Home KRYESORE Si po vazhdon të bëjë miliona Balili me qeverinë e Edi Ramës!

Si po vazhdon të bëjë miliona Balili me qeverinë e Edi Ramës!

Në ditët e fundit të vitit që shkoi, u zbulua në media se bizneset e Klement Balilit, i cilësuar si ‘Eskobari i Ballkanit’, vazhdonin të përfitonin para nga buxheti i shtetit përmes tenderave të institucioneve qeveritare, edhe pse ai ishte person në kërkim për trafik droge. Kompania e ruajtjes dhe sigurisë fizike të objekteve dhe vlerave monetare, ‘Balili Co’, është përfituese miliona lekëve nga institucionet shtetërore. Por nuk mbaron me kaq. Ndonëse pas publikimit të këtij skandali, ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, firmosi heqjen e licencës për kompaninë ‘Balili Co’, ajo vazhdon të marrë pjesë në tenderat e muajit janar 2018.

Vendimi për t’i hequr licencën kompanisë është marrë në 17 dhjetor 2017, ndërkohë në së paku dy publikime te buletineve publike në Agjensinë e Prokurimeve për muajin janar 2018, kompania e Klement Balilit rezulton të ketë marrë pjesë në garën për tender. Kjo ngre dyshime nëse realisht i është hequr apo jo licenca firmës ‘Bali Co’. Nga një vëzhgim i LAPSI.al rezulton se biznesi i Klement Balilit, ndonëse është në emër të vëllait të tij, Bashkim Balili, ka hyrë në garë për tenderin e ruajtjes së objekteve dhe personelit të Postës Shqiptare në qarkun Vlorë. Tenderi kishte një vlerë rreth 11 milionë lekë të vjetra.

Por kompania e Klement Balilit nuk ka rezultuar fituese. Edhe pse me licencë të hequr, të paktën sipas asaj që ka deklaruar Policia e Shtetit, ‘Balili Co’ është ankuar pranë Komisionit të Prokurimit Publik, më datë 12 janar 2018. Megjithatë ankesa nuk është pranuar .

Edhe pse dështoi në tenderin për të ruajtur zyrat dhe personelin e Postës Shqiptare në qarkun Vlorë, kompania ‘Balili Co’ vazhdon të ofrojë siguri për Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër. Në buletinin e datës 29 janar 2018 të publikuar nga Agjensia e Prokurimeve Publike, rezulton se ‘Bali Co’ do të vijojë të ofrojë shërbimin e sigurisë fizike për këtë institucion edhe gjatë vitit 2018. Kontrata me kompaninë është lidhur në mars të vitit të shkuar.

Pjesëmarrja në tendera të rinj të vitit 2018, ngre dyshime nëse vërtet Policia e Shtetit ia ka hequr apo jo licencën policisë private të Klement Balilit në 17 dhjetor 2017 apo jo. Nëse po, atëherë është a pakuptimtë që kjo kompani të marrë pjesë sërish në tenderat e vitit të ri. Por edhe nëse kemi të bëjmë me vazhdim të kontratave të lidhura gjatë vitit 2017, sikundër është kontrata me Prokuroinë e Gjirokastrës, sërish jemi para faktit që institucionet publike ruhen nga një kompani të cilës i është hequr licenca/LAPSI.al 

Share: