Home KRYESORE Flet i fejuari i 12-vjeçares nga Librazhdi: Do rritet avash avash

Flet i fejuari i 12-vjeçares nga Librazhdi: Do rritet avash avash

“Pse beqar do të rrimë ne?” dhe “Ajo do rritet avash avash” ishin arsyetimet që 24-vjeçari Alfred Karaj dha në një intervistë për “Pasdite në Top Channel”, në lidhje me fejesën e tij me një vajzë 12-vjeçare.

Pak ditë më parë ky emision solli historinë e një 12-vjeçareje nga fshati Polis Sheh i Librazhdit që ishte fejuar nga prindërit e saj. Sot emisioni ka komunikuar me dhëndrin, i cili pretendon se gjithshka është në rregull me “fejesën” e tyre.

Alfred Karaj pretendon se vajza e mitur ka rënë dakord dhe është bërë një marrëveshje me bekimin e familjarëve.

“Jemi njohur me mbles. Goca ka rënë dakord, kanë ardhur njerëzit dhe kanë parë, gjithçka në rregull. Kemi bërë marrëveshje”, thotë ai. Pyetjes nëse ka dijeni se e kap ligji për martesë nën moshën 18 vjeç, Alfredi i përgjigjet: “Pse, do të rrime beqarë ne?”- tha i riu nga fshati Kaliveçi Gramshit.

I riu këmbëngul se vajza është 14 vjeç, duke e konsideruar këtë si moshë më të lejueshme.

“E kam pasur një herë vajzën në shtëpi, pastaj e kam çuar prapë lart”, rrëfen ai, duke iu referuar fshatit malor ku jeton nusja e tij 12-vjeçare.

Në ndryshim nga xhaxhai i vajzës, i cili më herët tha për “Pasdite në Top Channel” se prindërit e saj janë të papërgjegjshëm, Alfred Karaj ka një tjetër pretendim.

“Prindërit janë njerëz normalë dhe nuk dëgjuar asgjë për ta”.

Pas gjithë kësaj ngjarjeje që e vuri në qendër të vëmendjes, ai u mbrojt duke thënë se do ta presë vajzën të mbarojë shkollën, e më pas do të martohen.

“Nuk kam kushte ekonomike që ta çoj në shkollë të lartë, por të mesmen do ta mbarojë”.

Alfredi kërkon që të tjerët të mos ndërhyjnë në këtë situatë, sepse gruaja e tij s’ka ankesa për të dhe se është jeta e tyre private.

I pyetur nëse 12-vjeçarja e ka marrë e vetme këtë vendim, 24-vjeçari shprehet: “Do të rritet avash-avash”. /LAPSI.AL/

Share: