Home KRYESORE Kushtetuesja përmbys reformën – Rikthehet KLD-ja dhe Presidenti

Kushtetuesja përmbys reformën – Rikthehet KLD-ja dhe Presidenti

Nga Koha Jone

Dje Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për ligjin e statusit te gjyqtarëve dhe prokurorëve që gjendet brenda paketës së Reformës në Drejtësi dhe pikërisht ato nene të mbrojtura fort nga mazhoranca.

Kështu Presidenti Bujar Nishani do të vijojë të jetë në krye të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, deri në fund të mandatit. Edhe pse më 12 mars KLD pushoi së funksionuari sipas afateve ligjore, dje Gjykata Kushtetuese ka vendosur që ky organ të vijojë të jetë në funksion.

Gjykata ka zbardhur dje vendimin për ligjin për prokurorët dhe gjyqtarët të cilit iu rrëzuan 22 nene në seancën e 10 marsit. Gjithashtu kjo gjykatë ka vendosu,r që të mos ketë shkrirje të KLD deri në ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Ligji për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë, ishte ai që ndërpreu mandatin e KLD. Në nenin 277 pika 1, specifikohet që anëtarët e KLD humbasin mandatin e tyre në momentin që ngrihet Këshilli i Lartë Gjyqësor, mirëpo është vendosur një afat, pasi sipas tij, kjo gjë nuk mund të ndodhë më vonë se 8 muaj nga hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese.

Nëse kthehemi në kohë, Kushtetuta e re, e miratuar më 21 korrik, ka hyrë në fuqi më 11 gusht 2016. Atëherë, 8 muaj nga kjo datë do të thotë se më 11 mars 2017, KLD pushon së ekzistuari. Mirëpo nuk mendon kështu Kushtetuesja.

“Gjykata vlerëson se ky konstatim nuk mund të konsiderohet se përbën ometim kushtetues, pasi formulimi i pikës 5 të nenit 179 të Kushtetutës se “anëtarët e KLD-së e përfundojnë mandatin e tyre pas krijimit të KLGJ-së, por jo më vonë se zgjedhja e të gjithë anëtarëve të KLGJ-së, sipas ligjit” shpreh dhe synon të sigurojë vlerën kushtetuese të vazhdimësisë dhe koherencës institucionale, për rrjedhojë, funksionimin normal të KLD-së në periudhën kalimtare.

Për sa kohë vullneti i kushtetutëbërësit ka qenë që të mos ndërpritet funksioni i KLD-së, Gjykata vlerëson se KLD-ja ashtu si edhe organet e tjera ekzistuese kushtetuese do të vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre deri në konstituimin e plotë të organeve të reja kushtetuese dhe, në këtë kuptim, zbatimi i neneve 160/1 dhe 173/1 të ligjit duhet të jetë në përputhje të plotë me këtë interpretim të Gjykatës, në respekt të frymës së Kushtetutës”, shprehet gjykata në vendim.

Anëtarët e saj janë shprehur edhe për sa i takon qëndrimit të presidentit në krye të KLD, duke thënë se Kushtetuta e përcakton, që ai qëndron aty derisa të ngrihet KLGJ.

“Në lidhje me krijimin e KLGJ-së, kushtetutëbërësi ka përcaktuar një periudhë kalimtare prej tetë muajsh nga hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese, duke përcaktuar në nenin 179, pika 5 të Kushtetutës se anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) e përfundojnë mandatin e tyre pas krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), por jo më vonë se zgjedhja e të gjithë anëtarëve të KLGJ-së. Nga ana tjetër, Kushtetuta në pikën 12 të po këtij neni parashikon qëndrimin e Presidentit të Republikës si kryetar i KLD-së deri në krijimin e KLGJ-së”, theksohet më tej në vendim.

Share: