Qeli, Dr. Asllan Zemani, Prof. Lush Susaj, etj, nxjerrin në pah se, doktoratura e tij është me vlerë të veçantë për historinë e Shqipërisë, sidomos me shumë interes për historinë e marrëdhënieve me Greqinë. Duke qenë një punim tepër serioz dhe shkencor, doktoratura me tezën, “Shqipëria dhe çështja e kufijve Shqiptaro-Grek”, i dha mundësinë Dr. Nuçi Kotës, për tu punësuar në vitin 1945 si mësues i frëngjishtes dhe i historisë në shkollën e mesme private Ronsard-Montesquieu të Parisit. Në referatet del qartë se, Dr. Nuçi Kota ishte erudit dhe poliglot.

Nuçi Kota i donte gjuhët, ndaj mësoi e fliste, veç shqipes, gjuhës së të parëve, frëngjishten si francez i lindur, anglishten si gjuhë pune, latinishten, gjermanishten dhe italishten si gjuhë kulture. Pikërisht në atë vit që ai mbaroi doktoraturën, mori lajmin e rrëmbimit të Koços, babait të tij, nga forcat e sigurimit sovjetik të ndihmuar nga EAM-i grek dhe transportimin e tij nga Selaniku në Shqipëri. I ati i kishte shërbyer Shqipërisë dhe kishte qenë kryeministër në mbretërinë shqiptare të Mbretit Zog-I. Në tërë referatet del qartë se, Dr. Nuçi Kota është tepër i kujdesshëm në kujtesën historike kur parashtron arsyen e ardhjes së popullsisë fshatare greke në trojet etnike shqiptare, që sipas tij, “ishte nevoja ekonomike” dhe “kërkesat për krah pune nga feudalët e fuqishëm shqiptar”. Shqiptarët, të administruar politikisht në katër Vilajete, kërkuan autonominë e tyre nën qeverisjen e Portës së Lartë.

Kërkesat e tyre të paraqitura qysh në vitin 1877, për krijimin e një Shteti Shqiptar u kundërshtua nga shtetet ballkanike dhe veçanërisht nga Greqia. Pas këtij viti, lindën pikësynimet e qarqeve shoviniste për të copëtuar territoret shqiptare të vilajeteve; të Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës, për t’ja shkëputur Perandorisë Osmane dhe për t’i përfshirë brenda territoreve të shteteve të tyre. Tokat shqiptare, thotë autori, u përdorën për të kënaqur orekset shovene të fqinjëve tanë dhe për të zgjidhur konfliktet midis Fuqive të Mëdha. Në qëndrimin e tyre antishqiptar ata mbështeteshin në disa koncepte. Bismarku deklaronte, që “nuk ekziston komb shqiptar”.

Diplomacia Europiane nuk besonte në aftësinë shtetformuese të shqiptarëve, pasi sipas tyre; “Shqiptarët duke pasur katër besime fetare, nuk mund të krijonin një homogjenitet kombëtar dhe si pasojë nuk mund të krijonin shtetin e tyre”. Greqia, pas mbarimit të Luftës II Botërore, u paraqit para kancelarive të aleancës anglo-sovjeto-amerikane me një pretendim sa absurd aq dhe qesharak. Sipas tyre, fakti që territoret jugore të Shqipërisë, krahina e Gjirokastrës dhe Korçës u çliruan nga ushtarët grek gjatë luftës italo-greke, vërteton që këto territore janë greke dhe duhet ti kthehen Greqisë. Lufta, sipas nacionalistëve grekë, tregoi rëndësinë e ndryshimit të kufijve shqiptaro-grek në favor të Greqisë dhe rëndësinë e përcaktimit të vijës kufitare midis shteteve sipas kufijve strategjik. Pra këto janë dy pjesët e ndërtimit të librit të ri, të të studiuesit patriot Harallamb Kota. Ky libër është një vlerë e shtuar në krijimtarinë e tij, por mbi të gjitha një zë i fortë patriotik, për të gjithë shqiptarët kudo në botë, që të ecim në gjurmët e Rilindësve.

Pse?

Shqiptarët sot, do përballen me shumë sfida të mëdha e komplekse. Vetë faktori shqiptar në Ballkanin Perëndimor është sfidë më vete, sepse është politikisht i fragmentuar, ndodhet në nivele të ndryshme demokracie, në shkallë të diferencuara zhvillimi ekonomik, niveli kulturor e avancimi integrues. Me gjithë përpjekjet e mëdha të Rilindësve (shekulli 19-të), të Lidhjes Shqiptare (1878), të Lidhjes së Pejës (1899), të Lidhjes së Junikut(1912) dhe të vetë Kuvendit të Vlorës (1912), për t’u unifikuar në një Vilajet Shqiptar – sërish kjo përpjekje nuk u realizua dot nga periudha 1878-1912. Kombi shqiptar ngeli në katër Vilajete.

Këto Vilajete shqiptare u bënë baza e hartës së “Shën Stefanit”, të Kongresit të Berlinit, të Konferencës së Ambasadorëve nga 1877-1913. Për këtë mosrealizim kombëtar veproi disa herë radhazi koalicioni ndërkombëtar i Krizës Lindore, i përbërë nga Perandoria Osmane, Fuqitë e “Koncertit të Vjenës” dhe shtetet monarkiste fqinje. Ky fakt historik ka lënë gjurmë politike e kulturore të thella, në mjaft aspeke të pakorrigjueshme. Në politikën e jashtme dhe në diplomaci, Franca udhëhiqet edhe sot nga doktrina e Kardinalit Rishëlje për “reason d’etat” dhe “balance of poëer”; në Britaninë e Madhe, politika e jashtme udhëhiqet edhe sot nga mbajtja e ekuilibrave të brishta kontinentale si dhe transatlantike në dobi të qetësisë ishullore dhe Comonëelth-it; në ShBA i qëndrohet parimit që politika e jashtme është instrumenti i interesave kombëtare amerikane dhe shtetasve të saj kudo në botë; në Rusi, vijon e sofistikuar strategjia e Aleksandrit II; në Gjermani, politika e jashtme udhëhiqet nga trashëgimia më e mirë e Bismarkut, “të fuqishëm brënda e paqësor jashtë”; në Austri vijon doktrina e Meternikut dhe e Andrashit, ndaj Rusisë, në Evropë Qendrore dhe ndaj Ballkanit; në Stamboll ekziston ende politika e influencave tradicionale Ballkaniko- Kaukaziane neo-otomane; në Greqi vijojnë ndikimet e “Megali-Idesë” tek ”Vorio Epiri”; në Serbi, akoma i qëndrohet tezës pan-serbe MANU” në Ballkan; në Itali, vijon ëndrra e “perandorisë së diellit” në Mesdhe…e kështu me radhë. Pra, rrotacionet e sistemeve ndërkombëtare dhe të mandateve politike kombëtare nuk shoqërohen kurrsesi me rrotacione të politikës së jashtme. Ndryshime ka politika e jashtme, por jo rotacionet strategjike. Politika e jashtme është shumë solide, e qëndrueshme, konservatore dhe rezistente në sfidat e kohës.

Politika jonë lypet ta ketë mirë parasysh këtë fakt ndërkombëtar dhe të veprojë në përputhje me këto zhvillime, pasi jo më tepër se disa ditë (19 shtator 2016) Ambasadorja greke në Tiranë theksoi: Tri pikat e debatuara mes Tiranës zyrtare dhe Athinës, ligji i luftës, problemi çam dhe delimitimi i zonave detare, mbeten në tryezë pa asnjë moment përafrimi. Në një intervistë për “Albanian Daily News”, ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Eleni Sourani ka konfirmuar qëndrimin e Greqisë për këto çështje:

1-“Lidhur me delmitimin e kufirit detar mes dy vendeve, do të doja të vija në dukje se kjo nuk është një çështje e pazgjidhur, përderisa ka një marrëveshje të nënshkruar në vitin 2009, e cila u hartua me kujdes dhe bazuar në Konventat e OKB-së dhe ligjin e Detit dhe që në vështrimin tonë i shërben interesave të të dyja vendeve.

2-Mbi të ashtuquajturën çështje “Çame”, mendoj se ministri Kotzias, gjatë vizitës së tij në Tiranë qershorin e kaluar, dha një analizë shumë konkrete të pozicionit tonë dhe nuk ka nevojë ta përsëris. Çamët e Greqisë (dhe duhet t’i ndajmë nga çamët e Shqipërisë) lanë vendin në fund të pushtimit gjerman, duke ndjekur tërheqjen e trupave gjermane, nga frika e reprezaljeve që mund të kishte si pasojë e bashkëpunimit të liderëve të tyre me forcat okupatore…Në fund të luftës, incidente të tilla ndodhën kudo në Europë.

3-Gjithsesi më lejoni të vë në dukje se qytetarët e kujtdo vendi, që kanë pretendime pronësore në Greqi, mund t’i kërkojnë ato duke iu drejtuar gjykatave greke dhe sistemi gjyqësor grek, me të vërtetë i pavarur, do të prononcohet për çdo rast”, tha Sounari, sipas “Respublica”. Pakti detar Berisha-Karamanlis i firmosur nga ish-ministrat e jashtëm Basha dhe Bakojanis u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Athina vijon të përsërisë, se nënshkrimi në nivel qeveritar është përfundimtar dhe i mjaftueshëm. Këto janë problemet shqiptare (që thekson me nëntekst, autori), ndaj politika duhet të ec me moton e rilindësve “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Ky është dhe mesazhi i këtij libri.

Share: