Home KRYESORE Plumba për dashurinë, apo tekat e një lodre të një mashkulli!

Plumba për dashurinë, apo tekat e një lodre të një mashkulli!

Nga Dritan Laci

Të dashurosh do të thotë të transferosh lumturinë tënde në lumturinë e tjetrit. Dashuria nuk justifikon asnjë gjest që nuk i kthehet në dashuri. Krim për pasion apo plumba për dashurinë, çfarë do lajtmotivi të kishte veprimi i djeshëm i një 23 vjeçari që i mori jetën vajzën që i refuzoi dashurinë, askush, për çfarë do lloj motivi, nuk mund të shkelë mbi të drejtën hyjnore për jetën. Shoqëria sot më të drejtë është vendosur në radhë duke dënuar veprimin e Aldosenit që refuzimit të dashurisë së një vajze iu përgjigj me plumbat e egos së lënduar të një mashkulli.

Është e vërtetë që një mashkull nuk i harron femrat që nuk pati në jetë, por rasti i Aldisonit, që jo vetëm shkon deri në flijim në emër të dashurisë së refuzuar por edhe që zgjedh ti japë zgjidhje fatale duke vrarë dashurinë e tij, përveç mitit të një dashnori të pafat, duhet parë edhe në konteksin shqiptar matriarkal dhe patriarkal se si rriten meshkujt. Se si ata ushqehen në familje që në vegjëli për të qenë i pari i shtëpisë. Se si ata e shikojnë motrën e tyre si një qenie inferiore mbi të cilën duhet të ushtrojnë të drejtën e vëllait. Një e drejtë pronësie kjo që fillon dalëngadalë ushqehet dhe rritet bashkë me ta deri sa është shumë e vështirë edhe për ata që e kanë ushqyer, ta vendosin në kontroll.

Rasti i Aldosenit na tregon pikërisht një formë të tillë të posesivitetit mashkullor. Gjesti i tij i djeshëm është një demostrim i pronësisë mbi dashurinë. “O me mua ose të dy në ferr”. Pra Aldosini edhe pse një djalë i shkolluar, e ka parë vajzën që dashuronte si një tekë a një mall të vetin që duhet plotësuar apo ta kishte të vetën me çfarë do lloj mënyre. Në kushtet e tronditjes së fortë psikike kur ka parë dashurinë e tij të shtrirë në tokë, apo një vendim i marrë më herët si një formë flijimi për dashurinë e pamundur, ai i jep fund edhe jetës së tij, këtë ne nuk mund ta dimë. Por ajo që mund të themi është se fatkeqësisht Aldoseni nuk është një personazh i shkëputur nga realiteti ku jetojmë, ku femra shikohet si një mall tregu.

Të paktën çdo prind duhet ti mësojë djalit të tij që të rritet me mendimin që një mashkull propozon dhe një femër zgjedh, nëse një femër nuk të zgjedh duhet të ketë shumë arsye, ku do të mjaftonte një arsye e vetme refuzuese që të nisje kërkimin për femrën që të plotëson në të vërtetë./ Opinion.al

Share: