Home KRYESORE Demaliaj i përgjigjet Dervishit: Shantazh me biografi e dosje, jam gati të…

Demaliaj i përgjigjet Dervishit: Shantazh me biografi e dosje, jam gati të…

Nga Ilir Demaliaj

Në vazhdë të luftës së nisur afro tre dekada më pare në lidhje me shkrimtarin I.Kadare por dhe rolin e intelektualëve dhe artistëve dhe raportin e tyre me regjimin diktatorial, fallsifikimin që i kemi bërë dhe i bëjmë jo vetëm këtij raporti por edhe historise, publikova para disa ditësh një letër që Kadare i drejton Diktatorit. E publikovava sepse si dëshmitar dhe pjesmarrës i asaj periudhe, nuk mund të mos revoltohesha kur lexova një intervistë dhënë Die Welt kur ky për të mijtën herë manipulon historinë duke na bërë për budallenj. E botova sepse letra tregon mjerimin e intelektualëve shqiptarë në atë periudhë dhe demaskon gënjeshtrat e Kadaresë që kërkon të paraqitet si disident e kundërshtar i regjimit. Letra flet vetë për shërbimet që i ka bërë Kadare diktaturës, besnikërinë ndaj saj që e çon deri tek mbyllja e derës së motrës dhe thirrja gjith fisit që të bëjë kështu.

E prisja që një tufë sejmenësh që e shfrytëzojnë dhe shfrytëzohen nga Kadareja, si dje dhe sot, do të dilnin të më sulmonin. Midis tyre ngatërrohet nëpërkëmbë një njeri që nuk ka qenë kurre në radarin tim, Kstriot Dervishi. Bashkë me disa të tjerë ai pretendon se “Synimi i Demaliajt ishte manipulimi i opinionit publik në mënyrë që ky ta shihte Ismail Kadarenë si keqbërës të motrës së vet, për të ndërtuar perceptimin se kur është kaq i keq me të motrën, imagjino si duhet të ketë qenë me të tjerët.” Sipas Dervishit letra është shkruar për të mbrojtur të motrën.

Nuk dua të zgjatem mbi këtë argument. Letra është publike dhe kushdo është i lirë të gjykojë nëse është ashtu si thotë Dervishi apo unë.

Një pyetje kam unë për Dervishin dhe gjithë ata që pretendojnë kështu: nëse kjo letër është shkruar për të shpëtuar të motrën, pse shkruesit e disidencës së Kadaresë duke filuar nga e shoqja vetë nuk e kanë botuar atë për t’ia shtuar vargut të medaljeve prej disidenti, por e kanë mbajtur fshehur? Pse Dervishi e paska mbajtur 15 vjet pa e botuar apo pa ua dhënë këtyre shkruesve?

Nuk po zgjatem më me këto argumente.

Këtë përgjigje po e jap sepse në stilin e njohur të

Dervishit dhe shokëve të tij, në mungesë të argumenteve, kërkon të më delegjitimojë dhe shantazhojë me biografinë dhe dosjet dhe kjo më duket se është një problem më i rëndësishëm se rasti Demaliaj.

Dervishi shkruan: “Unë nuk jam as bir oficeri Sigurimi apo anëtari të Partisë së Punës, siç më rezulton Demaliaj. Nuk kam as të afërm që të kenë punuar në Sigurimi e as në burgjet e diktaturës.“ Shokë të Dervishët nisur nga kjo insinuatë nxituan të më “demaskojnë” duke thënë se letra ka dalë nga njerëzit e Sigurimit.

Po ju them nuk më shantazhoni dot dhe as nuk më intimidoni dot mua, as me biografitë familjare, as me kërcënime dosjesh dhe metoda të tjera që po përdorni njësoj si regjimi diktatorial. Do të vazhdoj luftën time kundër kësaj kulture të manipulimit dhe falsifikimeve dhe operacioneve plastike si qytetar dhe njeri i lirë jo vetëm nga këtu larg ku jetoj dhe punoj me djersën time si njeri i lire, por jam gati të vij të ballafaqohem edhe atje me ju dhe padronët tuaj.

Për mua personalisht, Kastriot Dervishi të lodhet se nuk do të gjejë jo nje dokument, por një gërme që të më kompromentojë me regjimin e kaluar apo vazhdimsinë e atij regjimi me padronët e tij.

Personalisht kam kërkuar publikisht hapjen e dosjeve nga viti 90, dhe këtë, jo për të bërë “gjueti shtrigash” por për t’u bërë një katarsis dhe për të kuptuar se si ka funksionuar diktatura që mos të na përsëritet më siç po na përsëritet me Kastriot Dervishin siç po bëjnë dhe me mua. Kjo është shkelje ligjore në funksion te detyrës dhe normalisht me këtë duhet të merret prokuroria në qoftë se ka shtet në Shqipëri. Fatkeqsisht dhe shteti dhe drejtësia dhe media, janë siç është dhe ish drejtori AMPB Kastriot Dervishi.
Me çfarë ligji ky njeri ka furnizuar shtyopin me materiale të arkivës duke vënë dhe emrin si shkrues dhe kontribues?

Kë ka furnizuar ky njeri me material shantazhues dhe në emër të kujt padroni apo në çfarë shkëmbimesh e favoresh e në emër të kujt ligji e ka bërë këtë?

Unë tim atë as e kam mohuar kur isha 16 vjeç dhe u arrestua për agjit/prop me nenin 55, edhe pse kjo na u kërkua me këmbëngulje nënës sime mua e vëllait tim që ishte 13 vjeç, nga kryetari hetuesisë në atë kohë Ali Korbi dhe Feçor Shehu ish zv ministri brëndëshëm, dhe as do ta mohoj për ju që kërkoni të më shantazhoni me faktin se im atë ka punuar si oficer i sigurimit të shtetit. Sa të ngjashëm jeni.

Nuk po flas këtu për kalvarin e vuajtjeve se nuk është krenari dhe mburrje persekutimi dhe vuajtjet e mia. Vuajtjet e mia janë parajsë para atyre që u pushkatuan, u burgosën, u interrnuan, vdiqën kampeve e.t.c. Meqë jemi në këtë pike, me sa di unë, një në listë e publikuar nga ju për njerëzit e hetuesive dhe sigurimit që kanë torturuar njerëz e kanë kryer krime, emri i tim eti nuk figuron kërkund, por n.q.s keni dokument që im atë ka qenë shkaktar për arrestimin e ndokujt, torturimin apo ka vrarë njeri nxirreni. Unë kam kurajon të ballafaqohem. Nuk do të më vijë mire, por nuk jam përgjegjës unë. Do ti kërkoj falje në emër të tim eti viktimës por nuk do të mohoj tim atë pse ma kërkojnë dervishët një gjë të tillë. Por turpi prapë tek ju do të mbetet sepse këto janë metoda të diktaturës.

Edhe disa pyetje kam për ju luftëtarë të vonuar të antikomunizmit.

Si shpjegohet që mbani një qëndrim të dyfishtë për të njëjtën temë kur gjykoni dhe dënoni këdo si komunist dhe mbroni dhe mundoheni të na nxirrni si disident si të ndjekur dhe persekeutuar nga regjimi komunist Deputetin e Kuvendit Popullor te regjimit diktatorial, nen/kryetarin e Frontit Demokratik, njeriun që ka vjellur vrer dhe helm kundër kolonës vertebrare kombëtare-antikomuniste, klerit katolik dhe kundër klasave të pëmbysura, që ka qindra faqe librash, vargje poezish, artikuj gazetash me emër e mbiemër të tij në përbetimet për partinë dhe Enver Hoxhën se pa ato ai do të ishte një mediokër një hiç, se në gjakun e tij rrjedh gjaku partisë?

A e dini ju se pas vdekjes së diktatorit ai i dërgoi letër gazetës Le Monde: “Populli shqiptar ka nje histori te gjate plot me kurtha, dhe eshte pikrisht per kete qe ai e din shume mire se per cilen arsye ai ndjen dhembje, si ai e çfare dhe perse ai duhet te jete ne zì. Emri i Enver Hoxhes eshte i lidhur perjetesisht me themelet, me historine dhe me ndertimin e Shqiperise se rè. Ja kjo qe percakton dimensionet e figures se tij, per rrjedhim, zìne e madhe. Per mua dhe per bashkevllezrit e mi eshte e çuditshme, qe gazeta LE MONDE (….) ka vendosur me kete rast deklaraten e nje krimineli siç eshte i biri i ish-mbretit Zog, te kesaj fantazme qesharake, i cili don te vendose perseri monarkine ne Shqiperi, ate monarki qe Franca e juaj ka rrezuar dy shekuj ma pare, ate per te cilen ajo me te drejte eshte krenare. Vetem njerëzit me qellimkeqinj mund te deshirojne qe te behet nje hap mbrapa ne historine e Shqiperise.”

Meqë jemi në kërkim të së vërtetës dhe hapjes së dosjeve, dhe ju si drejtor keni pasur akses në këto, a ju shkoi mendja të kërkonit dosjen e Renato Rapit dhe ta publikonit atë si krim i regjimt komunist të Sigurimit Shtetit? Një dosje identike si ajo e Asllan Rusit te cilin e mbytën me gjilpëra në psikiatri deri sa vdiq pse e donte vajza e diktatorit Enver Hoxha, ndërsa Renato është invalid ende sot në Amerikë nga gjilpërat që i përdorën në psikiatri pse e donte vajza e shkrimtarit “disident” Ismail Kadare?

Ju “antikomunistët” e 2017 si ka mundësi që bashkëpunoni dhe mbështetni, punoni dhe përbetoheni për komunistin 27 vjeçar Sali Berisha që ju udhëheq dhe ju përdor si patllake?

Si ka mundësi që Ismail Kadare merret ne mbrojtje sa here thuhet e vërteta e shkruar nga vetë ai, nga kryehetuesi i Shqipërisë në diktaturë Qemal Lame, nga ish bashkëpuntorë dhe njerëz të regjimit, nga prurjet e pas 1990 ne Tiranë si anonimë ku bëni pjesë dhe ju?

Ne hall të madh ka mbetur shkrimtari për faktin se kush ja bën avokatinë! Mjerim.

Në ç’emër të moralit apo të drejte i bëni këto?

Ja ja u them unë Kastriot Dervishi ju dhe gjithë sejmeneve mbrapa dhe para teje dhe padronëve tuaj, në emër të sundimit të regjimit djeshëm si vazhdimësi sot duke manipuluar, falsifikuar, shantazhuar gënjyer dhe duke abuzuar dhe rrënuar shtetin siç keni bërë dhe ju me arkivat.

Ja kjo është çështja.

Share: