Home KRYESORE 23 shtete dëbojnë zyrtarë rusë, Putin gjen ‘ngushëllim’ tek Erdogan

23 shtete dëbojnë zyrtarë rusë, Putin gjen ‘ngushëllim’ tek Erdogan

Në kohën që Rusia po përballet me një valë të parecedentë dëbimesh të diplomatëve të saj nga 23 shtete, si reagim për helmimin e ish-agjentit të dyfishtë rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij në Britaninë e Madhe, Putin duket se ka gjetur “ngushëllim” tek Presidenti i Turqisë, një prej vendeve më të fuqishme të NATO-s.

Agjencia turke e lajmeve Anadolu Agency (AA) raportoi të martën se Recep Tayyip Erdogan kishte zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin rus, Vladimir Putin. Sipas informacioneve të Kabinetit të presidentit turk, Erdoğan fillimisht i shprehu ngushëllimet me rastin e zjarrit në Kemerov.

Por, ndërkohë që marrëdhëniet e Rusisë me vendet perëndimore kanë hyrë në një krizë të paprecedentë, Erdgoan dhe Putin “konfirmuan përkushtimin e zhvillimit të marrëdhënieve bilaterale në të gjitha fushat”.

Ata biseduan edhe për samitin trilateral për krizën siriane, i cili do të mbahet më 4 prill në Ankara, me pjesëmarrjen e Turqisë, Rusisë dhe Iranit.

23 vende anëtare dhe partnere të NATO-s, përfshirë SHBA-të, Gjermaninë, Britaninë, Francën dhe Shqipërinë, kanë urdhëruar largimin nga vendet e tyre të 137 diplomatëve rusë me 26 Mars.

Rusia tha se do të përgjigjej ashpër ndaj kësaj lëvizjeje të koordinuar dhe fajësoi SHBA-të për presion ndaj vendeve të NATO-s për dëbimin e zyrtarëve rusë.

Zyrtarisht, Shqipëria dëbimin e dy diplomatëve e argumentoi me faktin se “veprimtaria e tyre nuk përputhet me statusin e tyre diplomatik”./tvklan.al

Share: