Home KRYESORE Shpëtim Idrizi, varësja e çelësave të kuadrit nën timonin e Edi Ramës....

Shpëtim Idrizi, varësja e çelësave të kuadrit nën timonin e Edi Ramës. Nga Fatmir HOXHA

A mund të quhet “çam” ai që ka marrë përsipër të mbrojë Çështjen Çame por që ka humbur si sëpata pa bisht prej kohësh? Sot PDIU është e pëfaqësuar në Kuvend me 3 deputetë. Që të tre votojnë me konseguencë për pushtetin. Natyrisht timonin e ka i vetëm Edi Rama, siç e ka deklaruar, por diku pranë timonit janë edhe këta: SI MBAJTËSE ÇELSASH!

Nuk po ia hyj memecërisë parlamentare të këtij gjoja grupimi parlamentar që nga sajimi e deri sot. Por po sjell në vëmendje vetëm një heshtje kriminale për një zhvillim shumë të rëndësishëm të javës së kaluar.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, ai që dikur e quajti “Dhimitri” këtë Bushatin tonë, njoftoi një takim me homologun shqiptar për dialog.

Shpëtimi, që sllogan fushate kishte “Veç një atdhe”, nuk u duk kërkund. As që e çon njeri ndërmend se mundet t’u dalë zot çështjeve të atdheut dhe kombit as ky e as ata që ka rreth vetes, por të paktën, edhe për sy e faqe dhe kuptim të ekzistencës së tij politike, në rastin e takimit Bushati – Kotzias dhe atij të pritshëm këto ditë, duhej të qe prononcuar. T’i marrim me rradhë:

Ministri grek ka thënë: “.. me palën shqiptare do të dialogojmë në mënyrë që çështjet të mos na dalin sërish para. Dëshira është që problemet t’i zgjidhim si një paketë. Shkojmë në takim për të gjetur zgjidhje për sa më shumë çështje të mundemi….”

A është çështja çame në “paketë”? As ka pyetur e as ka thënë gjë PDIU e kryetari i saj!

Kur Kotzias thotë “palë”, në palën shqiptare a bën pjesë Idrizi, ndonjë nga deputetët e tij apo ndonjë përfaqësues i komunitetit çam?

Deri tani nuk kemi as edhe një fjalë të vetme nga ky grupim që “bën plaçkë” me emrin e përgjakur të Çamërisë martire!!

Por vazhdojmë më tej:

Kotzias ka vlerësuar si “zbutje”  tërheqjen e mëherëshme të qeverisë shqiptare nga prishja e ndërtimeve në Himarë.

“Ishte vendim i mirë të mos prisheshin godinat në Himare. Ishte një vendim i mirë nga pala shqiptare, në drejtimin e duhur….”.

Ndërkohë dje fadromat nisën shembjet. A është tensionim dhe lojë për të minuar dialogun me Greqinë? Natyrisht që çamët nuk janë të interesuar në këto çaste për tensionim mes dy vendeve por pikërisht për të kundërtën:

DIALOGUN! Nëse ai vendoset, herët a vonë çështja çame hyn në axhendë. Mor po edhe nëse Shpëtimi do luftë, …po le ta shpallë more! Le të thotë: “hallall Timonierit që shembi ndërtimet në Himarë”! Ama e ka minimumin e detyrës politike dhe detyrimin e gjakut të Çamërisë për ta mbajtur një qëndrim!!

Por asnjë nga këto nuk ka ndodhur me partinë e Idrizit dhe me vet Shpëtimin! Loja e “timonit vetëm” e nxorri të padobishëm këtë parazit të pushtetit dhe sot vazhdon t’i qëndrojë ngjitur, në heshtje , me përulje të plotë, për motive të pastra pragmatiste përfitimi të ndopak “sherbeti” që kullon nga tepsia.

Idrizi sot qëndron tek timoni i Edi Ramës si varsja tek çelësat e kuadrit, duke njollosur çdo ditë që kalon, emrin dhe kauzën e komitetit që bën sikur përfaqëson, atij të nderuar ÇAM!

* Fatmri HOXHA – Kryetar i Partisë së të Drejtave të Mohuara – e Re

Share: