Home KRYESORE “Vota kundër SHBA-ve e pafalshme”, flet ish-ambasadori ynë në OKB

“Vota kundër SHBA-ve e pafalshme”, flet ish-ambasadori ynë në OKB

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Agim Nesho, në një prononcim për “Panorama”, e ka quajtur si të pafalshëm dhe të papërgjegjshëm votën e Shqipërisë pro rezolutës së propozuar nga Turqia dhe Jemini kundër shpalljes së Jerusalemit si kryeqyteti e Izraelit.

Agim Nesho thekson se ky qëndrim i Shqipërisë nuk ishte për situatën në Lindjen e Mesme, por një votë politike e kërkuar nga administrata e Donald Trump.

Sipas tij, vendet e BE-së nuk mbajtën qëndrim konsensual, pasi disa vende abstenuan për të treguar vlerën e marrëdhënieve të tyre me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Diplomacia shqiptare është treguar minimalisht e papërgjegjshme ndaj një rasti të tillë, pavarësisht se i është bashkuar vendeve të konsoliduara të BE-së, por qëndrimi i BE-së është i ndarë. Ka vende të tilla si Kroacia, Polonia, Çekia dhe disa vende të BE-së që kanë abstenuar, duke pasur parasysh vetë rëndësinë e marrëdhënieve të tyre me SHBA-të. Të mendojmë për një rast që SHBA-të janë promotori i njohjes së çështjes tonë kombëtare dhe njohjes së Kosovës”, ka thënë ish-diplomati në OKB. Për Agim Neshon Shqipëria doli në krah të Konferencës Islamike, duke kundërshtuar aleatin historik.

“Mendo një administratë, e cila kërkon një votë politike, por këtë nuk e klasifikon si një votim normal i rezolutave të vazhdueshme të OKB-së, por një votë e kërkuar në nivelet më të larta të administratës amerikane, sigurisht që do të perceptohet dhe si një qëndrim politik i Shqipërisë ndaj këtij rasti.

Shqipëria gabimisht ka përkrahur Organizatën Islamike përkundrejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk ishte qëndrim për konfliktin në Lindjen e Mesme, por ishte një qëndrim për veprimtarinë e administratës së Presidentit Trump dhe këtu kjo gjë është e pafalshme për diplomacinë shqiptare, që si gjithmonë në mënyrën më të gabuar zgjedh anën e gabuar të medaljes”, theksoi ai. Sipas tij pasojat do të jenë në faktin se Shqipëria po pozicionohet ndaj vendeve islamike dhe jo ndaj SHBA-ve.

“Ku do të jenë konsekuencat? Jo vetëm për Shqipërinë, sepse Shqipëria është shumë e vogël për interesat amerikane dhe zhvillimit të botës, por problemi do të qëndrojë që ka shenja gjithmonë e më shumë të lidhjeve me protagonistë të Konferencës Islamike, të lidhjeve të vazhdueshme dhe detyrimet e pranuara nga marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë”, ka thënë diplomati. Për Agim Neshon votë-abstenim do të ishte më e duhura për Shqipërinë. “Vota abstenim do të ishte shumë komode, për të treguar që SHBA-të janë ashtu siç thotë Qeveria e zotit Rama, që është partneri ynë strategjik kur i duhet rasti, për të justifikuar, gjithmonë e përdorin, na ka thënë Amerika kështu e ashtu. Por tregon që interesat dhe kahet e zhvillimit të marrëdhënieve duket se po kalojnë në sens të kundërt”, tha Nesho për “Panorama”.

Share: