Home KRYESORE Femra dhe mashkulli/Sa e emancipuar është në të vërtetë shoqëria ku jetojmë?

Femra dhe mashkulli/Sa e emancipuar është në të vërtetë shoqëria ku jetojmë?

Nga Mariola Poro – Blogger –

“Emancipo vetveten nga skllavëria mendore!” [Bob Marley]

Por sa e emancipuar është në të vërtetë shoqëria ku jetojmë?

Shumë gjëra që dikur konsideroheshin tabu, tashmë janë më të pranueshme, të paktën në zonat urbane, por edhe aty, ka situata që mendjet e ngushta, i (pseudo)moralizojnë. Si pasojë, shoqëria nuk bën progres, por regres.

Paragjykohet kush flet hapur për seksin. Paragjykohet kush ka prirje seksuale të ndryshme. Paragjykohet një nënë single e shumë e shumë situata të tjera… Po ashtu, paragjykohen mendjet e hapura, kur flasin drejtpërdrejt, pa maska. Gjë që teorikisht e preferojnë të gjithë, por praktikisht druhen.

Druhen jo vetëm nga grupmosha më të mëdha, të rritur në një kohë e mentalitet tjetër dhe fanatikë të ideve, apo traditave të tyre, por druajtja ekziston edhe në mesin e bashkëmoshatarëve.

E si mund të druhesh të flasësh, apo ta përjetosh plotësisht seksin, pa ndrydhje, pa maska… kur është diçka kaq natyrale, diçka që ka lindur bashkë me gjallesat. Ekziston që në gjenezë. Është burimi parësor i jetës dhe… në mijëvjeçarin e dytë, të gjithë gojëkyçur… tabu… E pamendueshme si në vendin tonë, apo në shoqëri të tjera në zhvillim, ekzistojnë ende kaq barriera.

Është tepër e nevojshme të jemi të vetëdijshëm, që seksi është një portë që të lidh me hyjnoren, për t’i parë trupat tanë si enë të shenjta të forcës dhe dashurisë së madhe. Trupat tanë duhen konsideruar si të shenjtë, të mbushur me aftësinë për të kaluar përtej mbretërisë së fizikes dhe të bashkohen përmes aktit të seksit me hyjnoren.

Ne jemi qenie njerëzore, që ecim mbi këtë tokë dhe kemi atributet dhe potencialin që na ngre e na çon përtej sferës së fizikes e na shndërron në qenie të së pakufijshmes. Ndoshta ishin më përparimtare shoqëritë antike, ku ende sot vihet re ndër tempuj, që seksualiteti venerohej për fuqitë e tij rigjeneruese dhe trupat e grave nderoheshin për aftësinë e tyre për të sjellë një jetë të re. GRUAJA. Gdhendur aq madhërishëm e shpesh e zhveshur (por aspak vulgare), për të kuptuar nga të gjithë, që trupi i saj mban e përmban thelbin e jetës.

Pas mijëvjeçarësh shfuqizimi patriarkal, si gruaja, ashtu edhe seksualiteti, duhet të rishenjtërohet. Të mund të rinjihet edhe njëherë në trupat e grave dhe në vetë aktin e seksit, eksplorimi për në mbretërinë e vetëdijes së zgjeruar.

Ndoshta jetojmë në mijëvjeçarin e gabuar. Ndoshta sepse industria pornografike, i ka çuar njerëzit më afër fizikes e më larg shpirtërores. Ndrydhje nga ana e femrave e një shpërthim kafshëror nga ajo e meshkujve.

Ç’mund të bëjmë ne si shoqëri për ta ndryshuar gjithë këtë? Fillojeni nga vetja! Bëhuni shpesh pre e instinktit tuaj… e ndjenjës… e shpirtit! Shpesh mendojmë se po t’i mbajmë gjërat nën kontroll, do t’i parashikonim situatat, por të dalësh jashtë kontrollit, është kaq spontane… kaq bukur…

Dhe nuk bëhet fjalë këtu për tejkalim normash. Shoqëria fundja, këtë funksion ka. Shërben si rregullator i këtyre e të tjera situatave. Ekstremi është rrezikmbartës. Çdo gjë në dozën e duhur.

Po në vendin tonë, a ekziston një koncept holistik i seksit? A flitet në familje hapur me fëmijët mbi këtë fenomen dhe pse është ende kaq e pamendueshme edukata seksuale në shkolla? A ka ndërgjegjësim mbi sëmundjet seksualisht të transmetueshme? Mbi shtatëzënitë e padëshiruara? E pastaj si të mos përfundojnë adoleshentët të prekur nga probleme të tilla, deri në përjetim traumash!

Po nënat single? Përse përçmohen nga shoqëria?! Kjo femër duhet të shenjtërohet në sytë tanë. Për një arsye a një tjetër, i ka vënë vetë shpatullat jetës pa nevojën e një mashkulli që ndoshta i ka shërbyer thjesht si një figurë. Ndoshta e ka konsumuar të tërën deri në palcë e e ka braktisur, apo e ka braktisur ajo… Ende sa duhet të gjykojmë vendime të tilla për të tjerët, kur pikërisht këta të tjerë kanë gjetur zgjidhjen e duhur dhe kanë vazhduar rrugëtime të ndryshme me konsensus të plotë? Përse këtë nënë, këtë femër e sheh gjithnjë me kokën ulur? Përse ai engjëll i vogël duhet të ashtuquhet “bastard”?!

Të mos lëmë pa përmendur pastaj, kur një femër dëshiron të jetë nënë me vullnetin e saj të vetëm. Flas për femrën përparimtare, atë që nuk ndjen nevojën për mashkullin thjesht si një figurë në jetën e saj, por i drejtohet shkencës. Fertilizimi in vitro, apo opsione të tjera tashmë, janë përhapur në mbarë botën. Sheh femra të realizuara që kanë arritur pikun e tyre me sjelljen në jetë të një fëmije. Tremb përkufizimi “artificial”, por si mund ta konsiderosh artificiale një jetë, pavarësisht metodave me të cilën krijohet, zhvillohet e më pas vjen në jetën ku jemi të përfshirë edhe ne?! Nuk është më i ndryshëm se fëmijët e askujt. Do të ketë po të njëjtin ndikim në shoqëri si të gjithë e nuk do të jetë as më i mirë e as më i keq, kurrsesi.

* Ky shkrim nuk ka për qëllim të ulë figurën e mashkullit, përkundrazi, duhet të shërbejë si inkurajim për të bërë të pamundurën për t’u çliruar nga këto tabu, me qëllim që të gjithë, grua, burrë e fëmijë, përfshirë shoqërinë, të jetojnë në harmoni të plotë.

Share: