Home KRYESORE Ironia e Patozit: “Suksese në jetë Ilir Beqja”

Ironia e Patozit: “Suksese në jetë Ilir Beqja”

Deputeti i PD-së, Astrit Patozi ka reaguar i pari nga radhët e opozitës për përgjimet e ministrit Beqaj, i cili shkarkon një drejtor shëndetësie në Tropojë se nuk shkoi në mbledhjen e partisë. Patozi shkruan se është luks që Beqaj të akuzohet apo sulmohet sot për këtë veprim, ndërkohë që pas tij fshihen skandale edhe më të mëdha se sa heqja nga puna e një militanti.

Komenti i Patozit me titull: “Sukese në jetë Ilir Beqja”

Eshtë luks i madh që dikush nga opozita të merret sot me arsyet e shkarkimit nga detyra të një socialisti nga Tropoja, pasi ky i fundit ka përgjuar telefonatën me ministrin e vet. Aq më tepër, kur në “scoop-in” e transmetuar, çuditërisht, nuk ishte kapërcyer pothuajse aspak etika dhe kodi i mirësjelljes.

Është luks i madh që ministrin e megaskandaleve të korrupsionit të kësaj qeverie në këto tre vjet ta akuzosh sot për shpërdorim detyre, se ka hequr nga puna një militant të partisë së vet, i cili nuk i paska shkuar në mbledhje.

Është më shumë se luks, mendoj unë, që këtë qeveri, e cila po i bën gjëmën çdo ditë vendit, gati në cdo aspekt, ta “kryqëzosh” për emërime dhe shkarkime politike brenda mazhorancës.

Sepse ndoshta mund të jetë rasti i vetëm, kur Ilir Beqja ka bërë një punë si ministër dhe buxhetit të shtetit nuk i kanë fluturuar qindra mijëra apo miliona euro. Saqë më vjen ta përgëzoj, se të paktën për këtë rast nuk kam ndonjë motiv të fortë si deputet i PD për t’u marrë me të.

Por po të isha pa punë dhe qejfli përgjimesh, mbase do t’ia vlente vërtetë. Ndaj për këtë rast “suksese në jetë Ilir Beqja! Nesër flasim ndryshe”.

Share: