Home KRYESORE Maqedonia vijon te jete ne udhekryq. Si do veje e ardhmja e...

Maqedonia vijon te jete ne udhekryq. Si do veje e ardhmja e saj?!

Nga Prof. Dr. Lisen Bashkurti

Maqedonia po shkon drejt zgjedhjeve te parakoheshme. Pasiguria po rritet dita me dite.
Paqartesite per te ardhmen e ketij vendi Ballkanit sa vijne e shtohen. Dilemat jane komplekse. Jane politike, etnike dhe gjeopolitike.

Te gjithe aktoret e brendshem duken kaotik. Nderkohe aktoret aktiv nderkombetar, BE, ShBA, NATO e Rusia vijojne te kryqezojne shigjetat mbi mjedisin e paqendrueshem te
Maqedonise.

Prej kohesh Maqedonia eshte perfshire ne nje krize te thelle dhe komplekse me karakter politik, etnik, institucional, social ekonomik dhe gjeopolitik rajonal. Vitin e fundit krizen e shpertheu publikisht skandali i pergjimeve nga segmente te larta te Qeverise. Ndersa muajve te fundit ketyre dimensioneve te krizes i eshte shtuar edhe kriza e refugjateve nga Lindja e Mesme me gjithe pasojat e saj.

Shkaktare kryesore e kesaj situate te rende eshte partia VMRO-DPMNE dhe Nikola Gruevski, qe prej afro nje dekade qeverisin Maqedonine pa parime demokratike, por me politika nacional-raciste dhe segregative, me metoda korruptive dhe mafioze, me veprime konspirative, me sjellje autoritariste si dhe me orientime gjeopolitike te dyshimta nderkombetare.

Mjerisht barren e deshtimit te rende te Gruevskit e mbajne edhe bashkepunetoret e bashke-qeverisesit e tij, BDI e Ali Ahmetit dhe PDSH e Menduh Thacit. Keto dy parti shqiptare dhe lideret e tyre gjate bashke-qeverisjes me Gruevskin nuk arriten asnjehere t’i imponohen VMRO-DPMNE dhe vete Gruevskit per jetesimin e plote te Marreveshjes Kuader te Ohrit, e cila eshte sabotuar qellimisht nga qeverite maqedone nga gushti 2001 e kendej.

Nese Maqedonia eshte ne kolapsin e krijuar nga VMRO-DPMNE dhe Gruevski, faktoret politike shqiptare atje jane futur ne kaos te thelle. Duket qe kriza maqedone ka sjelle coroditje akoma me te madhe nder shqiptaret dhe institucionet e tyre politike perfaqesuese.

Lidershipi i vjeteruar shqiptar, por edhe lideret e rinj duket te jene shume konfuz. Agjendat politike te tyre nuk konvergojne ne aspektet themelore per te drejtat e komunitetit shqiptar bazuar ne Marreveshjen e Ohrit. Luftrat politike personale po behen shume konfliktuale. Percarja ne nivele politike duket se po shtrihet edhe ne nivele njerezore. Pra nuk ka sinergji mendimesh dhe qendrimesh mbare shqiptare.

Ne kete situate shume kritike politika dhe diplomacia e dy shteteve shqiptare, e Shqiperise dhe e Kosoves nuk po tregojne vemendjen e duhur lidhur ndaj lidershipit shqiptar ne Maqedoni.

Qe te menjanohet kaosi politik ndershqiptar ne Maqedoni lypet te synohen orientime me te qarte dhe te konverguara te te gjithe spektrit politik shqiptar ne ate vend. Eshte e domosdoshme qe te kete agjenda me te koordinuara ndermjet aktoreve politik shqiptar. Ne qender te konvergimit te agjendave duhet te jete synimi strategjik i unifikuar per implimentimin e plote te Marreveshjes se Ohrit.

Marreveshja Kuader e Ohrit nuk ka alternative politike. Ajo perben nje marreveshje ku aktore kombetare dhe nderkombetare ne gusht te vitit 2001 shmangen konfliktin nderetnik, inicuan reformen kushtetuese dhe hodhen bazat juridike dhe institucionale per nje shtet demokratik e multietnik ku te garantoheshin lirite dhe te drejtat e njeriut dhe te komuniteteve etnike.

Marreveshja Kuader e Ohrit eshte sabotuar sistematikisht nga VMRO-DPMNE gjate viteve te qeverisjes se saj. Ligjet themelore per perfaqesimin respektiv te shqiptareve ne gjithe institucionet jane zbatuar pjeserisht dhe ne menyre selektive. Ligji per gjuhen shqipe as qe eshte konsideruar ne nivel shtetetor. Ligji e masat per trajtimin ish luftetareve dhe invalideve te UCK jane injoruar teresisht. Ligji per perdorimin e simboleve te identitetit shqiptar eshte akoma selektiv e diskriminues. Shanset per zhvillim ekonomik e social midis shqiptareve dhe maqedoneve vijojne te jene mjaft diskriminuese.

Nivelin me te larte te diferencimit nderetnik te zhvillimit urban, infrastrukturor e kulturor e nxorri ne dukje projekti “Shkupi 2014”. Ky projekt qe konsumoi mbi nje miliard euro u udhehoq nga filozofia nacionaliste-segregative Maqedone “Back to the Future”, pra te projektohet e ardhmja mbi mite te falsifikuara te se kaluares.

Ndekohe qe ky projekt fals butaforik shpenzonte miliona euro ne pjesen Lindore te Shkupit, ne pjesen Perendimore te tij qytetaret shqiptare perjetojne nje jete si ne geto pa rryme, pa uje, pa infrastrukturen minimale. Akoma me e rende eshte situata e lagjeve, objekteve dhe siteve historike dhe arkeologjike te tyre.

Nderkohe qe Qeveria Maqedone shpenson miliona euro per te ngritur realitete historike false, gjithcka nga e kaluara reale e shqiptareve po zhytet ne baltat e harreses dhe te rrenimit. Shume tragjike: genjeshtrat maqedone marrin jete; te vertetat e shqiptareve po vdesin.

Shqiptaret ne Maqedoni kane nevoje emergjente per mbeshtetje nga shtetet e tyre fqinje. Shqiperia dhe Kosova kane peshe thuajse determinuese per mbrojtjen e interesave te shqiptareve ne Maqedoni. Per kete ato kane mbeshtetjen e instrumentave juridik nderkombetar, evropiane dhe euro-atlantike. Pasiviteti i ketyre dy shteteve perballe krizes Maqedone dhe rrenimit te shqiptareve atje eshte i paarsyetuar.

Shqiperia ne menyre te vecante e ka detyrim te saj kushtetues per te mbrojtur te lirite dhe te drejtat e shqiptareve ne Maqedoni. Mbrojtja e ketyre te drejtave i kontribuon stabilitetit te brendshem te Maqedonise dhe te gjithe Ballkanit Perendimor. Ne rastin e krizes se thelle ne Maqedoni, diplomacia shqiptare lypet te jete shume aktive e konstruktive dhe jo pasive e retorike.

Nderkombetarisht njihet qe asesi nuk jane shqiptaret shkaktare te krizes aktuale ne Maqedoni. Shqiptaret vetem po vuajne pasojat e saj. Maqedonia eshte ne dilema te medha, te cilat i ka krijuar politika nacionaliste, raciste, antidemokratike dhe anti Perendimore e Gruevskit dhe bashkepunetoreve te tij.

Tendenca e lidereve maqedonas vijon qe per cdo krize te hedh fajin mbi shqiptaret. Kjo damkosje e pabaze duhet te marre fund. Edhe per kete nevojitet roli aktiv dhe konstruktiv i diplomacise se Tiranes zyrtare ne bashkepunim me Prishtinen, me faktorin politik mbare shqiptar ne Maqedoni si dhe me partneret Euro-Atlantik.

Kriza aktuale e Maqedonise mund te eskaloje ne nivele e permasa shume te rrezikshme, qe do te reflektoheshin ne stabilitetin e brishte te Ballkanit Perendimor. Ketij eskalimi duket se po i ndihmojne bllokimi Grek per emrin si dhe ofensiva e Rusise per interesa gjeopolitike.

Dihet tanime se Maqedonia ka ngjallur oreksin e Rusise, nderkohe qe Rusia po ringjall nostalgji te dukshme te aktoret e lideret kryesore te Maqedonise. Ne kete stuhi krize Maqedonia po lekundet gjeopolitikisht midis Perendimit dhe Rusise.

Ne kete luhatje euro-ruse te Maqedonise vetem faktori njerezor dhe politik shqiptar ka qene dhe mbetet solid dhe konsistent pro Euro-Atlantik. Por, mjerisht faktori njerezor dhe politik shqiptar ne Maqedoni vijon te jete i dobet, i perqare, konfuz dhe me lidership te paafte dhe moralisht te kompromentuar.

Kriza ne Maqedoni mund te fashitet me zgjedhjet e parakoheshme. Por vetem nese keto zgjedhje do te jene te lira dhe te ndershme. Per garantimin e zgjedhjeve te lira e te ndershme nevojitet nje prezence e larte dhe energjike nderkombetare. Nder faktoret nderkombetar me me ndikim jane BE dhe ShBA.

Prandaj lypet ne menyre emergjente prania me e madhe dhe nderhyrja me energjike e ShBA dhe BE per mbajtjen zgjedhjeve te lira dhe te ndershme si dhe per nxjerrjen e Maqedonise nga spiralja e krizes ku eshte futur prej afro nje dekade.

Maqedonia vijon te jete ne udhekryq. Si do veje e ardhmja e saj?!

Share: