Home KRYESORE Strategji të re për luftën kundër trafikimit të qënieve njerëzore

Strategji të re për luftën kundër trafikimit të qënieve njerëzore

TIRANË, 2 Nëntor/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Numri i të dënuarve për trafikim të qënieve njerëzore është rritur me 20-fish, nga 2013-ta deri më sot.

Gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Zv/Ministrja e Punëve të Brendshme, njëkohësisht dhe Koordinatorja Kombëtare e luftës antitrafik, Rovena Voda thekson se lufta ndaj trafikimit të qënieve njerëzor, mbetet prioritet i qeverisë

Ajo bëri të ditur se qeveria këtë e ka dëshmuar dhe me buxhetet e alokuara vit pas viti, ndërsa shtoi se falë punës ndërgjegjësuese është rritur forca goditëse dhe e të dënuarve.

Shifra më kokëfortë e kësaj është dhe numri i të dënuarve nga 1, që ishte në vitin 2013, në 20 që është sot.

Tre shtyllat kryesore të stragjisë anti-trafik

Zv.ministrja Voda thekson se ka një strategji të qartë të qeverisë, e cila që prej 2014 ka vendosur ndër prioritetet e saj këtë fenomen që dëmton shoqërinë shqiptare prej vitesh tashmë.

Sipas saj, janë tre pikat kryesore mbi të cilat bazohet strategjia e luftës anti-trafik 2014-2017, teksa lajmëroi se ka nisur puna për hartimin e planit të ri strategjik.

“Së pari, duam dhënia e ndihmës dhe ri-integrimi i viktimave të trafikimit përmes politikave sociale të ndihmës ekonomike, punësimit dhe arsimimit. Së dyti, rritja e institucioneve që marrin pjesë në luftën anti-trafik dhe në shinat e ri-integrimit të viktimave. Në këtë prizëm është dhe Komiteti Rajonal Anti-trafik, miratuar nga qeveria Rama në 17 shkurt të vitit 2016. Së treti, rishikimin e procedurave standarde të veprimit për identifikimin dhe referimin e viktimave/viktimave të mundshme të trafikimi”, tha Voda.

Në 2013-ën 1 i dënuar, në 2017 20 të dënuar

Lidhur me rezultatet e kësaj strategjia, Voda shpalosi dhe shifrat e luftës ndaj trafikimit.

“Nisur nga statistikat e agreguara dhe të pasqyruara në faqen zyrtare të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda (GJKR), është rritur numri i të dënuarve nga viti në vit. Kështu, për vitin 2016 numri i të dënuarve ishte 20, nga 1 i dënuar në vitin 2013.  Për periudhën janar-tetor 2017, bazuar në të dhënat nga GJKR, numri i të dënuarve është  4 (1 i dënuar 5-10 vjet dhe 3 të dënuar me 10-25 vjet burg. 3 të dënuar për veprën penale “Trafikimi i personave të rritur”, neni 110/a i KP dhe 1 i dënuar për veprën penale “Trafikimi i të miturve”, neni 128/b i KP”, shtoi Zv/ministrja e Brendshme.

Sipas saj, për të rritur edhe më tej forcën goditëse në luftën antitrafik, Ministria e Brendshëm ka kërkuar ndryshime në Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin Penal. “Në ndryshimet e fundit ligjore në Kodin e Procedurës Penale (miratuar me ligjin nr. 35/2017, hyrë në fuqi në gusht 2017) është  marrë parasysh ndryshimi i nenit 58 “Të drejtat e viktimës së veprës penale”) dhe pas nenit 58, është shtuar neni 58/a “Tëdrejtat e viktimës së mitur” dhe neni 58/b “Të drejtat e viktimës së abuzuar seksualisht dhe viktimës së trafikimit të qenieve njerëzore”, tha Voda.

Ri-integrimi i viktimave, Voda: Janë katër qendra rehabilitimi

Zv/Ministrja e Mbrojtjes tha se për ri-integrimin e viktimave janë ngritur katër qendra sociale.  “Mbrojtja dhe asistenca ndaj viktimave/viktimave të mundshme të trafikimit ofrohet në 4 qendra pritëse dhe riintegruese për viktimat/viktimat e mundshme të trafikimit, 1 qendër shtetërore dhe 3 qendra jopublike, si dhe në komunitet. Të 4 strehëzat ofrojnë shërbime riintegruese si asistencë psikologjike, shëndetësore, ligjore, formim profesional, ndërmjetësim për bashkim me familjet, për punësim dhe edukim, për viktimat e mundshme dhe viktimat e trafikimit, të huaja ose vendase, fëmijë ose të rritur, meshkuj ose femra”, tha Voda.

Rritje e buxhetit për luftën në luftën anti-Trafik

Zv/Ministrja e Brendshme, shtoi se qeveria në buxhetin e saj ka një vëmendje të veçantë për fenomenin në fjalë.

“Çdo vit alokohen fonde nga buxheti i shtetit, për 4 qendrat pritëse dhe riintegruese. Për vitin 2016, nga fondet e buxhetit të shtetit, për organizatën “Të ndryshëm dhe të Barabartë” është alokuar shuma prej 6 473 439 lekë; për qendrën psiko-sociale “Vatra” 7 635 367 lekë; për organizatën “Tjetër Vizion” 6 769 002 lekë.  Qendra Kombëtare Pritëse për Viktimat e Trafikimit është qendër shtetërore në varësi të Shërbimit Social Shtetëror dhe financohet tërësisht nga buxheti i shtetit në total 21 704 000 lekë”, sqaroi ajo.

“Edhe për vitin 2017, shtoi ajo, Ministria e Brendshme ka akorduar buxhet të veçantë për Drejtorinë e Antitrafikut dhe për veprimtarinë ndërgjegjësuese për trafikimin e personave në masën 10% më shumë se viti i kaluar.

Muaji anti-trafik,  qindra aktivitete për të sensibilizuar qytetarët 

“Në kuadër të Ditës Evropiane kundër Trafikimit të Personave, sikurse është kthyer në traditë, Koordinatori Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, në bashkëpunim me institucionet shtetërore dhe organizatat partnere, prej 4 vitesh, përgjatë tetorit, organizon Muajin e Luftës kundër Trafikimit të Personave, ku zhvillohen aktivitete sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese për parandalimin e trafikimit të personave në 12 qarqet e vendit”, tha Voda.

Ajo sqaroi që, gjatë këtij muaji janë zhvilluar aktivitete në të gjithë vendin, duke përfshirë këtu të gjithë territorin e vendit, që nga Gjirokastra e Erseka dhe deri në Koplik, Has, Bulqizë e Tropojë. “

Zv/ Ministrja informoi se, gjatë këtij muaji u  zhvilluan, rreth 60 forume e grupe  diskutimi me profesionistë, studentë dhe përfaqësues nga komuniteti. Mbi 80 aktivitete ndërgjegjësuese, 20 trajnime, workshope dhe tryeza të rrumbullakëta, rreth 12 ekspozita rajonale me punime të nxënësve të shkollave të mesme dhe 9-vjeçare; Rreth 50 takime ndërgjegjësuese; mbi 30 sesione informuese me komunitetin, nxënës, mësues, psikologë, etj.

Aktivitetet që kulmuan Muajin Antitrafik ishte Konferenca Kombëtare, e cila u mbajt në datë 18 tetor, në Ditën Evropiane kundër Trafikimit dhe Ekspozita Kombëtare që u zhvillua në datë 30 tetor në qendrën rinor enë Tiranë, ku u prezantuan 137 punimet më të mira të nxënësve nga 12 qarqet, si dhe punime të viktimave/viktimave të mundshme të trafikimit që janë akomoduar në 4 qendrat pritëse dhe riintegruese. U dhanë 9 çmime për punimet më të mira, të cilat u vlerësiun sipas një votimi të fshehtë që u bë nga vizitorët e ekspozitës. /a.g/

Share: