Home KRYESORE TVSH – ja dhe biznesi i vogël – një lajmërim dashamirës jo...

TVSH – ja dhe biznesi i vogël – një lajmërim dashamirës jo për qeverinë por për biznesin

Nga Kasem Seferi

Nuk është as vendi dhe as koha për të bërë historinë e TVSH – së, pikërisht, në vitin 2018, krahasuar me vitin 1954 kur u shfaq si tatim mbi konsumin në Francën e pasluftës së dytë botërore, por një ide e hedhur nga i madhi Messershmnit në Gjermaninë parahitleriane.

Për t’i dhënë edhe njëherë mundësinë e korigjimit Kryeministrit Rama 2, por argumentoj si më poshtë vijon për më shumë se njëherë në vitet e përvojës time në fushën e të tatuarit, fushë që, historikisht, ka rrëzuar qeveri dhe perandori në historinë e njerëzimit.

Trajtimi që vijon është frut dhe nxitje e sinqeriteti të Profesor Gëzim Tushit të psikologjisë.

Duhet pohuar pa mëdyshje se politika tatimore dhe administrimi tatimor ndërveprojnë në tre nivele dalluese:

formësimin e politikës dhe hartimin e legjislacionit;
procedurat administrative dhe institucionet që nevojiten për të vënë në jetë legjislacionin dhe;

vënien aktuale në jetë të sistemit tatimor.

Por, politika tatimore duhet t’i përshtatet kërkesave të kohës në lidhje me kapacitetet administrative në dispozicion.

Një studim i bërë në lidhje me uljen e pragut të regjistrimit të TVSH – së në Poloni, në vitin 1995, vërtetë, solli në listë qindra e mijëra tatimpagues të TVSH – së, por si politikë tatimore, në atë kohë, u vu në dyshim si përkiste të ardhurave tatimore të mbledhura, ashtu dhe asaj të administrimit që i ishte dhënë për ta përballuar administrata tatimore polake.

Ekspertët më të dalluar të fushës kanë arritur në përfundimin se si arritja e qëllimit ashtu dhe vënia në jetë e një politike të mirë tatimore, kërkon balancim të kujdesshëm të shumë çështjeve komplekse lidhur me:

konsideratat politike;
efektet shpërndarëse dhe
hartimin ligjor;

Përveç kësaj, vemendje e konsiderueshme duhet t’i kushtohet qendrueshmërisë administrative në lidhje me atë nëse mund të vihet në jetë aktualisht politika tatimore.

Nevojitet, gjithashtu, që të gjithë juristët, ekonomistët, specialistët e informacionit dhe administratorët të përfshihen qysh herët në proçesin e trajtimit të politikës tatimore, ndërkohë që, natyrisht, do të ishte e pashmangshme një ndarje e punës, e cila duket se është e tepruar ndërmjet aktorëve të ndryshëm të rëndësishëm në vënien në jetë të një politike tatimore të tillë.

Në Poloni, në vitin 1995, formulari mujor i TVSH – së u ndryshua nga ai me 61 çështje në një tjetër me 105 çështje (që përfshinte 37 çështje të identifikimit, 26 mbi kreditimin e TVSH – së së zbritshme, 17 mbi TVSH – në e pagueshme dhe 25 çështje mbi llogaritjen e tatimit).

Për më tepër, për ta plotësuar këtë formular, kërkoheshin tetë shtesa, një shumëfishim, dy ndarje dhe një parregullsi, si dhe nuk siguroheshin udhëzime për t’i rrëfyer rrugën tatimpaguesit të çoroditur, gjë që vuri në dyshim përfitimin e konceptueshëm që mundi të justifikonte vendosjen e një kompleksiteti të tillë dhe të kostove të përmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor mbi tatimpaguesit e biznesit të vogël.

Nuk ka rëndësi sa e mirë mund të jetë teorikisht një politikë tatimore, ose një administratë tatimore në praktikë, sepse të dyja kërkojnë një mjedis të përshtatshëm me qëllim që të prodhojnë rezultate të mira.

Prandaj tranzicioni drejt një niveli më të lartë zhvillimi të sistemit tatimor dhe një administrimi tatimor më në përputhje me kërkesat e kohës në një vend, nuk duhet të jenë të përshtatshëm vetëm me njëri – tjetrin por dhe me shfaqjen e mjedisit kontabël, ligjor dhe ekonomik në të cilin mund të funksionojë siç duhet një sistem tatimor modern.

Tatimet shkaktojnë shumë kosto dhe efektet e tyre ekonomike, thjesht, e kapërcejnë transferimin e parasë nga tatimpaguesit te buxheti i shtetit, gjë që ka qenë dhe mbetet arsyeja kryesore përse ekonomistët vazhdojnë të interesohen për kostot e të tatuarit:

së pari, duhet thënë se, me ose pa qëllim, tatimet mund ta ndryshojnë ose ta alternojnë sjelljen e tatimpaguesit;

ka edhe kosto të tjera që nuk janë të qëllimshme, të cilat literatura moderne ekonomike, i përshkruan si barrë e tepruar, ose një humbje përmbi dhe përtej të ardhurave tatimore që mblidhen.

Për qëllime funksionale, shpesh, kostot e të tatuarit cilësohen me anë të numrit të punëmarrësve që ka biznesi, ose madhësisë së qarkullimit të tij, ndërsa kostot e të tatuarit ndahen në dy pjesë:

kosto të zbatimit të legjislacionit tatimor (të cilat përfshijnë mbajtjen e të dhënave, të mësuarit e ligjeve të veçanta dhe formularëve, kohën e përgatitjes, kohën e harxhuar për mbajtjen e tatimit në burim për punëmarrësit dhe çdo kosto monetare të tillë si asistenca nga ekspertët kontabël, juristët tatimorë, ose specialistët tatimorë, ose blerja e programeve ose librave të kompjuterit);

(2) kosto administrative, që shoqërojnë operimet e administratës tatimore.

Fushat kryesore të zvogëlimit të kostove të përmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor të tatimpaguesve të vegjël janë:

rishkrimi i legjislacionit tatimor ekzistues;
shkurtimi i gjatësisë së legjislacionit;
siguria që arrihet nëpërmjet eleminimit të hapësirës së fuqisë interpretuese të zyrtarëve tatimorë;
heqja e pasigurive të përgjithshme;
zvogëlimi kostove dhe kërkesave për mbajtjen e të dhënave; rishikimi i përdorimit të sistemit tatimor për të arritur objektiva që kanë lidhje vetëm me të ardhurat dhe hartimi i proceseve administrative pa pengesa.

Zakonisht thjeshtësia ekonomike rrok edhe thjeshtësinë ligjore, ndërsa thjeshtësia efektive e një tatimi të veçantë përfshin: thjeshtësinë ligjore; numrin e tatimpaguesve dhe administratorëve tatimorë; shpërndarjen e madhësisë së tatimpaguesve; ciklin e biznesit (ndryshimin e kushteve makroekonomike dhe ekonomike që ndikojnë bazën tatimore); si dhe kulturën tatimore të tatimpaguesve të biznesit të vogël.

Me pak fjalë: kostot e zbatimit të legjislacionit tatimor dëshmojnë se si i adreson sistemi tatimor nevojat e veçanta të bizneseve të vogla.

Treguesi që siguron masën e parë të ndikimit të të tatuarit mbi rrjedhën e parasë në dorë që përdoret nga bizneset e vogla është aftësia për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërmjet administratës tatimore dhe tatimpaguesve dhe është kjo arsyeja përse përmirësimi në fushën e administrimit tatimor kërkon që qeveria të rishikojë me kujdes legjislacionin tatimor duke u fokusuar mbi kostot e zbatimit të legjislacionit tatimor për bizneset e vogla, sidomos kur bëhet fjalë për mundësitë reale që ka administrata tatimore në lidhje me monitorimin sistematik të rimbursimit të TVSH – së dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet administratës tatimore dhe një numri tejet të konsiderueshëm tatimpaguesish me kufi qarkullimi (xhiro) vjetore mbi 2 milion lekë
.
Sigurimi i shërbimeve për tatimpaguesit e biznesit të vogël ndihmon për të zvogëluar kostot e zbatimit të legjislacionit tatimor, sidomos me anë të sigurimit të programeve që ua bëjnë të mundur tatimpaguesve të përmbushin detyrimet e tyre tatimore më me lehtësi.

Përparësitë afatgjata të rrugëzgjidhjes së shërbimit të tatimpaguesit kanë shumë më tepër vlerë se kostot afatshkurtëra të tij.

Gjithashtu njihet se tërësia e faktorëve, që përfshijnë kostot e zbatimit të legjislacionit tatimor, është përcaktues i rëndësishëm për nivelin e përgjithshëm të zbatimit vullnetar të legjislacionit tatimor si dhe për eleminuar disa forma të moszbatimit të legjislacionit tatimor.

Sa më e vogël të jetë madhësia e biznesit, aq më pak e qartë është linja ndarëse ndërmjet tipeve të ndryshme të tatimeve.

Sipërmarrësit e vegjël priren të paguajnë një shumë totale të vetme të tatimeve, që i mbledh ose qeverisja qendrore ose ajo vendore, një shumë e vetme që të përmbledhë tatimin mbi fitimin, taksat vendore, tatimin mbi të ardhurat personale dhe kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore.

Për arsye se tatimet individuale nganjëherë janë shumë të vogla, akumulimi i tatimeve të tilla, shpesh, peshon rëndë mbi rrjedhën e parasë në dorë të biznesit të vogël dhe një gjë e tillë mund bëhet një barrë e rëndë, veçanërisht, kur bizneset e vogla përballen me konkurrencën e bizneseve që operojnë në ekonominë informale.

Barra e madhe e tatimit e kufizon aftësinë e biznesit të vogël për të konkurruar dhe, njëkohësisht, vepron si nxitës që tatimpaguesit e biznesit të vogël të shmangin dhe evadojnë tatimet, në mënyrë të veçantë, duke deklaruar në mënyrë jo të saktë të xhiron, fitimet dhe pagat.

Në rastin e zbatimit të një tatimi të vetëm fiks (flat tax) tatimpaguesit e biznesit të vogël nuk do të nevojitej të akumulonin faturat gjatë vitit, të blinin programe kompjuterike ose shërbime nga profesionistë të ndryshëm për zbatimin e legjislacionit tatimor, ose ta tejkalonin kujdesin e tyre në lidhje me rimbursimet e TVSH – së, operimin e kasave regjistruese, etj, që të mos shkelin legjislacionin tatimor.

Do të mjaftonte një llogaritje e thjeshtë e detyrimit të tyre tatimor mbi bazën e llogaritjes së qarkullimit vjetor dhe shumëzimit të tij me një përqindje të caktuar, procedurë kjo që gjithë e gjithë do t’i harxhonte tatimpaguesit të biznesit të vogël vetëm disa minuta.

Megjithëatë bizneseve të vogla u duhet të mbajnë të dhëna me qëllim që të kalkulojnë të ardhurat neto për vitin, por natyrisht këto të dhëna do t’i mbajnë për qëllimet e kontabilitetit të tyre.

Ky ka qenë dhe mbetet një nga argumentet më të fuqishëm të studjuesve dhe ekspertëve të ndryshëm në mbarë botën në lidhje me përdorimin e kasës regjistruese duke e konsideruar atë si mjet për qëllimet e kontabilitetit të biznesit të vogël dhe jo si një mjet fiskal.

Me një sistem të thjeshtë të tatimit fiks, tatimpaguesit e biznesit të vogël, supozohet se do t’i njihnin mirë rregullat dhe mund të përqendroheshin mbi klientët e tyre; nga ana tjetër, kursime shtesë në lidhje me kostot e zbatimit të legjislacionit tatimor do të vinin nga vetë qeveria, sepse përqindja e tatimit fiks i zvogëlon nxitësit e tatimpaguesit të biznesit të vogël për të shmangur dhe evaduar tatimin, kështu që qeverisë do t’i duheshin më pak para për të shpenzuar për ta zbatuar legjislacionin tatimor me masa shtrënguese.

Për ta bërë më të qartë problemin do të ishte me vlerë të sqarohej një pikë tejet interesante që i referohet të ashtuquajturave orë “të çuara kot” që i kushtohen zbatimit të legjislacionit tatimor, për arsye se ato nuk janë të domosdoshme për të arritur qëllimin e tyre.

E gjithë arsyeja e sistemit tatimor është kanalizimi i të ardhurave për qeverinë dhe sistemi i tatimit fiks mund t’ia arrijë këtij qëllimi me anë të kostove më të vogla të zbatimit të legjislacionit tatimor, që do të përfshinin zbatimin e sistemit ekzistues, ndërsa shtrirja e TVSH – së deri në kufirin e qarkullimit vjetor prej 2 milion lekë do të ishte vërtetë kohë e çuar kot, pasi është vërtetuar se tatimi fiks i ka më të vogla kostot e zbatimit të legjislacionit tatimor dhe ai liron, gjithashtu, burime njerëzore që shërbejnë për të prodhuar mallra dhe/ose shërbime të tjera që u duhen njerëzve.

Uroj që Qeveria Rama 2 ta rishikojë politikën që do të vihet në jetë më 1 Prill 2018, “jo për mua dhe as për ti”, por për të “mjerën Shqipëri”.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: