Home KRYESORE Protesta/ Katër akset kryesore që do të bllokohen sot nga opozita

Protesta/ Katër akset kryesore që do të bllokohen sot nga opozita

Opozita do të nisë nga sot protestat për të vënë në zbatim aksionin për mosbindje civile ndaj qeverisë. Për rreth tri orë, akset kryesore të vendit do të jenë të bllokuara, pasi qytetarët dhe deputetët e opozitës do të jenë duke protestuar ndaj qeverisë dhe rritjes së vazhdueshme të taksave.

Një vendim të tillë, opozita e bashkuar e mori menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Kukësit për të lënë në burg 11 prej të ndaluarve në protestën e Rrugës së Kombit. Kreu i opozitës, Lulzim Basha, thirri në një mbledhje urgjente opozitën e bashkuar ku edhe u përcaktua strategjia që do të ndiqet në protestat e ditës së sotme. Sipas Bashës, regjimet që u kundërvihen interesave publikë, rrëzohen.

“Regjimet të cilat i kundërvihen interesit publik, regjimet që përdorin dhunën dhe forcën kundër njerëzve, janë vetëm hapa rrëzimit. Popullin shqiptar nuk e nënshtron dot, nuk e privatizon dot. Ne do të jemi aty, siç kemi qenë sot në krahë të qytetarëve të pafajshëm kuksianë. Do të jemi nesër në protestat e njoftuara nga qytetarët, nga sipërmarrësit e vegjël, nga fermerët, nga qytetarët që janë larguar nga ndihma ekonomike. Një popull i bashkuar, që do t’i rezistojë me të gjitha format dhe mënyrat demokratike, është garancia se kjo diktaturë dhe tirani e krimit, i ka orët e numëruara”, tha Basha.

BLLOKIMET

Deputetët e opozitës nuk do të paraqesin asnjë kërkesë në rajonet e Policisë për rrugët që do bllokohen, pasi, sipas tyre, janë qytetarët ata që e organizojnë bllokimin e akseve kombëtarë dhe deputetët që e mbështesin. Burime nga selia blu bëjnë me dije, se protestat e opozitës do të përqendrohen në katër akse kryesore ku edhe është e përqendruar edhe lëvizja më e madhe e mjeteve.

Kështu nga ora 10:00 deri në orën 13:00 do të bllokohet kryqëzimi i Milotit që lidh Tiranën me Shkodrën dhe njëkohësisht edhe Rrugën e Kombit me kryeqytetin. Në të njëjtin orar do të jetë i pakalueshëm për mjetet edhe kryqëzimi i Çermës në Lushnjë, që do të paralizojë lëvizjen në Jug të vendit.

I bllokuar do të jetë edhe kryqëzimi i Bradasheshit në Elbasan dhe kryqëzimi i Vorës në Tiranë. Në çdo protestë do të ketë përfaqësues të opozitës, ndërkohë që pritet që kreu i PD-së, Lulzim Basha, të jetë në protestën që do të organizohet në Vorë. Protestat e opozitës janë parashikuar në një orar që normalisht do të duhet të zhvillohet seancë plenare në Parlament.

Përmes një kërkese, deputetët e Partisë Demokratike i kanë kërkuar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, të shtyjë seancën plenare në orën 18:00.

REAGIMI I POLICISË

Ndërkohë, në lidhje me të, ka reaguar edhe Policia e Shtetit mbrëmë vonë. Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos marrin pjesë në protestë, pasi opozita nuk ka marrë leje për zhvillimin e saj. Në këtë mënyrë, sipas Policisë, protesta nuk do të lejohet.

“Policia e Shtetit nuk ka marrë njoftim ligjor për protestën dhe mbështetur në ligjin “Për tubimet”, nuk mund të lejojë protesta të askujt, që në emër të lirisë së tubimit cenojnë lirinë e sigurinë e të tjerëve. Zhvillimi i protestës së paralajmëruar mediatikisht, për vetë natyrën e saj përbën një cenim të rëndë të ligjit, të rendit publik dhe lirisë e sigurisë së çdo qytetari, që ka të drejtën të përdorë hapësirat e pushtuara nga një protestë e tillë. Organizatorët e kësaj proteste të paligjshme do të përballen me ligjin për çdo pasojë të paparashikuar, që mund të sjellë një protestë e organizuar për të nxitur rrëmujë dhe konflikt në pika nevralgjike për qarkullimin e njerëzve dhe mjeteve”, shkruan njoftimi.

AKSET QE BLLOKOHEN

Kryqëzimi i Milotit

Kryqëzimi i Vorës

Kryqëzimi i Bradasheshit

Kryqëzimi i Çermës

Share: