Home KRYESORE Komuniteti Himarjot kuptoi dy gjera nga fjala e kryeministrit Rama ne parlament

Komuniteti Himarjot kuptoi dy gjera nga fjala e kryeministrit Rama ne parlament

Nga Nikollaq Neranxi, Komuniteti Himarjot!

Kur kryeministri nuk të lodh shumë për t’ia lexuar urrejtjen që ka për himarjotët!

Nga fjala e Kryeministrit Edi Rama sot në Parlament për çështjen e Himarës, ne si komunitet patëm mundësi të ndriçohemi akoma më shumë në dy aspekte:

E para; Rama konfirmoi se ka interesa personale në shkatërrimin dhe zhbërjen e Himarës. Sot për herë të pare, pas shumë insistimeve tona, himarjotët morën vesh nga Rama se cila do të jetë vala e parë e shkatërrimeve.

Momentalisht atyre iu kanë shkuar 8 njoftime nga Bashkia për të liruar shtëpitë për 5 ditë, pa bërë asnjë lloj bisede për kompensim.

Rama tha se do prishen 18 banesa nga të cilat vetëm 6 janë me dokumente pronësie. Po cilat janë? Askush nuk di asgjë, askush nuk na ka treguar asnjë projekt. Edhe në qofshin baraka pa leje, keni vendosur t’i shkatërroni dhe t’i nxirrni në rrugë të madhe ata njerëz zoti Kryeministër?

Ju e dini mirë se ata mund ta kenë ndërtuar barakën pa leje, por e kanë në tokën e tyre të trashëguar dhe çertifikatën e pronësisë së asaj toke nuk ia japin, sepse duan t’ja grabisin!

Ne prandaj ju sollëm në pushtet, që ta zgjidhni këtë problem dhe ju na e premtuat! Pra nuk ka transparencë në asgjë, sepse në Himarë nuk ka plan zhvillimi, ka thjesht grabitje dhe dëbim masiv.

Dhe ne e dimë mirë që plani juaj është të rrafshoni plotësisht Himarën dhe se jeni i bindur që t’i shkoni deri në fund këtij plani!!! Përndryshe sot do të flisnit se çfarë keni bërë për çertifikatat e pronësisë së zonës tonë!

E dyta, Rama na ndihmoi shumë me sinqeritetin e tij sot në Parlament. Ai tregoi se ka urrejtje të madhe për himarjotët. Kurrë më parë nuk kishte ndodhur që një kryeministër të fyejë (aq më shumë në një sallë Parlamenti), një komunitet të tërë.

E papreçedentë! Të thuash për himarjotët që janë ishullarë, kokëfortë, që s’duan njeri, edhe pse je duke cituar dikë tjetër, tregon që ju zoti kryeministër po përdorni gjuhë raciste me ne.

Njerëzit që mishërojnë këto lloj epitetesh, janë mendje-mbyllur, që s’duan njeri, që s’dinë të rrinë me të tjerët, që janë të trashë me një fjalë.

Ju shkuat e qëmtuat dikë që fliste keq për komunitetin tonë, ndërkohë që ne mund t’ju citojmë të tjerë autorë që flasin me superlativa për këtë komunitet si: të mençur, mikpritës, bujar, altruist dhe shumë trim.

Na keni ndihmuar shumë me fjalimin tuaj sot. Në këtë mënyrë edhe ndonjë himarjot që kishte akoma ndonjë dilemë që një djalë nga zona jonë nuk mund të na e punonte kështu, tashmë i ka idetë mëse të qarta. Është fat kur disa njerëz nuk të lodhin shumë për t’i lexuar!

Megjithatë për një gjë keni të drejtë Z. Rama, ne jemi shumë kokëfortë, por vetëm në një rast, kur dikush na bie në qafë. Nuk kthejmë nga rruga jonë derisa të fitojmë!

Tek videoja poshtë ju ftojmë të dëgjoni zërin e himarjotëve, këtyre njerëzve të thjeshtë që nuk kanë lidhje me politikën, ata thjesht duan të jetojnë në tokën e tyre, me djersën e tyre!

Share: