Home KRYESORE GUS Albania: Më shumë mbikqyrje mbi “hiper-seksualizimin” e gruas në media

GUS Albania: Më shumë mbikqyrje mbi “hiper-seksualizimin” e gruas në media

Seminari praktiko-informues “As you want me. The insidious power of the representation of girls and women”, i mbajtur të shtunën në selinë e Gus Albania në Tiranë, u përqëndrua mbi çështjen e ndjeshme dhe delikate të komercializimit dhe seksualizimit të trupit të gruas.

Ndonëse si shoqëri kemi bërë përmirësime në lidhje me përfshirjen dhe perceptimin e gruas, mbeten mjaft aspekte problematike, që janë shpeshherë të përcjellë në mënyrë të kamufluar. Një rast domethënës, që hyn në shtëpitë tona çdo ditë nëpërmjet televizionit, është përdorimi komercial dhe mediatik i trupit femëror. Imazhi i grave është shpesh i deformuar në reklama dhe mesazhe komerciale, kjo me kalimin e kohës nxit në shoqëri sjellje diskriminuese dhe seksiste.

Seminari, organizuar nga GUS Albania dhe mbështetur nga UN Women Albania, pati një pjesëmarrje të gjërë aktivistësh, vullnetarësh dhe përfaqësuesish të OJQ-ve që veprojnë për të drejtat civile në Shqipëri. Aktiviteti është pjesë e angazhimit të organizatës për sensibilizimin e komunitetit ndaj rreziqeve për vajzat dhe gratë nga një pasqyrim i tillë.

Synojmë zgjerimin e mëtejshëm të rrjetit të organizatave të shoqërisë civile, në veçanti të të rinjve, që bashkëpunojnë në ndërgjegjësimin e komunitetit mbi këtë çështje, për të arritur disa qellime të përbashkëta:

– dekonstruksionin e stereotipeve gjinorë që përcjellin kryesisht gruan amvisë ose gruan e hiper-seksualizuar;

– promovimin e rolit të gruas si aktor aktiv në shoqëri;

– promovimin e një përfaqësimi më realistik të grave në media.

GUS Albania i kushton rëndësi të veçantë monitorimit të përfaqësimit të grave në media dhe aspiron të forcojë këtë angazhim me bashkëpunimin dhe përfshirjen e aktorëve të tjerë të shoqërisë civile. Së afërmi do të ndërmarrim një fushatë kushtuar kryesisht brezit të ri, për të rritur ndërgjegjësimin mbi këtë problem shoqëror.

Share: