Home KRYESORE Gjenerata e re dhe protesta e 18 shkurtit 2017

Gjenerata e re dhe protesta e 18 shkurtit 2017

Vazhdojnë debatet televizive me “zjarr“, me “pasion” me çdo … mjet dhe çdo … analist, veçanërisht, me analistë që nuk e kanë problem “sepetin” me flamurë të Ismail Kadaresë te “Kronikë në Gur”.

O tempora! O mores!

Në këndvështrimin afatmesëm, në çdo lëvizje politike që ka shënuar kthesë në historinë e kombeve të mëdhenj, duke filluar nga Franca, Anglia, Gjermania deri te SHBA – të, përparësi e veçantë, si një hapës për dyert e epokave të reja, u identifikua rinovimi dhe përmirësimi i mjeteve që përdoreshin në politikë, në përputhje me nevojat dhe domosdoshmëritë e gjeneratës së re dhe perspektivës së gjeneratave që do vijonin.

Ndër të gjitha ato që kam lexuar, mbetet ende në kujtesën time ajo natë e acartë kur, pasi Mbreti i Anglisë iu vërsul Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vuri në diskutim pavarësinë e saj, “Baballarët“ e Pavarësisë dhe e thënë me plot gojën, u betuan për demokracinë dhe lirinë e qytetarit amerikan, gjithnjë: atëherë, më pas dhe deri më sot në emër të gjeneratave të reja.

“Tea Party – Ballo/Mbrëmja e Çajit“, ishte preludi i kalimit nga një rend autokratik në një rend demokratik, vetëm e vetëm për një arsye madhore: lirinë njerëzore të dhuruar nga Zoti për çdo individ dhe aq më shumë për një gjeneratë të re.

Çdo prind, qoftë baba ose nënë, mendon për fëmijën e tij, veçanërisht, për të ardhmen e saj/tij!

Vallë, a mund të mos mendohet ndryshe nga deri më dje, që protesta e nisur më 18 shkurt 2017, të mos jetë në opinionin publik një top kristali por, një protestë e llojit të tillë që përçon përafrimin e mjeteve të vërteta për një ushtrim aspak mekanik të formave të demokracisë.

Nëse këta analistë të shitur dhe të shpifur në sytë e qytetarit të ndershëm shqiptar do të hiqnin “syzet“ e errta të paguara nga sponsorë gangsterë më të këqinj se të viteve 30 – të, protestën do ta kundronin si një nismë për të krijuar një model që lufton për të shpjeguar se forcat demokratike të vendit po përpiqen që të kapërcejnë krizën me një tjetër sjellje, natyrisht si një domosdoshmëri tjetër, që nuk ekziston në Kuvendin e Shqipërisë.

Të kuptuarit dhe të analizuarit dhe aq më shumë të peshuarit si dhe menaxhimi i një proteste të tillë, besoj dhe ëndërroj se do të jetë një prej arteve të rrugëzgjidhjes më të mirë demokratike që, me sa duket, mund dhe duhet të ndërtohet, si dhe të përfaqësohet me anë të modelit që i përqaset gjeneratës së re.

Ftoj, me modesti, Zotin Lubonja dhe Profesor Fugën të japin kontributin e tyre mbi këtë temë dhe, ndoshta, edhe të tjerë do të orientohen në qoftë se e kanë kuptuar ashtu sikundër duhet deklaratën e Federica Mogherinit mbi tensionimin e situatës në Ballkanin Perëndimor.

Nuk jemi më në atë kohë kur “Kurva krihet, Stambolli digjet“!
Kasem Seferi – qytetar

Share: